Propozimi i Hajnajt/ Komision me njerëz të SHBA-BE do zbarkojë në Tiranë, misioni special 2-vjeçar dhe pse duhet të tremben politikanët e korruptuar

Propozimi i Hajnajt/ Komision me njerëz të SHBA-BE do zbarkojë në Tiranë, misioni special 2-vjeçar dhe pse duhet të tremben politikanët e korruptuar

Aida Hajnaj

Pas një procesi disamujor, në monitorimin e partnerëve amerikanë dhe evropianë, SPAK i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Aida Hajnaj, si kandidate për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturës më të rëndësishme, speciale dhe vendimtare të drejtësisë së re në Shqipëri, e projektuar nga ndërkombëtarët për goditjen krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, por sidomos për hetime në nivele të larta. Konfirmimi i zonjës Hajnaj nga KLP do t’i hapë rrugë disa proceseve të tjera, në funksion të ngritjes dhe funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Zgjedhja e drejtueses së Byrosë, përpos të tjerave, i hap rrugë zbarkimit në Tiranë të një komisioni për përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komisioni do të qëndrojë për dy vite në Shqipëri, ndërsa misioni i tij konsiston në dhënien e këshillave dhe udhëzimeve për themelimin dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni do të vëzhgojë sidomos procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni ndërkombëtar do të miratojë materialet e trajnimit të hetuesve të FBI-së shqiptare si dhe do të ndjekë hetimet e para. Komisioni do të përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale në SHBA dhe BE. Ekspertët do të caktohen nga misionet diplomatike të SHBA-BE në Tiranë.  Për dy vite, nga momenti i zyrtarizimit të Aida Hajnaj, FBI-ja shqiptare do të jetë nën hijen e ndërkombëtarëve, ashtu si procesi i Vetingut, kur ONM luan një rol të rëndësishëm, duke i dhënë besueshmëri dhe seriozitet procesit.

Po çfarë është Byroja Kombëtare e Hetimit?
Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, e cila do të hetojë nën juridiksionin dhe për llogari të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Byroja e Hetimit është në varësinë e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës. Drejtori i Byrosë emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. Drejtori shkarkohet nga KLD me propozim të kreut të SPAK nëse konsumon disa shkelje të parashikuara në ligj. Ndërkaq, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohen nga drejtori, me pëlqimin e kreut të SPAK, bazuar në kritere të forta.

Kompetencat e Byrosë së Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit bën hetimin dhe përgatit dosjet për Prokurorinë e Posaçme. Kjo e fundit ia referon dosjet Gjykatës Speciale. Byroja heton të gjitha veprat penale të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe krimit të organizuar, të gjitha veprat e korrupsionit si dhe çdo akuzë penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve, kryetarëve të bashkive, zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Kush mund të bëhet pjesë e Byrosë së Hetimit?
Çdo shtetas shqiptar, i cili ka arsim të lartë policor, arsim të lartë në drejtësi, në kontabilitet apo në një fushë tjetër, që ka të bëjë me investigimin, mund të jetë kandidat potencial për t’u bërë hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kriteri i dytë parashikon që kandidati që plotëson kushtin e parë duhet të ketë përvojë më shumë se një vit pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më pas kandidatët do i nënshtrohen një testimi i ndarë në 7 faza. Kush kalon me sukses të gjitha fazat, do t’i nënshtrohet një trajnimi shumë serioz.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • shqip: 27/07/2020 17:43

    Po ca do beje kjo ma. Ku ka force kjo te denoje mafien politike

    Përgjigju
    • Po mo: 27/07/2020 18:01

      Nje verre ne uje do ta beje

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja