Besoj se nuk janë aq të largëta ditët sa mos të kujtohen qytetarët sa vështirë e kishin të merrnin shërbim nga policia, të bënin një denoncim e policia ta merrte seriozisht. Siç nuk janë të largëta kohët kur policia merrte para nën dorë për t’iu dhënë qytetarëve shërbimin që u takon.
Është kjo arsyeja pse, që nga dita e parë, ne e nisëm punën duke revolucionarizuar shërbimet ndaj qytetarit. Bëmë Zyrat e Shërbimit Unik. Sot Zyra e Shërbimeve në Komisariatin nr.5, siç dëgjuat, u shërben 24h/24 rreth 70 qytetarëve në ditë. Ndërkohë që janë mbi 30 mijë qytetarë që shërbehen në të gjithë Tiranën nga Zyrat e Shërbimit në Policinë e Shtetit.
Po përpiqemi të ndërtojmë një Polici që në themel të saj të ketë filozofinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Po përpiqemi të edukojmë e motivojmë punonjësit e policisë që ta rikonceptojnë detyrën e tyre si “shërbëtorë” të qytetarëve. Dhe, bashkë me Policinë e Shtetit, me punonjësit e saj, me Akademinë e re të Policisë së Shtetit, po ia dalim të edukojmë këtë frymë e të rilindim e rikthejmë Policinë e Shtetit në shërbim të qytetarëve.
Zyrat e Shërbimit Unik sot janë një sukses i padiskutueshëm, krahas Komisariatit Digjital që është një tjetër sukses i cili i jep fuqinë e Policisë së Shtetit çdo qytetari në telefonin e tij. Kjo do të thotë që e kemi sjellë shërbimin e Policisë shumë më afër qytetarit. Do të thotë që sot qytetarët e ndjejnë sa e lehtë është të investosh me një klik apo telefonatë Policinë e Shtetit në shërbimin tënd. Do të thotë që për Policinë e Shtetit që të gjithë qytetarët shërbehen dhe para ligjit janë të gjithë të barabartë.
Ju sjell për rastësi rastin më të fundit, pasi dëgjova SHQUP-in që doli në deklaratë dhe akuzoi Policinë se paskësh liruar vëllanë e një kryetari Bashkie në veri të vendit. Ndërkohë që e vërteta është që Policia në veprimet e saj u nxit nga një mesazh që mora unë në telefonin tim, në numrin personal që kam afishuar në çdo komisariat. Policia bëri detyrën – pavarësisht se personi të cilit i adresohej mesazhi ishte vëllai i një kryetari bashkie që rasti e donte të ishte përmendur në mesazh në shqetësimin e një zonje. Policia bëri detyrën, bëri verifikimin, shoqëroi personin në fjalë, dhe e la të lirë pasi u vërtetua që nuk ishte i vërtetë. Kjo tregon sesa të dedikuar jemi ne për të vënë Policinë e Shtetit në shërbim të çdo qytetari. Sa të dedikuar jemi ne për të ofruar një shërbim transparent. Dhe mbi të gjitha për të garantuar qytetarët që çdokush është i barabartë para ligjit dhe nuk ka asnjë mbi ligjin.
Pyetje: Z. Tahiri ka patur një përplasje ditët e fundit mes Policisë dhe Prokurorisë. A ka qenë në dijeni Policia për hetimet që janë zhvilluar ndaj grupit kriminal muajt e fundit? Konkretisht ndaj Emiliano Shullazit.
Ministri Tahiri: Unë nuk di që të ketë një përplasje të Policisë me Prokurorinë dhe as anasjelltas. Policia dhe Prokuroria kanë dhënë prova që dinë të bashkëpunojnë, të bëjnë ç’është e mundur për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që shkelin ligjin. Gjithashtu, do ju ftoja dhe juve të mos i frynit një fabule që nuk ndihmon kurrkënd. Nuk besoj, unë, është interesante as për ju. Por mbi të gjitha nuk është interesante as për publikun, se çfarë ndodh në marrëdhëniet ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë, për sa kohë, të jeni të sigurte, bashkëpunimi institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë, bashkëpunimi im me Prokurorin e Përgjithshëm, bashkëpunimi i drejtuesve të Policisë me drejtuesit e Prokurorisë, është mjaftueshmërisht i mirë, për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që shkelin ligjin.
