Prononcimi i plotë i Ilir Metës për
mediat lidhur me paktin Rama-Basha

Z. Meta, pak më parë keni patur një takim me znj. Vlahutin dhe me z. Danielsson. Diçka më shumë rreth takimit?
Kemi patur një takim mjaft konstruktiv, bashkëpunues në vijim të bashkëpunimit tonë me Komisionin Evropian. Kemi ndarë konsideratat tona lidhur me situatën e zgjedhjeve, me zhbllokimin për fat të mirë tashmë të reformës në drejtësi dhe të zbatimit të Vetting-ut dhe në shumë aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë me BE-në.
Por dua të shpreh kënaqësinë time edhe një herë, se sot të gjithë jemi më të qetë dhe më të lehtësuar se dy ditë më parë, kur zgjedhjet dhe demokracia ne vendin tonë ishin buzë greminës.
Për këtë dua të falënderoj të gjithë ata faktorë pozitivë dhe konstruktivë, ndërkombëtarë dhe vendas, në mënyrë të veçantë BE dhe SHBA dhe gjithë aktorët e përgjegjshëm brenda vendit që dhanë kontributin e tyre për të patur zgjedhje gjithëpërfshirëse në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shkojnë të qetë drejt një procesi zgjedhor të standardeve evropiane, ashtu sikurse ata e meritojnë.
Mendoj që kjo është mjaft e rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e tij, por është mjaft e rëndësishme për të gjithë qytetarët tanë dhe për qetësinë dhe sigurinë që ata meritojnë.

Kur do të zhvillohet seanca plenare dhe a ndihet LSI-ja e rrezikuar nga kjo marrëveshje e re PS-PD?
Së pari, seanca do të mblidhet në momentin që do të jenë të gatshme të gjitha procedurat për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, e cila ka disa elementë. Pra, në momentin më të parë.
Së dyti, të gjithë shqiptarët ishin të rrezikuar nga zgjedhjet e njëanshme, nga zgjedhjet pa opozitën. Tani të gjithë duhet të jenë të qetë, sepse tani ka garë, tani ka demokraci, dhe padyshim që do të ketë edhe surpriza.

A ka humbur LSI nga kjo marrëveshje?
Dua t’ju siguroj se LSI-ja është sjellë në mënyrën më të përgjegjshme për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj krize dhe është forca e parë që ka insistuar për dialog dhe ka qenë e gatshme për të kontribuar për një zgjidhje politike dhe për të investuar në krijimin e një qeverie besimi. Tani e kemi qeverinë e besimit.

Po keni një ministri më pak...
LSI-ja ka qenë e gatshme për t’i dhënë të gjitha ministritë, edhe postet, pasi ju e dini që LSI-ja e ka fuqinë te rinia, nuk e ka tek ministritë.

U konsultuan me ju z. Meta?
Nuk ka patur asnjë arsye për t’u konsultuar me askënd nga LSI-ja. Fati i madh që vendi nuk ra në fund të greminës, por nuk është më as në buzë të greminës. Tani bulevardi është i lirë dhe demokracia ka hyrë në bulevard. Ka shumë alternativa, qytetarët do të zgjedhin, ka garë, ka demokraci, do të ketë surpriza.

Besoni se i garanton zgjedhjet e lira marrëveshja ashtu sikurse keni kërkuar ju?
Zgjedhjet nuk është se i garanton marrëveshja. Zgjedhjet do t’i garantojnë të gjithë forcat politike që do të marrin pjesë në këtë proces, sepse e kam thënë edhe më parë, se në demokraci ke të drejtë të kërkosh të drejta, por edhe duhet të luftosh për t’i garantuar të drejtat e tua.

A ishte kjo marrëveshja që do të donit ju?
Ne nuk do të donim fare krizë. Ne do të donim që marrëveshja të ishte bërë muaj më parë. T’ia kishim kursyer vendit këtë situatë të pakëndshme, këtë mungesë qetësie, dhe pasigurie, këtë mungesë edhe përgjegjshmërie për fat të keq. Por për fat të mirë bulevardi tashmë është i qetë dhe i hapur, Tirana është e qetë, Shqipëria është më e qetë dhe qytetarët tanë do të kenë mundësi të zgjedhin alternativën më të mirë, më të përgjegjshme dhe më shpresëdhënëse sipas tyre më 25 qershor.

