Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit të hënën, duke deklaruar se vendi është i ndarë mes “të moderuarve që duan të arrijnë marrëveshje dhe të çmendurve që duan të luftojnë deri në vdekje”.

“Në Iran ka njerëz të moderuar që duan marrëveshje dhe të çmendur që duan të luftojnë deri në fund. E njëjta gjë ndodh edhe në vendin tonë. Besoj se atje kanë frikë nga të çmendurit, por të moderuarit respektohen më shumë”, deklaroi Trump.

Më pas ai sulmoi edhe iranianët që, sipas tij, besojnë se Amerika do të lodhet nga operacioni ushtarak.

“Sa budallenj janë? Mendojnë se do të lodhem, do të mërzitem apo do të ndiej presion. Nuk ka asnjë presion. Do të arrijmë një fitore totale. Në teori, nga pikëpamja ushtarake, ne tashmë kemi arritur një fitore totale”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Trump komentoi edhe armëpushimin aktual, të cilin e cilësoi “shumë të dobët”.

“Është në terapi intensive pas atij propozimi plehrë që na dërguan. Ka vetëm 1% mundësi të realizohet”, deklaroi ai nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan shtoi se shumë njerëz pyesin nëse ai ka një plan për situatën, duke u përgjigjur: “Sigurisht që kam një plan, dhe është plani më i mirë ndonjëherë”.


Lajmi kryesor:

BE vendos sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm hebrenj! Zemërohet Izraeli: E papranueshme! Ambasadori iranian në Pekin: Po planit kinez të paqes