Prokuroria shqiptare certifikon pafajsinë e ish-guvernatorit Ardian Fullani. Teksa data shënon 26 Janar 2016 kanë kaluar plot 1 muaj e tre ditë nga afati që Prokuroria kishte në dispozicion për të dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar pafajsinë e fituar nga Fullani.

ReportTv ka kontaktuar me zyrën e shtypit të Gjykatës së Tiranës ku depozitohet rekursi dhe 3 ditë pasi ka skaduar afati prej 1 muaj konfirmohet se ende nuk është depozituar asnjë rekurs.

Mos depozitimi brenda afatit i rekursit nga Prokuroria certifikon në këtë mënyrë pafajsinë e Fullanit pasi dhe nëse Prokuroria do të kujtohet për rekurs e ka humbur të drejtën me kalimin e një muaji.

Më 23 dhjetor 2015 Fullani fitoi pafajsinë dhe në Gjykatën e Apelit, ndërsa aty u rrëzua kërkesa e prokurorisë për dënimin e tij. Pak ditë më parë zyra e shtypit pranë prokurorisë së përgjithshme deklaroi se do të depozitonte sëshpejti rekursin, por me sa duket kryeprokurori Adriatik Llalla teksa është nisur për vizitë zyrtare në Kroaci ka vendosur të mos ketë rekurs për Fullanin.

Pafajsia e ish Guvernatorit Fullani është një ndër dosjet që ekspertët e BE-s kanë kërkuar të studiojnë e për këtë arsye i janë drejtuar Llallës me një kërkesë pak ditë më parë.

Kjo është nga të paktat raste kur Prokuroria nuk bën rekurs të pafajsisë, por mbetet për tu parë nëse do të ketë një shpjegim apo reagim për rastin e ish Guvernatorit të akuzuar për shpërdorim detyre me pasoja të rënda.
 
Terren të hapur për vjedhjen
Vendimi i parë i pafajësisë për Ardian Fullanin u dha nga gjyqtari Artan Gjermeni, i cili rrëzoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani për të dënuar Fullanin me 5 vite burg, konvertuar me 3.2 vite pas gjykimit të shkurtuar. Në seancën e pretencës në Gjykatën e Tiranës, organi i akuzës argumentoi se Fullani nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit Mbikëqyrës, duke i lënë terren të hapur vjedhjes së parave nga thesari i shtetit, vepër për të cilën është dënuar Ardian Bitraj,-ish-përgjegjësi i arkës stok dhe kolegia e tij Mimoza Bruzia.

Abuzimi me “Dajtin”
Ndërkohë në lidhje me akuzën e dytë që rëndon ndaj Fullanit, Prokuroria e Tiranës tha se tenderi për blerjen e Hotel “Dajtit” 30 milionë euro, ishte formal, pasi u bë pasi hoteli ishte blerë. Prokuroria kërkoi 5 vite burg për ish-kreun e Bankës së Shqipërisë, por ky dënim u ul me 1/3 pasi Ardian Fullani ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

Organi procedues çmon se megjithë procedurën e ndjekur, prokurim i drejtëpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit, të gjitha këto veprime kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, datojnë ditë më vonë se Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë dhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme.

Organi procedues konstaton dhe se vlerësimi i ish–Hotel Dajtit, së pari është kryer nga ekspertë të kontaktuar dhe caktuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, duke mos u kryer asnjë vlerësim nga blerësi Banka e Shqipërisë, përfaqësuar nga personi nën hetim dhe se ky vlerësim është bërë me metodën e fitimit, dukë përllogaritur vlerën e pasurisë si një hotel, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi si hotel.


Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)