Prokuroria e Fierit thotë se gjatë vitit 2025 ka ulur ndjeshëm numrin e kërkesave për masën e sigurimit “arrest me burg”, duke e çuar atë në 40% të totalit të masave të sigurimit, nën mesataren kombëtare.
Të dhënat u bënë publike gjatë analizës vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ku morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, Zv.Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Erind Gërmenji, Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Genti Xholi, Zv.Kryetari i Gjykatës, z. Noel Veizi, Drejtuesi i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Erion Ahmeti, Kryetari i Dhomës së Avokatisë Fier, Z. Ermal Hamataj, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera në nivel vendor dhe qendror.
Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2025 janë shënuar rezultate në hetimin e veprave penale kundër jetës dhe shëndetit, si edhe në zbatimin e ligjit “Antimafia”, ku janë kryer sekuestrime dhe konfiskime me vlera të konsiderueshme. Në raport u theksua gjithashtu se janë përfunduar më shumë çështje sesa janë mbartur për vitin pasardhës, ku pjesa më e madhe e dosjeve janë dërguar për gjykim.
"Gjatë diskutimit mbi performancën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë vitit 2025, u vunë në dukje arritje të rëndësishme që lidhen me hetimin me sukses të veprave penale kundër jetës dhe shëndetit, zbatimin me sukses të ligjit “Antimafia”, duke u bërë sekuestrime dhe konfiskime në vlera të konsiderueshme, uljen e numrit të kërkesave për caktimin e masës së sigurimit “arresti në burg”, duke shkuar në 40% të numrit të përgjithshëm të kërkesave për caktimin e masave të sigurimit, nën mesataren e vendit; përfundimi i më shumë çështjeve se sa janë mbartur për vitin pasardhës, ku numrin më të madh e zëna ato të dërguara për gjykim; si dhe respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të personave nën hetim e të subjekteve të tjerë procedurale" thuhet në njoftim.
Prokuroria vlerësoi edhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera hetimore.
"Në arritjet e mësipërme rol të rëndësishëm ka pasur bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera hetimore, të cilave ligji u njeh atributet e policisë gjyqësore" thuhet në analizë, ku ndër të tjera u evidentuan edhe problematika.
Mes tyre janë procedimet penale të mbartura prej shumë vitesh, hetimet për pastrimin e parave, mungesa e ambienteve të përshtatshme të punës dhe nevoja për shtim të burimeve njerëzore. Ndër prioritetet kryesore për periudhën në vijim, Prokuroria e Fierit renditi forcimin e luftës kundër kriminalitetit, hetimin e korrupsionit, krimeve ekonomike, trafiqeve të paligjshme, krimeve seksuale dhe narkotikëve, si edhe shtimin e konfiskimit të pasurive me burim kriminal.
Komente










