Pronarët e lokaleve të dasmave në Lezhë kanë dalë në protestë këtë të martë, pasi pretendojnë se ashpërsia e policisë po bëhet vetëm ndaj subjekteve në Bashkinë e Lezhës, por nuk ndodh kështu në Kurbin e Mirditë.
Sipas tyre, ka selektivitet dhe mosrespektim të aktit normativ në mënyrë të barabartë, pasi ka edhe qytete të tjera, ku dasmat zhvillohen normalisht. Më tej ata shtojnë se qytetet e tjera po marrin dasmat e anuluara nga lokalet në Lezhë.
Këta biznese kanë kërkuar vlerësim të situatës dhe trajtim të njëjtë për të gjitha subjektet në të gjithë vendin. Pas situatës së krijuar dhe mbylljes përfundimtare të këtyre bizneseve, pronaret e tyre kërkojnë që qeveria të rishikoje paketën e mbështetjes financiare edhe për ta.
Vetëm gjatë 2 javëve të fundit në Lezhë janë ndëshkuar 12 subjekte që ushtronin aktivitet publik duke realizuar dasma, por nuk ka asnjë të ndëshkuar në Kurbin dhe Mirditë.