A do ta rishikoni marrëveshjen apo koalicionin me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve?
Kjo është një pyetje për Kryetarin e LSI-së. Unë deri më 23 korrik jam anëtar i LSI-së dhe dua t’ju siguroj që do të respektoj çdo vendim nga 26 qershori deri më 23 korrik që do të marrë LSI-ja.

Z. Meta si e shikoni një bashkëqeverisje të mundshme mes PS-së dhe PD-së që po përflitet gjatë orëve të fundit dhe farë pozicioni do të mbajë LSI nëse realizohet një gjë e tillë? Çfarë do t’i këshillonit LSI-së?
Jam i bindur që LSI-ja do të jetë forcë e parë në zgjedhjet që po vijnë. Ka qenë forca më konstruktive, më e interesuar për zgjedhje demokratike dhe më e gatshmja për të sakrifikuar çdo lloj pushteti për hir të standardeve të zgjedhjeve dhe të demokracisë.

A mendoni se z. Rama po tenton të bëjë me z. Basha atë që nuk arriti të bëjë me z. Berisha në vitin 2008?
Nuk ka asnjë rëndësi, e rëndësishme është që vendi sot është më i qetë, është më i lehtësuar. Se çfarë synon njëri apo tjetri, këto janë kalkulime të ngushta partiake.
LSI është investuar për një proces zgjedhor të ndershëm, ka qenë e gatshme dhe ka ofruar gjithë postet e saj politike dhe ekzekutive në funksion të një marrëveshjeje.
Nuk ka kontribuar në tejzgjatjen e kësaj krize dhe besoj që LSI është shumë e qetë që ka parandaluar dhe ka kontributin e saj të dukshëm të qartë dhe evident, që demokracia dhe zgjedhjet të mos binin në humnerë. Sepse ky do të ishte një problem i madh për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Ju thatë se do të ketë surpriza, kush do të surprizojë kë?
Demokracia është surprizë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë surprizë. Zgjedhjet e njëanshme nuk janë surprizë.

Si e shikoni faktin se kjo marrëveshje nuk lejon krijimin e koalicioneve?
Kjo është një zgjidhje për të cilën nuk mund të jap ndonjë sqarim, sepse nuk jam ndonjë ekspert i këtyre çështjeve.
Natyrisht këto nuk janë zgjedhje perfekte, siç duhet të ishin bërë në rast se rekomandimet e OSBE-ODIHR-it do të ishin zbatuar në kohë, por ju e dini që asnjëherë nuk ka pasur vullnet për t’i zbatuar këto rekomandime në kohë, për fat të keq.
LSI-ja është një forcë plotësisht e barabartë dhe mëse e barabartë, kështu që ky nuk është një shqetësim për këtë forcë politike. Është një shqetësim për disa forca të tjera politike, të cilat kishin të drejtën e tyre për të bërë koalicion dhe për të bërë kombinimet e tyre. Por LSI duhet të jetë e qetë se nuk mban përgjegjësi për përjashtimin e kësaj mundësie për forcat e tjera politike.            

A ka ngjashmëri me atë që ndodhi në vitin 2008?
Nuk ka ngjashmëri me 2008-n, sepse jemi në realitete të ndryshme. Mund të ketë ngjashmëri me qëllime të caktuara, por nuk ka ngjashmëri midis dy realiteteve të ndryshme, kështu që të jeni shumë të qetë dhe të jeni shumë të sigurt se Shqipëria do të jetë edhe më demokratike pas 25 qershorit.

Vazhdoni t’i qëndroni mendimit që keni shprehur kur u zgjodhët President i Republikës, se ishit i palumtur, a jeni penduar që keni pranuar këtë kandidaturë duke parë se si dy nga protagonistët e krizës arritën ta zgjidhin atë?
Krizën e zgjidhën gjithë faktorët e përgjegjshëm brenda vendit dhe partnerët e përgjegjshëm jashtë vendit. Kështu që unë jam i qetë që ne evituam rënien e zgjedhjeve dhe demokracisë në humnerë.
Tani le të punojmë të gjithë për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe transparente dhe për të pasur një proces sa më dinjitoz në radhë të parë për qytetarët tanë, por edhe përpara të gjithë botës demokratike.
Sepse kredencialet demokratike të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për të ardhmen evropiane, por edhe për ndikimin e saj pozitiv në rajonin e Ballkanit.  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë