Shkrimtari Imer Merlika promovoi në qytetin e Krujës librin e tij të pestë me titull “Vdekja është karrierë”. Libri ndërtohet mbi tre linja kryesore: historia e periudhës postkomuniste dhe dëshmi origjinale të kohës, rrëfimi mbi jetën e autorit dhe përballimin e sfidave me përkushtim e maturi si shembull për brezat, si edhe pjesa e tretë, “Letrat”, ku autori vetëmotivohet duke i shkruar vetes në moshën 14-vjeçare për kohën kur do të jetë 60 vjeç.
Në këto letra ai i vendos vetes synime, frymëzim dhe detyra, ndërsa në dy letrat e tjera u lë këshilla dhe mesazhe pasardhësve të tij për moshën 100 dhe 150 vjeçare. Pedagogë dhe analistë të pranishëm folën për vlerat e librit.
“Pyetja e parë që i bëra Imerit ishte përse zgjodhi këtë titull. Kemi të bëjmë me një shpjegim të qartë të realitetit që kemi kaluar. Është historia jonë, autobiografia dhe amaneti. Është një rrëfim i fortë njerëzor dhe politik, ku historia personale ndërthuret me tranzicionin shqiptar” tha një prej tyre.
Vetë autori përcolli mesazhin e tij gjatë promovimit.
“Unë nuk di të flas me gjuhën e teologjisë. Në përmbajtje të tij do të hasni terma metaforikë. Gjatë shfletimit do të lexoni për një kalvar të kaluar ku tregohen vlerat njerëzore që vërtetojnë se vdekja është karrierë” tha ai.
Gjatë aktivitetit u lexuan edhe pjesë nga libri, kryesisht nga seksioni “Letrat”, drejtuar vetes dhe brezave pasardhës.
Profesorë, akademikë, gazetarë dhe të ftuar të tjerë vlerësuan librin “Vdekja është karrierë” si një botim me reflektime personale, historike dhe filozofike.
Imer Merlika është autor i disa analizave dhe botimeve, mes tyre edhe katër libra të tjerë: “Anglishtja – guidë përmbledhëse shqip-anglisht”, libri akademik “Formësimi Politiko-Juridik i Bashkimit Europian”, libri autobiografik “Shteti autor krimesh” dhe “Bota e Kajlës”.
Komente










