Promovohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë libri me dokumente ‘Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë’

Promovohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë libri me dokumente ‘Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë’

Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në praninë e Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe akademikëve e studiuesve u promovua libri me dokumente “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë” (dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë/ 1980-1986/ 1986), një vepër dyvëllimëshe me dokumente e përgatitur nga studiuesit Skënder Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai dhe Besnik Rameti dhe e botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, iu shprehu mirëseardhjen studiuesve nga Shkupi dhe i vlerësoi botimet për rëndësinë dokumentare, për zbardhjen e disa të vërteta historike të domosdoshme.

Akad. Gjinushi theksoi se përmes këtij promovimi, ASHSH-ja dhe ITSHKSH-ja po vendosin ura të mira bashkëpunimi.  Folën përgatitësit e veprës Skënder Asani dhe Sevdail Demiri.

 “Sot në Tiranë kemi ardhur me një impenjim të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e KIulturore të Shqiptarëve në Shkup të nisur vite më parë. Ajo çka e bën të veçantë punën tonë hulumtuese gjatë përgatitjes për shtyp të këtyre dosjeve, është fakti se ky material voluminoz është siguruar nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë, një favor ky jashtëzakonisht i dobishëm për vërtetësinë dhe autenticitetin e lëndëve arkivore, të cilat morën formën e këtij botimi dyvëllimësh, me intencë që në javët dhe muajt në vazhdim të përgatisim edhe dhjetëra vëllime të tjera nga materia e njëjtë.

Ky botim dyvëllimësh që sot po vjen para jush, sigurisht që do të jetë objekt hulumtimesh të shumta nga historianët, sociologët, politologët, të cilëve iu bie barra të ndajnë shapin nga sheqeri duke ofruar një qasje krejt të re, objektive dhe të liruar nga çfarëdolloj  manipulimi, siç ka ndodhur në raste të caktuara, kur dosjet më tepër janë përdorur për të shantazhuar individë, sesa për të zbërthyer enigmat e kohës. Dosjet e tilla ende ruhen në Shkup, Beograd dhe në Lubjanë, prandaj çdo tendencë manipulimi që mund të hasni, ta dini që burimin e ka në këto tri qendra”- tha Asani.

Me këtë hulumtim lidhet edhe një arsye tjetër që ka të bëjë me periudhën kohore të viteve 1980-‘86, periudhë kjo mjaft delikate, e cila ka qenë e kërcënuar edhe nga rreziku i  ndërprerjes së vazhdimësisë së lëvizjes ilegale shqiptare. Por, fatbardhësisht kjo nuk ndodhi dhe erdhi deri te një riorganizim  edhe më i madh që rezultoi me aktivitete e veprime të suksesshme, që u kurorëzuan me rezistencën e armatosur të UÇK-së në vitet 1998/99  dhe me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999. Shpresojmë që ky projekt, i nisur të vazhdojë me botimin e vëllimeve të tjera, ku do të shpalosen një varg aktivitetesh e protagonistësh të ilegales shqiptare, të cilat do t’i përmbledhim në njësi të veçantë tematike dhe përmbajtësore

Sevdail Demiri tha se “Shqipëria dhe dija shkencore gjithmonë ka qenë frymëzim për ne shqiptarët, që gjatë furtunave historike u gjendëm të ndarë andej kufirit. Prandaj sa herë që vijmë këtu në atdheun tonë, qoftë edhe për vizita të zakonshme ndjehemi si në shtëpinë tonë! Mirënjohje për ndërtuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për mundësinë e dhënë për të bërë këtë prezantim të sotëm.”

Demiri theksoi se : “Këto dy vëllime në të vërtetë janë dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, me qendër në Beograd, që e kapin harkun kohor të viteve turbulente 1980-1987.

Sigurimi Shtetëror Jugosllav jep të dhëna më të detajuara për 152 grupe dhe organizata ilegale shqiptare të zbuluara gjatë viteve 1980-1987, me gjithsej 1.740 anëtarë, ku numrin më të madh e përbëjnë rinia, nxënësit dhe studentët (plot 940 sosh). Për të gjithë të akuzuarit e të dënuarit në forma të ndryshme, jepen të dhëna të shkurtra biografike si dhe përshkrimi i veprës me të cilën ngarkoheshin. Siç edhe pranohet nga vetë sigurimsat jugosllavë, realisht ka pasur edhe shumë më tepër persona të angazhuar në veprimtarinë e tillë ilegale, por që pushteti nuk kishte arritur t’i zbulojë. Me fjalë të tjera, i bie se gati në çdo qytet, fshat, lagje e familje atdhetare shqiptare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, ishte ndezur kandili i qëndresës kolektive kombëtare antijugosllave, që kishte për qëllim lirinë dhe pavarësinë.”

Pas referateve, u zhvillua edhe një debat rreth veprës, por edhe temës së vjeljes së arkivave për ta zbardhur rolin e organizatave ilegale shqiptare, por edhe për rolin e shtetit shqiptar në periudhën e ish sistemit.

Siç do të vërehet në këto dokumente shumica e veprimtarëve të lëvizjes ilegale ishin të vendosur dhe të përkushtuar në kauzën e tyte të drejtë, andaj sado që pushteti jugosllav i burgoste, i torturonte dhe i vriste me metoda më perfide, ata nuk zmbrapseshin nga qëllimet e idealet e tyre dhe në vend se kjo lëvizje të ngulfatej nga presioni sistematik i pushtetit, në realitet ndodhte e kundërta. Radhët e tyre shtoheshin nga dita në ditë, dhe ishin bërë digë e fuqishme për të çuar përpara ditën e çlirimit dhe bashkimit kombëtar.- tha Sevdail Demiri.

Akad. Shaban Sinani, sekretar i ASH dhe studiues të tjerë diskutuan rreth fakteve të shkruara në këtë libër. Promovimi u moderua nga sekretari shkencor i ITSHKSH, dr. Sefer Tahiri.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë