Hakerat iranianë të Homeland Justice kanë pretenduar se kanë kryer një sulm kibernetik ndaj Shqipërisë kundrejt sistemeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas tyre, kanë arritur të sigurojnë të dhëna e dokumente gjyqësore. Për këto pretendime, ka reaguar Gjykata e Lartë duke u shprehur se faqja zyrtare apo sistemi i brendshëm nuk janë hakeruar. Megjithatë, thotë se sipas pretendimeve të Homeland Justice, është sulmuar faqja gjykata.gov.al, e cila menaxhohet nga KLGJ.
"Përshëndetje! Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë, nuk ka pësuar sulm kibernetik, por sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, ka pësuar sulm kibernetik faqja gjykata.gov.al e cila është në menaxhimin e plotë të KLGJ, dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë", thotë reagimi.
Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar gjithashtu se deri në këtë moment, verifikimet nuk kanë konstatuar hakerim. Situata është nën monitorim.
“Për shkak të interesit në lidhje me hakerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë komprometuese deri në momentin që flasim në formën e hakerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”, shprehet prokuroria.
Rreth një javë më parë, hakerat thanë se kishin sulmuar Postën Shqiptare për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me muxhahedinët (opozitën iraniane), një pjesë e të cilëve ndodhen në kampin në Manëz të Durrësit. Paraprakisht, ekspertët nuk janë në dijeni që grupi iranian të ketë marrë të dhëna të rëndësishme dhe se shërbimet e postës kanë akses të plotë në to.
Më 10 mars, Homeland Justice sulmoi edhe Kuvendin duke publikuar email-e të deputetëve ku përfshiheshin njoftime për seancat plenare apo kalendari i punës.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, përmes një njoftimi zyrtar ka rrëzuar pretendimet e “Homeland Justice” për sulm kibernetik të institucioneve shqiptare.
Në njoftim shkruhet se materiali që po qarkullon është komunikim zyrtar i AKSK drejt infrastrukturave kritike të informacionit. Pra, nuk është një komunikim i klasifikuar.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) sqaron opinionin publik se pretendimet e publikuara së fundmi mbi një komprometim të institucionit tonë, janë të pavërteta.
Materiali i qarkulluar përbën një komunikim zyrtar të AKSK drejtuar infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në kuadër të bashkëpunimit institucional, dhe nuk është komunikim i brendshëm.
AKSK vijon të operojë normalisht dhe mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë kibernetike, si dhe në informimin e saktë dhe transparent të publikut.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK“, thuhet në njoftimin zyrtar.
Komente











