Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaruan në analizën me drejtues të prokurorive të rretheve dhe drejtorëve të Policisë së Qarqeve se "ekziton vullnet dhe kapacitete për të vijuar luftën e përbashkët kundër krimit dhe korrupsionit".
Gjatë diskutimeve u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet strukturave hetimore, si edhe u prezantuan problematikat teknike, për të cilat është e nevojshme marrja e masave në nivel qëndror dhe lokal.Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm, evidentuan se ekziston një vullnet i përbashkët për të punuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë këndvështrim, dy zyrtarët e lartë vlerësuan se, edhe fakti që diskutohen hapur problematikat konkrete, është një shenjë pozitive se ndërmjet institucioneve ka frymë konstruktive bashkëpunimi dhe kapacitete për të gjetur zgjidhje.
Në kuadër të bashkërendimit të punës hetimore, Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Adnan Xholi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, prezantuan situatën aktuale, ku u vu theksi në rezultatet konkrete të deritanishme, si edhe në nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, sidomos në nivel lokal.
Llalla u shpreh se në muajin Maj 2014, prokuroria shqiptare dhe Policia e Shtetit vendosën një standart komunikimi, i cili ka dhënë rezultate konkrete dhe të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit." Ky angazhim i përbashkët është shoqëruar me aksione dhe hetime të suksesshme. Natyrisht, një vend kryesor kanë ndërhyrjet policore dhe hetimet në zonën e Lazaratit dhe Dukagjinit, kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Gjithashtu, ka pasur edhe raste të tjera, të cilat janë vlerësuar jo vetëm nga faktorët vendas, por edhe partnerët ndërkombëtarë", evidentoi ai.
Kryeprokurori evidentoi faktin se Policia e Shtetit, në disa qarqe, ngre shqetësimin që jo në çdo rast u delegohen për hetim çështje që referohen nga strukturat e tyre. Ndërkohë, nga ana prokurorëve, ngrihet shqetësimi që ka lëvizje të shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore të ngarkuar me hetimin e rasteve të ndryshme, gjë që ndikon në shpejtësinë dhe cilësinë e veprimeve hetimore. "Për problematika të kësaj natyre, por edhe për të tjera çështje të përditshmërisë, siç janë mungesa e ekspertëve autoteknikë apo lëvizja e laboratorit kriminalistik, është rënë dakord në nivel qëndror për t'u zgjidhur brenda një kuadri të pranueshëm", sqaroi më tej Llalla.
Në përfundim Kryeprokurori nënvizoi se ndërmjet prokurorisë dhe policisë ka një komunikim intensiv, i cili nuk ka qenë në këtë nivel vite më parë./ATSh/