Prononcimi për mediat i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas dëshmisë në Prokurori lidhur me kallëzimin ndaj tij nga KLD, pas deklaratave mbi gjyqtarin Aliaj:

Iu përgjigja thirrjes së Prokurorisë për të dhënë sqarimet e mia lidhur me deklaratat që kam  bërë ndaj gjyqtarit Aliaj, pas një kallëzimi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Sqarova në Prokurori që i qëndroj pikë për presje të gjitha deklaratave që kam bërë. Sepse unë besoj se ka shumë nevojë për të parë në detaje dhe në mënyrë shumë të imët punën e çdo gjyqtari, pavarësisht vullnetit që kemi ne për të zbatuar vendimet e tyre.
Nuk më ndalon askush që të jap opinionet dhe vlerësimet e mia mbi vendime absurde gjykatash dhe gjyqtarësh që në atë detyrë janë për shkak të qokave politike dhe shërbimit që bëjnë ndaj gjithë atyre që sot kanë kapur drejtësinë. Është bindja ime e thellë por besoj nuk jam i vetmi, por 90% e shqiptarëve sot mendojnë që sistemi gjyqësor ka segmente të caktuara që mbijetojnë për shkak të korrupsionit dhe qokave politike. Unë e besoj akoma më shumë këtë që nga dita e parë e detyrës sime si ministër i Punëve të Brendshme, duke parë si gjyqtarë japin vendime në kufijtë e vendimeve kriminale, duke u dhënë rrugë ngjarjeve tepër të rënda me pasurinë, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Ndaj cilado padi e Këshillit të Lartë të Padrejtësisë ose më saktë e korporatës që drejton sot sistemin gjyqësor më të korruptuar sot në Europë, cilado padi nga cilido gjyqtar nuk do më ndalojë, në asnjë moment, të them fjalën time për atë që besoj përfaqëson më së miri qytetarët shqiptarë në nevojën që ata kanë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Është një objektiv madhor. Dhe mendoj se shërbimi që mund të bëjmë ne që kemi mundësi të flasim më shumë nga ç’kanë qytetarët, është të drejtojmë gishtin dhe të shfrytëzojmë hapësirën publike për aq sa kemi mundësi duke denoncuar çdo gjyqtar që (në bindjen më normale të të gjithë atyre që njohin sistemin e drejtësisë) i trajtojnë vendimet e gjykatave, pelerinën dhe çekiçin si një mundësi për të vënë pasuri, si një mundësi për të bërë qoka politike, dhe si mënyrë për të fituar imunitet atëherë kur shkelin ligjin dhe nëpërmjet qokave politike vijojnë të qëndrojnë në detyrë.
Ju (gazetarë) jeni dëshmitarët më të parë të denoncimeve të mia, që kanë shkuar mbi qindra, ndaj vendimeve konkrete të gjyqtarëve konkretë. Kam preferuar t’i bëj publike. Ia kam adresuar Presidentit të Republikës si drejtuesi i Këshillit të Lartë të Padrejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Pasurisë, duke i vënë në dukje vendime gjyqtarësh të cilat kanë çuar në konflikte serioze, në mos edhe vrasje, për shkak të padrejtësisë që prodhohet nga vendimet e gjykatave.
Ju jeni dëshmitarë të denoncimeve të mia për gjyqtarë që kanë liruar nga salla e gjyqit dhe përdhunues të të miturve. I kanë liruar nga salla e gjyqit! Unë këtë nuk e pranoj dot as si prind, as si politikan, dhe aq më pak si ministër i Punëve të Brendshme.
Ashtu siç jeni dëshmitarët më të parë të denoncimeve të mia për gjyqtarë që kanë dhënë vendime për lirimin e vrasësve në sallën e gjyqit – dhe më pas janë vrarë në rrugë!
Dhe sot sistemi gjyqësor prodhon padrejtësi. Riciklon kriminalitetin në shoqëri. Kërcënon jetën e qytetarëve. Për të mos folur më pas me pazaret e pronave të qytetarëve.
Gjyqtari Arjan Aliaj është i kapur në flagrancë nga një vendim që ka dhënë për ‘Kthim prone’ në mes të Tiranës, dhe nga prona e kthyer ka fituar një tokë dhe një vilë në po atë tokë. Dhe unë këtë nuk kam si mos ta denoncoj. Sepse unë e quaj më së paku të domosdoshme për t’u verifikuar, e më së shumti akt kriminal dhe korruptiv i një gjyqtari që, me vendimin e tij i kthen pronën një qytetari dhe qytetari “i fal” gjyqtarit të vet në atë pronë një pjesë të tokës dhe një vilë trekatëshe.
