Prononcimi për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim,  Petrit Vasili
 

Së pari lidhur me reformën në drejtësi, ne kemi pasur dhe kemi një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar që në fillim e deri më sot, duke pasur në qendër të gjithë qëndrimit tonë vetëm një plan, që do ta quaja planin A, që do të thotë reformë me konsensus dhe sipas Venecias.
Dhe ky është një qëndrim i pandryshuar.
Gjithashtu, ne jemi shumë të prerë dhe të qartë edhe lidhur me miratimin e kësaj reforme duke mbajtur pikërisht këtë qëndrim dhe duke i shërbyer këtij konsensusi dhe këtij qëndrimi parimor që mbështet Opinionin e Venecias pasi kjo është një reformë solide e bërë në këtë mënyrë dhe është një domosdoshmëri për shqiptarët, për 30 vitet që vijnë.
Sigurisht që një reformë e tillë parimore, konsensuale, dhe sipas Venecias, mund të realizohet vetëm në këtë mënyrë dhe përtej çdo shantazhi dhe çdo lloj tentative për të akaparuar deputetë, pasi kjo reformë nuk mundet të konsiderohet dhe nuk mund të trajtohet si një alibi elektorale për zgjedhjet e ardhshme, pasi kjo thashë dhe një herë tjetër, është një domosdoshmëri për vendin për 30 vitet që vijnë. Dhe ky është qëndrimi që nga dita e parë dhe deri ditën e sotme për këtë reformë.

Z. Vasili për çfarë shantazhi e keni fjalën dhe cili është qëndrimi i LSI për rolin e ndërkombëtarëve për procesin e vetingut?

Kemi pasur dhe kemi një qëndrim të qartë që çdo lloj zgjidhje duhet të jetë një zgjidhje që respekton plotësisht Venecian. Nuk mund të ketë një zgjidhje jashtë këtij Opinioni, pasi i vetmi autoritet i gjithëpranuar nga të gjithë forcat politike në mënyrë të padiskutueshme, por dhe më gjerë se sa ambienti politik shqiptar dhe ndërkombëtar, është Opinioni i Venecias.
Çdo zgjidhje respekton dhe përmbush plotësisht këtë Opinion të konsoliduar të Venecias, sigurisht që ka dhe mbështetjen tonë. Dhe njëkohësisht një reformë e tillë konsensuale, pra përjashto çdo lloj forme tjetër, gjë që e përmenda edhe më lartë dhe që është pohuar nga reporterët ndërkombëtarë që ndjekin Shqipërinë, pasi nuk do të ishte reforma që do të donin shqiptarët.
Në fund të fundit, ne bëjmë një reformë që është solide, që nuk është prodhim i thjeshtë ekspertësh, pasi ne e kemi vlerësuar dhe e kemi respektuar punën e ekspertëve, por Shqipëria është një republikë parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh dhe në Kushtetutën e vendit në emër të ekspertëve nuk mund të bëhen eksperimente.
Kjo duhet të jetë shumë e qartë për këdo, pasi ne kemi eksperienca të mitizimit dhe fetishizimit të rolit të ekspertëve. Për shembull, ju e keni të qartë në memorien tuaj kohë më parë, ne kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë një ligj të veçantë që mbështeste një kompani ekspertësh siç ishte “Crown Agents” për të ardhurat në dogana. Ju e kujtoni këtë më së miri, ku sipas rezultateve të përftuara nga ky propozim i ekspertëve qenë tepër të hidhura dhe mendoj që ky mësim flet vet. Pse jo dhe në këtë rast lidhur me reformën në drejtësi.

Z. Vasili, kur flisni ju për një votim konsensual të reformës do të thotë që nëse opozita nuk do ta votojë këtë reformë, çfarë qëndrimi do të mbajë LSI-ja? Do ta votojë?

Qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe e shpjegova që në fillim të bashkëbisedimit me ju. Shinat në të cilat duhet të ecë dhe mund të ecë një reformë që i shërben Shqipërisë, jo për sot por për 30 vitet në vijim, do të thotë që janë më shumë se pluralizmi 25-vjeçar që sapo kemi kapërcyer, do të thotë një reformë që ecën përmes konsensusit, por njëkohësisht respekton pikë për pikë opinionin tashmë të bërë publik dhe të konsoliduar të Venecias.

Z. Vasili, ju prisni një përgjigje nga z. Xhafaj? A e keni marrë një të tillë dhe nëse po cila është ajo?
Unë kam shprehur dhe kam mbajtur qëndrimet e mia të vazhdueshme dhe tepër të qartë dhe në komisionin e reformës në drejtësi, të cilat janë në rekordet e punës së këtij komisioni, lidhur me këtë çështje dhe me çështje të tjera, pasi kam menduar dhe jam i bindur që transparenca e plotë, e shëndosh procesin dhe përsa i takon mjedisit politik, por më shumë se kaq i shërben edhe të gjithë mjedisit publik dhe të gjithë shqiptarëve që presin reformën. Në këtë kuadër ka qenë edhe komunikimi me z. Xhafaj për një qartësi dhe për një transparencë gjithnjë e më të madhe në komunikim.

A jeni informuar për propozimin hibrid të SHBA-ve për reformën z. Vasili?
Nuk kemi ende një komunikim zyrtar për këtë çështje. Sapo të kemi një komunikim do të kemi edhe një qëndrim zyrtar të LSI-së edhe për këtë çështje.

Z. Xhafaj ka thënë shprehimisht se negociatat për të cilat ju folët pak më parë po zhvillohen mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Këto negociata sa i përket mazhorancës, a kanë edhe bekimin e LSI-së apo ju do të donit ë ishit pjesë e tyre?
Ju cituat opinionin e z. Xhafaj dhe lidhur me këtë ju mund t’i drejtoheni z. Xhafaj për detaje më të mëtejshme, pasi ai ka folur qartë që ky negocim ka qenë mes ekspertëve të PD-së dhe PS-së.
Nuk mund që të perifrazoj z. Xhafaj për atë ç’ka thënë ai. Nuk mund të perifrazoj asgjë që një koleg thotë lidhur dhe me përgjegjësinë politike që ai ka për t’u shprehur për këto çështje. Ne nuk shkojmë me sensacionin dhe ndjeshmërinë, ne mbajmë qëndrime të qarta politike siç është ky që unë po mbaj përpara jush. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin