TIRANE- Edhe Prokuroria, si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë, paraqet një sërë problemesh serioze që janë evidentuar në analizën e sistemit të drejtësisë. Ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas kanë konstatuar se një prej shqetësimeve kryesore është se Prokuroria nuk i përgjigjet gjendjes se kriminalitetit, atij të organizuar dhe korrupsionit në veçanti.

Për këtë janë evidentuar disa faktorë që lidhen me funksionimin raportet me policinë gjyqësore rekrutimin, karrierën dhe pavarësinë e prokurorëve. Kësisoj, raporti verën se “emërimi dhe shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm në vazhdimësi ka qenë objekt i kritikave për një proces të politizuar.

Ndryshimi i formulës konsensuale për zgjedhjen e Presidentit që emëron dhe shkarkon prokurorin me pëlqimin e Kuvendit si dhe shumica e thjeshtë që kërkohet për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk jep garancitë e duhura që ai të jetë i pavarur nga shumica propozuese”. Funksionimi i Prokurorisë sipas hierarkisë ka shkaktuar pasoja të dëmshme në veprimtarinë saj.

Pavarësia e prokurorëve me drejtuesin, thuhet në raport, është e kufizuar duke u kthyer në zbatues të urdhrave të eprorëve. Raporti veçon se “karriera e prokurorit në Shqipëri nuk është e garantuar dhe se motivimi financiar është në nivele shumë të ulëta në raport me standardin e jetesës”.

Pragu i moshës 25 vjeç për tu emëruar prokuror është shumë i ulët”, thotë dokumenti analitik i sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, dokumenti konstaton probleme edhe sa i takon edhe radhëve të policisë gjyqësore, që vlerësohet për një nivel shumë të ulët profesional. Kontrolli i Prokurorit mbi hetimet gjithashtu mbetet mjaft i dobët. Organizimi i policisë gjyqësore në seksione pranë prokurorisë dhe policisë mbetet hallka më e dobët e një procesi penal. Probleme raportohen edhe në bashkëpunimin mes policisë gjyqësore dhe prokurorisë, të cilat në mjaft raste kanë dëmtuar rezultatin e hetimeve.
 
Reformimi
Në draft – strategjinë e bërë tashmë publike nga grupi i ekspertëve, parashikohet reformim i thellë i institucionit të Prokurorisë. Përveç ndryshimeve ligjore, reforma do të prekë edhe formulën e emërimit, shkarkimit apo kufizimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Aktualisht, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet përmes një formule që i jep të drejtën e propozimit Presidentit të Republikës dhe më pas miratimi bëhet nga parlamenti. Por me amendimet që pritet t’i bëhen ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, procedura do të ndryshojë. Në dokumentin strategjik është propozuar që të drejtën e propozimit fillestar do ta ketë Këshilli i Prokurorisë, që do t’i përcjellë Presidentit dy emra të kualifikuar, nga të cilët ai duhet të zgjedhë njërin prej tyre. Ky ndryshim bëhet me qëllim që të evitohen problemet lidhur me garancitë që duhet të japë Presidenti i Republikës në procesin e emërimit të Prokurorit.

Njësoj si me problemet e hasura në aspektin e funksionimit të KLD-së dhe emërimit të gjyqtarëve, në një kohë kur Presidenti është një produkt jokonsensual. Në draft-strategji parashikohet forcimi i kritereve të emërimit të Prokurorit si dhe riorganizimin e institucionit në funksion të sigurimit të pavarësisë së mjaftueshme të strukturave të veçanta të prokurorisë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)