Ajo që mund t’ju garantoj është se as Shullazi dhe askush nuk është mbi ligjin për Policinë e Shtetit.
Edhe çështja në fjalë në qoftë se do hulumtoni, do kuptoni që Policia e Shtetit është më e para (nuk mund të them e vetmja) që ka bërë detyrën një më një, duke respektuar çdo kriter ligjor. Këtë mund ta verifikoni fare thjeshtë dhe mund ta bëni edhe ju pjesë të vëmendjes tuaj.
Sa i takon pastaj fabulave në portale, unë besoj na intereson më shumë të gjithëve, të merremi me mundësitë që kemi për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë. Me mundësitë që kemi për t’i bërë qytetarët më të sigurtë dhe mbi të gjitha për të diktuar të gjithë bashkë që ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Policia e Shtetit, ju garantoj, ka bërë detyrën një më një me rigorozitet dhe pa privilegjuar askënd.
Në filozofinë tonë është e sanksionuar mjaft qartë: domosdoshmëria që kemi ne, dhe vetëdija që kemi ne, për të çuar para përgjegjësisë të gjithë ata që dalin mbi ligjin dhe këtë e kemi bërë në çdo ditë të detyrës sonë. Kemi dhënë prova të pafundme. E fundit, rastësia e solli, është edhe dje, pavarësisht se SHQUP-i e shikon ndryshe.
Unë nuk kam ndërmend të merrem me akuzat e SHQUP-it pavarësisht se mendoj që edhe ata duhet të gjenden në punë. Dhe meqë duhet të gjenden në punë, e për t’u gjendur ata në punë duhet që të merren me diçka, i ftoj të merren me Policinë. Ne nder na bën dhe na nxit akoma më shumë të bëjmë detyrën kështu siç e kemi bërë.
Ndërkohë që ju kujtoj këtu se edhe kur Policia ishte e angazhuar në një aksion madhor siç ishte lufta kundër drogës në Lazarat, SHQUP-i kishte tjetër axhendë, akuzonte policinë që po dhunonte qytetarët e thjeshtë të Lazaratit, kur ndërkohë Policia ishte e angazhuar kundër një sipërmarrjeje kriminale që deri në atë moment ishte rritur nën hundën e shqupistëve.
Pra ne jemi shumë të vetëdijshëm, jemi shumë të angazhuar që të mos tolerojmë askënd mbi ligjin. Përballë meje, rastësia e do që kemi kryetarin e Bashkisë së Kamzës. Është një i pandëshkueshëm ekzemplar, i akuzuar për korrupsion i cili është dënuar nga shkalla e parë dhe nga shkalla e dytë. Pritet të merret një vendim por nuk besoj keni dëgjuar ndonjë fjalë nga SHQUP-i.
Kështu që me këta njerëz që nuk janë të dedikuar për ligjin, për shtetin ligjor, për sigurinë e qytetarëve, por kanë merak vetëm të bëjnë politikë me çfarë ua do mendja se mund të përtypin dhe meqë e përtypin ata, mund ta përtypin edhe qytetarët, unë nuk kam kohë të merrem.
Jam shumë i zënë të bëj punën që më kërkojnë dhe presin prej meje qytetarët. Dhe jemi shumë të dedikuar të bëjmë gjithçka është e nevojshme për t’u dhënë qytetarëve sigurinë që duan, Policinë që duam të gjithë bashkë, shtetin ligjor që duam të gjithë bashkë.
Pyetje: Zoti ministër, ka patur herë pas herë nga Partia Demokratike por edhe ish-kryeministri Sali Berisha akuza apo deklarata që e lidhin emrin tuaj me atë të Shullazit. Cili është reagimi juaj në lidhje me këto akuza?
Ministri Tahiri: Të jeni të sigurt që në qoftë se do ishit ju Ministër i Brendshëm, do e lidhnin edhe me emrin tuaj. Për SHQUP-in nuk ka asnjë dallim.
Keni dëgjuar juve të merren me Xhelalin?! S’e keni dëgjuar këtë! Ja kjo është SHQUP-i, mendon që shqiptarët do përtypin çfarë përtyp SHQUP-i. Unë nuk kam kohë të merrem me përtypjet e SHQUP-it.
Ju faleminderit!