Unë këtë e quaj shenjën më kuptimplotë të asaj që përfaqëson sot jo vetëm gjyqtari Arian Aliaj, por e gjithë ajo pjesë e sëmurë e sistemit të drejtësisë, që duhet adresuar patjetër nëpërmjet reformës në drejtësi. Por deri kur të miratohet reforma në drejtësi, mua nuk do të më ndalojë asgjë të denoncoj me sa kam fuqi emër për emër çdo gjyqtar që në konsideratën time, të strukturave të Policisë e të qytetarëve, shkelin ligjin dhe bëjnë krim me vendimin e gjykatave.
Unë jam shumë i bindur që nuk mund të bëj më shumë në detyrën time sesa të reformoj Policinë nga njëra anë. Por nga ana tjetër të ndalojmë që gjyqtarë të korruptuar dhe palaço në sistemin e drejtësisë të nxjerrin jashtë kriminelë dhe të bëjnë pazare me pronat e qytetarëve. Unë këtë nuk e duroj dot. Nuk kam për ta duruar kurrë. Nuk kam për të heshtur kurrë, do flas gjithmonë sa herë të gjendem para paligjshmërisë dhe nuk do më ndalojë asnjë padi.
Këshilli i Lartë i “Ndrikullave” mundet fare kollaj të merret me mua gjithë ditën. Unë besoj që nderi më i madh që do i bënin vetes do jetë dita kur të kuptojnë se reforma në sistemin e drejtësisë do jetë mënyra më e mirë për t’i dhënë dorën gjyqtarëve të ndershëm (që nuk janë pak) dhe për të hedhur në koshin e plehrave gjyqtarët e korruptuar e ata banditë që sot, nën pelerinën e sistemit të drejtësisë, bëjnë krime me pronat, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
U njohët dje me një vendim gjykate për personin që në një aksident la pa jetë një grua, nënë e dy fëmijëve, në mes të Tiranës. Ky person mund të ishte fare mirë në burg, aksidenti do shmangej dhe nëna do ishte sot në jetë. Sepse ishte një person i arrestuar nga policia për shkak se donte të korruptonte policinë. Ja pra, ky është sërish një rast që tregon se si gjyqtarë të korruptuar lënë viktima në rrugë. Se si gjyqtarë banditë lënë viktima në rrugë dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë në këtë vend.
Nuk kam asnjë motiv të vetëm që të më detyrojë të hesht. Përkundrazi, kam të gjitha motivet personale e profesionale të detyrës që ushtroj përballë qytetarëve për të folur sa të kem frymë kundër çdo prokurori dhe çdo gjyqtari që në sistemin e drejtësisë përfaqëson Këshillin e Lartë të Palaçove dhe Ndrikullave në sistemin e drejtësisë.
Pyetje: Si e konsideroni besimin dhe qëndrimin e KLD, e cila nga ana e saj dyshon se ju keni konsumuar një vepër penale?
Ministri Tahiri: Unë nuk kam konsideratë tjetër përveçse t’i qëndroj pikë për presje deklaratave që kam bërë. Unë nuk di rast kur Këshilli i Lartë i Padrejtësisë dhe Pasurisë të jetë shprehur apo të ketë reaguar publikisht, ashtu siç sindikatat, unionet, shoqatat e gjyqtarëve të kenë reaguar kur ka gjyqtarë që haptazi shkelin ligjin dhe nuk bëjnë detyrën. Me këta njerëz që janë kaq të nxitur për të reaguar ndaj çdo evidentimi të paligjshmërisë në punën e gjyqësorit, si ka mundësi nuk janë të nxitur (për më tepër që e kanë detyrim ligjor) të reagojnë publikisht, për t’i rikthyer besimin qytetarëve në sistemin e drejtësisë, duke drejtuar gishtin ata vetë të parët tek gjyqtarët e korruptuar, tek gjyqtarët që bëjnë pazare me punën e tyre?
Për shkak të kësaj vetëdije sot janë mbi 2000 punonjës policie të arrestuar, të ndaluar dhe të proceduar për vepra penale në ushtrimin e detyrës. Që tregon nga njëra anë si e gjetëm Policinë e nga ana tjetër vullnetin tonë për ta reformuar Policinë e Shtetit. Pse kjo nuk ndodh brenda sistemit gjyqësor? Po pse mekanizmat e brendshëm të sistemit gjyqësor, të cilat duhet të garantonin integritetin e sistemit gjyqësor, funksionojnë vetëm për të mbrojtur dhe për t’i dhënë imunitet gjyqtarëve të korruptuar dhe atyre që shkelin ligjin me vendime haptazi të paligjshme dhe nuk funksionon për të pastruar vetë sistemin?
