Prokurori italian i ka cilësuar grupet kriminale shqiptare, si organizatat me shtrirjen më të gjerë dhe më të fuqishmet më territore të Evropës.

Prokurori italian Giuseppe Gatti: Ky operacion na lejon të bëjmë një lloj analize për krimin e organizuar. Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE. Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm.Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri.

Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës. Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet.

Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale. Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’.

Prokuror i posaçëm i çështjes Vladimir Mara tha se nuk mund të flasim për një kombësi të krimit të organizuar dhe se grupet kriminale shqiptare, kanë gjetur mbështetje në Itali ku dhe janë fuqizuar e modernizuar.

Prokurori i SPAK Vladimir Mara: Kemi dokumentuar episode të trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Falë këtij hetimi është zbuluar edhe vrasja e një shtetasi në Itali. Elemente të krimit të organizuar shqiptar kanë gjetur mbështetje në Itali, duke krijuar modele bashkëpunimi, duke avancuar dhe modernizuar mënyrat e kryerjes së veprave kriminale. Nuk mund të flasim për një kombësi të krimit të organizuar, por për fenomenin e krimit të organizuar, ndaj bashkëpunimi ynë është i domosdoshëm.


Lajmi kryesor:

SPAK aksion me Antimafian e Barit, 10 arrestime për pastrim parash! Goditet grupi i Igli Kamberit, u kap në 2025 për vrasje! Sekuestrohen 1 mln euro cash, shoqëri, makina e llogari bankare (EMRAT)