Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Merrick Garland vizitoi Ukrainën të martën, më 21 qershor duke theksuar mbështetjen amerikane për të ndjekur penalisht ato forca ruse të akuzuara për krime lufte dhe mizori të tjera.
Garland u takua me Prokuroren e Përgjithshme të Ukrainës, Iryna Venediktova, e cila po drejton hetimin e atyre që Kievi thotë se janë 16,000 krime lufte të raportuara që kur Rusia pushtoi vendin gati katër muaj më parë. Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët në Ukrainë.
Gjatë takimit në qytetin e Lvivit, Garland bëri të ditur krijimin e një ekipi të fokusuar në gjurmimin e kriminelëve të luftës.
"Ne dhe partnerët tanë do të ndjekim çdo rrugë në dispozicion për t'u siguruar që ata që janë përgjegjës për këto mizori të mbahen përgjegjës," u tha Garland gazetarëve teksa hynte në takimin me Venediktovën.
Ekipi i krijuar do të ndihmojë Ukrainën me ndjekjen penale, mbledhjen e provave, mjekësinë ligjore dhe analizën ligjore të abuzimeve të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës dhe mizorive të tjera, tha departamenti, duke shtuar se këshilltari kryesor i ekipit dikur udhëhoqi përpjekjet për të gjurmuar kriminelët nazistë të luftës.
Ekipi do të fokusohet gjithashtu në krimet e mundshme të luftës mbi të cilat Shtetet e Bashkuara kanë juridiksion, duke përfshirë vrasjen dhe plagosjen e gazetarëve amerikanë që mbulojnë luftën, tha departamenti amerikan i drejtësisë.
"Amerika - dhe bota - ka parë shumë imazhe të tmerrshme dhe kanë lexuar rrëfimet tronditëse të brutalitetit dhe vrasjeve që ka sjellë pushtimi i padrejtë i Rusisë në Ukrainë," tha Garland në deklaratën e departamentit.
Venediktova falënderoi Garland për mbështetjen e tij, duke e quajtur atë "shumë të rëndësishme".
"Ne të gjithë e kuptojmë se kemi armiq të mëdhenj," tha ajo.
Gati katër muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, Kievi thotë se ka identifikuar mijëra raste të dyshuara për krime lufte.
Më të njohurit kanë qenë akuzat për vrasje të civilëve në Buça. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka denoncuar këto vrasje si krime lufte./REL
Lajmi kryesor: