Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar për Report Tv situatën ku ndodhet sot Partia Demokratike referuar krijimit të dy ‘kampeve’, ai i Sali Berishës dhe tjetri i Ervin Salianjit së bashku me Ilir Alimehmetin e të tjerë më të votuar nga primaret.
Mërtiri thotë se Berisha po reagon ashpër për shkak të makthit politik ku ndodhet sot, shtuar këtu humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje si dhe protestës së organizuar çdo të hënë përpara kryeministrisë, ku për çdo javë mblidhen akoma e më pak njerëz.
“Nuk besoj se është betejë e ashpër për sa kohë që grupi që ka marrë këtë nisëm nuk po tregohen të ashpër ndaj Berishës. Këtu ka ashpërsi të njëanshme është Berisha që tregohet i ashpër me ata dhe ata të butë me Berishën. Ky disproporcionalitet tregon gjendjen ku është Berisha. Berisha është në makth politik. Çdo gjë sado e fortë apo e butë, atë e turbullon sepse është kundër arsyes. Në një kohë që mezi mbledh 200-300 vetë në shesh, ka humbur 3 çerekun e votave të marra në 2021, partia është zhytur në apati. Të gjithë kanë humbur besimin dhe të gjithë logjikojnë se ai duhet të ikë sepse po zhyt partinë drejt shkatërrimit”, tha Mërtiri.
Ndër të tjera, pedagogu tha se Berisha fjalën protestë e ka zëvendësuar me atë foltore, për të justifikuar numrin e pakët të qytetarëve të pranishëm në bulevard.
“Ajo që po bëjnë ata me takimet, po evidentojnë problematikat. Vetë foltorja është protestë. Ai nuk mbledh dot njerëz në shesh, thotë se është foltore dhe nuk është protestë sepse nuk i justifikon dot që protestat i ka me aq pak njerëz”, tha Mërtiri.
Teksa komentoi reagimet e bëra dje nga Berisha, Mërtiri tha se kërcënimet e tij bëjnë punë tek njerëzit e paqëndrueshëm si Alimehmeti, por jo tek Ervin Salianji, i cili duket i vendosur në nismën e tij për të reformuar Partinë Demokratike.
“Kërcënimet e Berishës bëjnë punë tek disa dhe tek disa të tjerë jo. Një njeri i butë dhe i pavendosur sa Alimehmeti i ha presionet dhe ka nevojë për të qetësuar Berishën që nuk janë kundër tij. Salianji duhet më i vendosur në nismën që ka marrë. Ai që është më i vendosur përfiton dhe më shumë në politikë. Me Berishën nuk kanë një të ardhme, as ata që janë në krah të Berishës sot”, tha analisti.
Protestave të thirrura çdo të hënë nga Sali Berisha përballë kryeministrisë, ish-deputeti Ervin Salianji iu përgjigj me një takim me qytetarët në Durrës. Kjo erdhi pas nevojës për të reformuar Partinë Demokratike, e cila gjithmonë e më shumë po anon nga dështimi. Të gjithë personat e renditur krah Salianjit, janë konsideruar nga Berisha i tradhtarë ndërsa nisma e tyre si një angazhim privat.
Komente










