Report Tv zbulon detaje të reja për provat sekrete të Prokurorisë përmes të cilave kanë kërkuar heqjen e mandatit dhe më pas arrestimin e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Detajet vijnë nga mbledhja me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve.

Prokurorët kanë deklaruar se disponojnë dëshminë e një efektiveje, e cila është mikeshë e ngushtë e Moisi Habilajt. Efektivja ka dëshmuar përpara prokurorëve të krimeve të rënda se Moisiu i ka pohuar se ka kushëri Tahirin.

Prokurorët thanë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit se kjo është një tjetër provë që lidh Tahirin me Habilajt. Dalja në skenë e kësaj dëshmie është kthyer “Thembra e Akilit” për çështjen e arrestimit ose jo të ish-ministrit të Brendshëm. Report TV nga të tjera burime mëson se efektivja është pyetur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda vetëm dy ditë më parë.

Prokurorët kanë këmbëngulur se dëshmia e efektives është në unison dhe gjen mbështetje nga provat e tjera indirekte kundër ish-ministrit Saimir Tahiri. Prokurorët në komision e prezantuan dëshminë e efektives, në trajtën e gjinisë Mashkullore, për të ruajtur të paprekur identitetin e saj.

Burimet nga mbledhja e Këshillit të Mandateve i pohuan Report Tv se edhe kjo provë e re e paraqitur nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk ka qenë bindëse për anëtarët socialistë të këtij këshilli, pasi nuk përbën asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe Moisi Habilajt.

d.c./shqiptarja.com