Pronat, shtyhet afati me një
vit në Gjykatën e Strasburgut

Pronat, shtyhet afati me një<br />vit në Gjykatën e Strasburgut
TIRANE- Kthimi i pronave është shtyrë me një vit në Gjykatën e Strasburgut. Në debatin e djeshëm në aulën e Kuvendit, kryeministri Edi Rama theksoi se pas diskutimeve është arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut që kthimi dhe kompensimi i pronave të shtyhet me një vit duke përgëzuar ministrin e Drejtësisë për hartimin e një plani konkret për procesin e kompensimit të ish-pronarëve.

Debati
Pavarësisht se Partia Demokratike u largua nga salla e Kuvendit, aleatja e saj Partia Republikane, qëndroi në sallë për të debatuar për draftin e ish-të përndjekurve politik, por që debati u spostua te çështja e ish-pronarëve. Në fjalën e tij, kreu i PR-së, Fatmir Mediu akuzoi qeverinë se nuk po merr asnjë masë për të kompensuar ish-pronarët. “Qeveria ka miratuar një marrëveshje me FMN-së për të bërë shlyerjen e detyrimeve për borxhet e prapambetura dhe kjo është një nismë që duhet përshëndetur, por për ish-pronarët çfarë do të bëhet?”,- theksoi Mediu.

Kjo ishte zanafilla e debatit të ashpër ndërmjet Ramës dhe Mediut. Në replikën e tij, kryeministri Rama theksoi se i gjithë meraku i kreut të PR-së ishte shkarkimi i Agim Toros nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku sipas Ramës, ai ishte një nga personat që ka pretenduar për të përfituar sa më shumë prona nga procesi i kompensimit fizik. “I kanë marrë votën 20 vjet rresht duke bërë sikur e përfaqësojnë, e morën kuvendin 1 orë për të mos thënë asgjë. E dimë që e kemi prejardhjen nga iliret, edhe më thellë nga pellazgët, por i vetmi që pretendon se rrjedh direkt nga familje ilire, është nënkryetari komisionit të kthimit të pronave, pronari i parkut të Butrintit, i vetmi pronar në botë i një amfiteatri të trashëguar nga antikiteti, i vetmi që mund të provojë se rrjedh nga antikiteti, krah për krah me kryetarin e PR-së.

E kuptoni se çfarë ka mbajtur Shqipëria në qafë 8 vjet rresht apo jo. Kanë dalë pronar kalash, kishash e xhamish që provojnë se kanë rrjedhur nga andej, kur kanë zbritur tjetër kund. Një fakt tjetër rrënqethës që duhet t’iu bënte të kërkonit ndjesë, është harrimi i dosjes së atyre që për 20 vjet i keni zvarritur nëpër gjyqe. Shqipëria juaj dixhitale nuk kishte lidhje me pronarët, nuk kishte lidhje me pronat”,- deklaroi Rama. Por pas kësaj, kreu i PR-së kërkoi nga Rama që të fliste me fakte duke pohuar se Rama ka deklaruar në një studio televizive se nuk ka lidhje me pronat. ““Është shumë e rëndësishme që kur flisni të bazoheni në fakte, por ju e keni zakon që çdo njeri e nëpërkëmbni.

Ai zotëri i nderuar (Agim Toro), që është marrë me çështjen e pronës gjatë gjithë jetës së tij, prona iu kthye në vitin 2003, gjatë kohës së qeverisjes socialiste. Por, z. kryeministër, kemi qenë bashkë në një studio televizive, kur u shprehët për pronarët se “Nuk merrem me ta pasi nuk jam parti e pronarëve”. Janë sjellë 9 projektligje në Kuvend për çështjen e pronës, të cilat në asnjë rast unë si deputet apo si grup i Partisë Republikane nuk i kam votuar, për të mos dëmtuar interesat e pronarëve. Vullneti im ka qenë kundër ligjit 7501 për tokën”, iu drejtua deputeti republikan kryeministrit Edi Rama.

Por kjo solli edhe reagimin e Ramës i cili pohoi se: “Po ti je mësuar ta marrësh fjalën vazhdimisht me pronarët dhe të bësh sikur i mbron. Unë mund ta marr dhe me qetë se nuk u kam thënë pronarëve 20 vjet që do ju kthej pronat, dhe s’kam mik pronar të teatrit të Butrintit. Dhe këto janë faktet, gjendja e kthimit të pronave, inventarit të pronave, është akuza më e fortë që ju bëhet ju si pushteti i djeshëm që duhet të kishit marrë pronat me kohë e vakt dhe vini këtu e flisni për Strasburgun, Europën”.
 
Debati për të përndjekurit
Rama: Alokuam fondin më të madh, jeni shëmbëlltyra e komunizmit
Debati ndërmjet Ramës dhe Mediut u bë edhe për çështjen e ish-të përndjekurve politik. Duke akuzuar qeverinë e mëparshme, Rama theksoi se qeveria ka miratuar fondin më të lartë për kompensimin e ish-të përndjekurve politik në këto 20 vite duke përjashtuar vitin 2013 që sipas tij, ishte një vit elektoral dhe fondi u alokua për shkak të votave. “Janë 2027 dosje të verifikuara, të pranuara qe duhet të merrnin paratë e dëmshpërblimit, edhe dosjen e atij që u dogj dhe ju nuk i keni marrë parasysh, se forca juaj, pushteti juaj, nuk ka lidhje me vuajtjet e regjimit komunist, zero.

Ju jeni shëmbëlltyra e karikaturave të regjimit, mbeturinat më të shëmtuara të regjimit komunist, duke lënë për më shumë se 20 vjet këtë lloj mbeturine, që kalbëzon demokracinë, me në krye atë që j’u merr ju për hunde. Unë nuk e dija ku ishe zotrote kur digjej i gjallë një ish-i përndjekur politik, nuk të pashë as ta qaje. Kemi akorduar buxhetin më të madh për ish të përndjekurit duke përjashtuar vitin që lamë pas, pasi kishit hall se mos nuk j’u jepnin votën. Ju i keni gënjyer përmes mësimeve të asaj partie që pretendoni se e rrëzuat ju. Jeni ju dëshmi e gjallë që në Shqipëri ka pasur regjim komunist”,- theksoi Rama.

Por ajo që ra në sy ishte fakti se kreu i PR-së nuk replikoi për çështjen e të përndjekurve politik, por kërkonte që të fokusonte debatin e tij vetëm tek çështja e pronave. Pavarësisht kësaj, kreu i ekzekutivit pohoi gjithashtu se qeveria ka ndërmarrë një nismë ku brenda një muaji do të restaurohet godina e ish-të përndjekurve politik, ku sipas Ramës, qeveria e Berishës nuk tentoi as të rregullojë ambientet e institucionit, duke i lënë në “lagështirën e burgjeve komuniste”. “Kryetari i institucionit të Ish-të përndjekurve politik Bedri Blloshmi më tha para pak ditësh se as godinën nuk na restauruan duke na lënë në kujtesë lagështinë e burgut që bëmë në kohën e komunizmit”, theksoi Rama.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin