TIRANË, 18 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda burgim të përjetshëm për Artur Kuliçin, që në 2013-ën vrau me armë zjarri në një lokal nate një balerinë.
Lajmi bëhet me dije nga Prokuroria e cila njofton se shtetasi Artur Kuliçi, akuzohet për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" me pasojë vdekjen e shtetases Sonila Dervishi (Tafa), ngjarje e ndodhur në 5 prill 2013, në një lokal nate në periferi të Tiranës.
Gjatë gjykimit, bënë të ditur prokuroria, ka rezultuar se i pandehuri, i cili është hetuar me masë sigurie "arrest në burg në mungesë", pas një konflikti fizik në ambientet e lokalit  me disa shtetas të tjerë, në shenjë hakmarrje, ka pritur sapo personat kundërshtarë kanë dalë nga lokali dhe u ka qëlluar me armë zjarri në oborrin e ambientit. Nga të shtënat ka mbetur e vdekur shtetasja Sonila Tafa, si edhe është plagosur shtetasja R.K, të cilat nuk ishin objektiv i sulmit me armë nga i pandehuri.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar me një automjet, i cili më pas është gjetur në shtëpinë e një mikut të tij. Nga ky moment, autori Artur Kuliçi është larguar dhe nuk është bërë i mundur ndalimi i tij./m.m/