Nga ana tjetër, unë nuk jam dhe kjo qeveri nuk është si qeveria e kaluar. Unë respektoj dhe zbatoj vendimet e sistemit gjyqësor. Kjo hyn në kulturën time personale, në formimin tim, në atë që unë e quaj deontologjinë e të bërit këtë punë dhe sigurisht e mënyrës si jemi qasur ndaj zbatimit të ligjit, ndaj shtetit ligjor dhe ndaj besimit që na kanë dhënë qytetarët. Unë nuk jam Lulzim Basha që t’i fshihem Prokurorisë me raporte pushimesh, me raporte mjekësore, me raporte vonesash biletash avioni apo me çfarëdolloj justifikimi që janë të denja për një kalama kopshti. Unë nuk jam as fëmija i Sali Berishës që nuk erdhi kurrë në Prokurori, pavarësisht se biznesi i tij la 26 të vdekur në Gërdec. Kjo qeveri nuk është qeveria e Sali Berishës, që kur vrau katër njerëz të pafajshëm në bulevard rrethoi Prokurorinë dhe i mbante vrasësit të  fshehur në bodrumet e Kryeministrisë.
Ne i zbatojmë vendimet e gjykatave dhe të sistemit gjyqësor. Por kjo nuk do të thotë që të heshtim e të mos denoncojmë të gjithë ata që, të fshehur nën petkun e sistemit të drejtësisë, kërkojnë edhe që të mbyllim gojën.
Pyetje: Z.Tahiri, përveç pesë të arrestuarve a ka persona të tjerë të dyshuar për grabitjen e Rinasit?
Ministri Tahiri: Kjo është çështje tjetër.
Pyetje: Ju personalisht keni pasur çështje gjyqësore, keni patur probleme me gjyqësorin, ju dhe familja juaj. Mos është kjo një “luftë personale”? Flitet që ka një urdhër-arresti të firmosur nga Prokuroria në lidhje me hetimet për përgjimet, por që ngelet peng se nuk po gjejnë gjyqtarin.
Ministri Tahiri: Unë nuk merrem me këtë. Çështjen konkrete ta vlerësojnë institucionet përkatëse. Mua më mbetet të përsëris atë që kam thënë. Që gjithçka kam deklaruar në çdo deklaratë dhe mundësi që kam pasur për të komunikuar nëpërmjet jush me publikun për sistemin gjyqësor në tërësi, apo duke drejtuar gishtin nominalisht për ata gjyqtarë, unë i qëndroj pikë për presje dhe nuk lëviz asnjë sekondë me çdo kosto.
Pyetje: KLD është ajo që vlerëson gjyqtarët. Ju keni thënë disa kallëzime për një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh, dhe KLD nuk jua ka marrë parasysh duke i rikthyer në punë këta gjyqtarë. Mos mendoni se ju jeni jashtë kompetencave për të bërë kallëzime konkrete ndaj gjyqtarëve?
Ministri Tahiri: Cilat kompetenca më duhen për të gjykuar dhe folur publikisht ndaj një gjyqtari siç është ai në Kavajë që ka liruar përdhunuesin e një të miture në sallën e gjyqit? Cila kompetencë më duhet këtu, cili prind do e mirëkuptonte këtë? Dhe çfarë kompetence i duhet cilitdo prindi që vihet në dijeni të kësaj, për të kuptuar se ky gjyqtar më e pakta është i çmendur, më e shumta është kriminel në detyrë? Mos harroni se ka gjyqtarë sot që janë në detyrë që kanë bërë vepra penale edhe më të rënda se kaq, edhe kanë plagosur me armë. Dhe rrinë në detyrë sot e nuk flet njeri, nuk merret njeri. Ka gjyqtarë që kanë bërë çudira në këtë vend, e nuk merret njeri. Në emër të kujt duhet të heshtim? Në emër të kujt nuk duhet të flasim e të mos drejtojmë gishtin ndaj atyre gjyqtarëve që bëjnë pazare me pronën dhe me jetën e qytetarëve? Nuk ka asnjë çmim që më ndalon të flas dhe të them atë që besoj se është më e drejtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Asnjë çmim.
Pyetje: Do vijoni të bëni të njëjtat akuza dhe për gjyqtarët mbi vëzhgimet që ju duken të padrejta, si për gjyqtarin Aliaj?
Ministri Tahiri: Pa asnjë diskutim. Pa asnjë diskutim të gjithë gjyqtarët dhe i gjithë sistemi i drejtësisë duhet të kuptojë që më e pakta, kosto më e vogël për palaçollëqet e tyre është të durojnë t’i drejtojmë gishtin publikisht, ne dhe qytetarët, për atë që bëjnë gabim në detyrën e tyre.
Pyetje: Z.ministër, për Rinasin a ka të tjerë të dyshuar?
Ministri Tahiri: Nuk jam këtu për të folur për këtë 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, Meta: Nuk kam asnjë mesazh për të! Grabitja e pronave në jug nuk do të funksionojë