Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Tabaku tha se "kryeministri Edi Rama, mashtroi të gjithë shqiptarët në datën 7 qershor, duke thënë se u shty me një vit kohë, afati për pezullimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve që kanë kaluar në Strasburg. Kështu që, pronat kanë zënë vend në listën e dështimeve të 300 ditëve të kësaj qeverie"
Ajo pohoi se Gjykata Europiane e të Drejtave te Njeriut pasi shqyrtoi Plan -Veprimin e pronave të paraqitur nga Qeveria, vendosi jo vetëm të mos merrte në konsideratë kërkesën per shtyrjen 1 vjecare, por madje ka shprehur shqetësimin e saj se gjatë viti të fundit, nuk është bërë përpjekja më e vogël në lidhje me zbatimin e vendimit pilot, të Rezolutës së Ndërmjetme të Qershorit 2013.
"Gjykata, vëren se masat e parashikuara në Plan- Veprimin e paraqitur nga Qeveria, nuk sjellin asnjë risi dhe nuk përmbajn asnjë masë të ndryshme nga ato të parashikuara në Strategjinë e Pronës të vitit 2012, apo në Plan- Veprimin e vitit 2011. Plan Veprimi i paraqitur së fundi, për më tepër nuk tregon se cili është mekanizmi efektiv i ndërtuar për të bërë të mundur zbatimin e vendimit pilot. Në këto kushte, Gjykata ka vlerësuar se: "Nuk do të ishte në interes të administrimit të drejtë të drejtësisë shtyrja e afatit për trajtimin e kërkesave të reja, apo të kërkesave që janë lënë pezull nga Dhjetori i vitit 2012", deklaroi Tabaku./a.g/