Pronarët e bizneseve në Turqi, të shqetësuar nga zhvlerësimi i lirës

Pronarët e bizneseve në Turqi, të shqetësuar nga zhvlerësimi i lirës

Lira turke

Më 30 nëntor, lira turke arriti normën e saj më të ulët që nga viti 1994, prej 14 lirash kundrejt dollarit amerikan. Ky është një zhvlerësim i madh krahasuar me tremujorin e fundit të një viti më parë, kur një dollar amerikan shkëmbehej mesatarisht me 8 lira turke.

Pronarët e bizneseve në Turqi thonë se është e vështirë të vazhdohet puna në këtë mjedis, sepse zhvlerësimi i lirës ka bërë që çmimet të rriten shumë.

“Në këto ditë tregu është plotësisht i bllokuar. Jemi vërtet në një pozitë, ku nuk mund të bëjmë biznes. Kjo është kuptuar edhe nga konsumatorët tanë”, thotë Husamettin Akinci, pronar i një dyqani celularësh.

Çmimet e mallrave bazë si mielli, vaji dhe sheqeri janë rritur në të gjithë vendin.

“Kemi rritur çmimin e bukës me 21% ndërsa shpenzimet tona janë rritur me 40%. Tani për tani, ne thjesht po përpiqemi të ruajmë jetesën tonë”, thotë Huseyin Sagir, pronar i një furre buke.

Zhvlerësimi i lirës turke kundrejt dollarit amerikan po ndikon në një gamë të gjerë biznesesh, përfshirë sektorin e ndërtimit, sepse çmimet e materialeve janë në dollarë.

“Rritja e vlerës së dollarit ndikoi drejtpërdrejt në çmimin e hekurit, çimentos dhe blloqeve të ndërtimit. Duke qenë se këto u prekën drejtpërdrejt, kontraktorët ngadalësuan biznesin e tyre në industrinë e ndërtimit. Niveli i shitjeve bie në mënyrë të pashmangshme dhe kjo ngadalëson biznesin e tyre”, thotë Hisman Ozer, furnizues i materialeve të ndërtimit.

Ekspertët thonë se zhvlerësimi i ri i lirës u shkaktua nga njoftimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se ai do të ulte normat e interesit.

Banka Qendrore e Turqisë ka ulur tashmë tre herë normat e interesit që nga shtatori sipas direktivave të Erdogan, duke ringjallur frikën për pavarësinë e bankës.

"Bota e di se nuk i dua normat e larta të interesit. Unë kurrë nuk kam qenë mbështetës i normave të larta të interesit dhe nuk do të jem mbështetës i rritjes së tyre", tha presidenti turk.

Erdogan beson se normat e larta të interesit po shkaktojnë inflacion. Mbajtja e normave të interesit në nivele të ulëta, thotë ai, do të stimulojë rritjen ekonomike.

Por disa analistë thonë se pikëpamjet e Erdogan janë jokonvencionale, duke patur parasysh se norma e inflacionit të vendit është mbi 21%, bazuar në raportin e zyrës së statistikave të Turqisë, të publikuar më 3 dhjetor.

"Nuk është në të vërtetë një çështje ekonomike. Ajo vjen nga diku tjetër. Nuk vjen nga ekonomia, sepse në ekonomi, ne të gjithë e dimë se nëse rrit sasinë monetare në qarkullim, rritet inflacioni dhe më pas gjëja e fundit që ndodh është rritja e normave të interesit. Pra, kjo është një sekuencë normale. Ai e ka përmbysur këtë sekuencë", thotë Steve Hanke, profesor i ekonomisë në Universitetin Johns Hopkins.

Pavarësisht rënies së vlerës së monedhës me gati 45 për qind këtë vit, të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia e Turqisë u rrit me 7.4 për qind në tremujorin e tretë.

Presidenti Erdogan e sheh këtë si një sukses të politikës së tij, por ekspertët paralajmërojnë se rënia e lirës dhe rritja e çmimeve mund të frenojnë rritjen ekonomike.

“Nëse qeveria nuk ndryshon politikën e saj, lira do të vazhdojë të bjerë dhe inflacioni do të vazhdojë të rritet. Kjo do të shkaktojë rritjen e tensioneve në publikun e gjerë”, thotë profesori Steve Hanke.

Në shumë qytete, përfshirë Stambollin, ka patur protesta kundër zhvlerësimit të lirës turke, në të cilat u kërkua edhe dorëheqja e qeverisë.

Grupet e opozitës kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, por presidenti Erdogan deri më tani i ka hedhur poshtë ato, duke këmbëngulur se vendi do të mbajë zgjedhjet në vitin 2023, ashtu siç ishte planifikuar.

Ndërkohë, pronarët e bizneseve presin me shqetësim reagimin e tregjeve ndaj politikave të qeverisë për normat e interesit./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore