Irani ka refuzuar propozimin amerikan me 14 pika për një memorandum që synonte t’i jepte fund konfliktit dhe t’i hapte rrugë negociatave intensive mes palëve në luftë që prej 28 shkurtit. Teherani iu përgjigj draftit amerikan me një letër disa faqëshe, ku paraqet kushtet e veta, por pa përmendur çështjen e programit bërthamor iranian dhe rezervat e uraniumit të pasuruar.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi duke e cilësuar përgjigjen e Iranit “totalisht të papranueshme”. Duke folur për mediat amerikane, ai tha se Amerika po monitoron nga afër rezervat iraniane të uraniumit, të cilat sipas tij “së shpejti mund të bien në duart e amerikanëve”.
Trump kishte paralajmëruar më herët se Teherani do t’i kthente përgjigje planit amerikan për memorandumin e paqes, por reagimi i Iranit rezultoi larg pritshmërive të Uashingtonit. Sipas raportimeve të “The Wall Street Journal”, që citon burime të njohura me përmbajtjen e dokumentit, përgjigjja iraniane nuk përmbush kërkesën kryesore të Amerikës mbi fatin e programit bërthamor dhe rezervat e uraniumit shumë të pasuruar.
Këto çështje pritej të diskutoheshin gjatë 30 ditëve të negociatave intensive që do të pasonin firmosjen e memorandumit. Në vend të kësaj, Teherani propozon ndalimin e armiqësive dhe rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit për trafikun tregtar.
Irani mbrojti vendimin për të refuzuar draftin amerikan përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, që deklaroi se propozimet e Teheranit ishin “të arsyeshme dhe bujare”.
“Gjithçka që kemi propozuar në tekst ishte e arsyeshme dhe bujare. Jo vetëm për interesat kombëtare të Iranit, por për të mirën dhe përparimin e rajonit dhe të botës. Palët amerikane vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre të padrejta”, tha ai, sipas mediave iraniane.
Shtetet e Bashkuara synonin që memorandumi me 14 pika të shërbente si bazë për negociata të plota mes dy vendeve, me qëllim zgjidhjen e çështjeve që mbajnë ende larg Uashingtonin dhe Teheranin.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një intervistë për CBS se “në Iran ka ende punë për t’u bërë”, duke theksuar se Teherani vazhdon të ketë kapacitete raketore dhe bërthamore.
Netanyahu foli edhe për mundësinë e rrëzimit të regjimit aktual iranian, duke thënë se një zhvillim i tillë do të çonte në dobësimin e grupeve aleate të Teheranit në Lindjen e Mesme, si Hezbollah, Hamas dhe Houthi.

Foto: Flamuj të BE-së
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord për një raund të ri sanksionesh ndaj pushtuesve izraelitë dhe organizatave të akuzuara për mbështetje të aktiviteteve të paligjshme të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, njoftoi se BE-ja po vendos masa ndëshkuese ndaj organizatave izraelite që, sipas tij, mbështesin “kolonizimin ekstremist dhe të dhunshëm” në Bregun Perëndimor, si dhe ndaj drejtuesve të tyre.
“Bashkimi Evropian po vendos sanksione sot ndaj organizatave kryesore izraelite, fajtore për mbështetjen e kolonizimit ekstremist dhe të dhunshëm të Bregut Perëndimor. Këto akte shumë serioze dhe të patolerueshme duhet të ndalen pa vonesë”, shkroi Barrot në platformën sociale X.
Ai shtoi se BE-ja ka miratuar gjithashtu sanksione ndaj “udhëheqësve kryesorë të Hamasit”.
Sipas Barrot, Franca dhe partnerët evropianë synojnë të mbështesin zgjidhjen me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina të jetojnë “krah për krah në paqe dhe siguri”.
Vendimin e konfirmoi edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila deklaroi se ministrat e jashtëm “miratuan sanksione ndaj kolonëve izraelitë për dhunën kundër palestinezëve”.
“Ishte koha e duhur që të kalonim nga bllokimi në arritjen e qëllimit. Ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”, shkroi Kallas në X.
Komente










