Socialistët në Komisionin e Bujqësisë rrëzuan një nismë të deputetit të PD-së Eno Bozdo për heqjen e akcizës për Gazin Natyror vetëm për industrinë e prodhimit.

Deputeti i PD-së argumentoi se heqja e kësaj akcize do të sillte stimulimin e industrisë së prodhimit në vend, ndërsa tha se nisma përafrohet 100% me direktivën e BE-së.

"Për eliminimin e akcizës mbi gazin natyror që përdoret për qëllime prodhimi dhe jo tregtimi dhe jo për prodhim të energjisë. Shqipëria për fat të mirë ka ende një lloj industrie që e përdor këtë gaz sipas sektorëve për qëllime prodhimi", tha Bozdo.

Ministria e Financave rekomandoi që nisma të rrëzohet, për faktin që qeveria do të sjellë në fundvit në Kuvend një projektligj tërësisht të ri mbi akcizat!

"Në 3 mujorin e fundit të këtij viti do të sjellim në parlament një projektligj të ri tërësor për akcizat, që do të përmbajë komplet politikën e rishikuar të kuadrit rregullator!", tha Enkelejda Kuçi.

Deputetët socialistë thanë se nisma nuk mund të kalojë për shkak të disa problematikave në paraqiten e saj përfshirë efektet e mëdha në buxhetin e shtetit.

"“Propozimi i juaj është i përgjithshëm jo i lidhur me realitetin e tregut, jo në funksion të periudhës së krizës, rrezikon buxhetin e shtetit. Si relator unë propozoj që të rrëzohet nisma juaj ligjore.", shtoi Fadil Nasufi, deputet i PS-së.