Ky propozim i është shfaqur një pjese të shoqërisë civile që vetë kryetari i Bashkisë ftoi përmes e-mailit të tij personal për një dëgjesë publike në këshillin bashkiak të Tiranës, dy ditë më parë. Por në këtë diskutim ka qenë pjesëmarrëse një pjesë e vogël e shoqërisë civile, pasi "Nisma për Publiken", lëvizja që organizoi protestat e para kundër këtij projekti, refuzoi të ishte pjesë për shkak se e-maili i ftesës dhe takimi u bënë në një kohë të shpejtë brenda ditës.
“Nëse jeni gati, që sot mund t’i vendosim çdo peme nga një fjongo me numër dhe fotografi, si dhe të ndiqni punimet nga afër. Nëse doni e bëjmë edhe me pagesë, që një grup nga shoqëria civile të supervizojë punimet, e në këtë mënyrë të kemi dy supervizorë: supervizorin teknik dhe një supervizor nga shoqëria civile. Në qoftë se në datën 1 qershor, nëse aty janë prerë pemë ose është bërë një kafe, unë iki nga kjo detyrë. Por, argumentet si: çoji fëmijët në një zonë të kontaminuar nga ana tjetër, ku është djegur plastikë sistematikisht, nuk qëndrojnë. E kuptoj që njerëzit janë skeptikë, pasi kanë parë drejtues politikë të cilët kanë dhënë pallate rreth e rrotull Liqenit. Njerëzit janë skeptikë pasi kanë parë ish-kryetarin e Bashkisë që ende nuk prononcohet për një gropë 17 kate. Ata janë skeptikë pasi kanë parë të gjitha çudirat e atyre që erdhën nga rrethet për të mbrojtur liqenin, ndërkohë që në Kamëz, nga ku erdhën, 80 pallate ishin bërë pa leje. Ne kemi pasur gjatë gjithë kësaj jave dëgjesa me shoqërinë civile, i kemi propozuar disa hapa konkretë: Ata që kanë dyshime u kemi propozuar që të jenë pjesë e mbikëqyrjes së punimeve, u kemi kërkuar gjithashtu që ne të matrikulojmë dhe të shënojnë çdo pemë, për të siguruar që në datën 1 qershor parku i fëmijëve të hapet, të shikojmë që pemët janë po aty”, - tha Veliaj.
Por mesa duket vetë përfaqësuesit e shoqërisë civile në këtë takim, mes të cilëve edhe ambientalistë, kanë qenë të dyzuar në qëndrimet e tyre. Një pjesë kanë rënë dakord pjesërisht me propozimin e kryebashkiakut, por pjesa tjetër ka kundërshtuar, duke argumentuar se parku i Liqenit nuk ka pse të jetë opision për ndërtimin e Këndit të lojërave, kur ky projekt mund të gjejë zbatim në hapësira të tjera të kryeqytetit.
Ndërkaq, nën shoqërinë e shoqërisë civile që kreu dëgjesën publike, dhe të ambientalistit Sazan Guri i cili nuk ishte i pranishëm në Këshill, Bashkia e Tiranës mbolli mbi 200 pemëve të tjera nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, te hapësira publike që më parë ishte zaptuar nga komuniteti rom.
“Më vjen mirë sot që kemi mbjellë pemën e 2500, në Parkun e Liqenit. Unë besoj se çdo njeri, çdo grupim, çdo institucion duhet të vlerësohet mbi atë që bën, jo mbi atë që ne mendojmë që mund të ndodhi, mbi frikërat që mund të kemi nga e kaluara, mbi fobinë apo mbi paranojën. Njerëzit, sidomos ata që i shërbejnë publikut, duhet të vlerësohen nga faktet. Ishte një vend ku shkrihej plastikë, ishte një vend ku derdheshin kanalizimet, ishte një vend ku ushtrohej dhunë, ku digjeshin pemë dhe bëheshin zjarre çdo natë. Sot është praktikisht një pyll i ri dhe unë kërkoj që Bashkia e Tiranës të vlerësohet nga provat dhe faktet e punës”, u shpreh Veliaj.
Po ashtu gjatë një prononcimi për mediat për këtë çështje, Veliaj foli më me detaje rreth takimit me shoqërinë civile:
"Unë jam takuar me aktivistë të shoqërisë civile, me ata që duan të vinë në takim, që nuk e kanë alibi mungesën e takimit Ju kam kujtuar disa herë, kam qenë live në televizionet tuaja, 24 herë në 24 njësi ku e kam prezantuar 24 herë projektin e parkut. Nuk është e mjaftueshme, jam gati ta bëj edhe 24 herë të tjera. Dola me zv/kryeministrin për të prezantuar parkun, sërish po këta dashnorët e pemëve me selinë SHQUP erdhën dhe prishën edhe atë takim. Të gjithë e mbajnë mend se si nuk na lanë as ta komunikonim. Megjithatë, e komunikuam. Bëra një takim me aktivistë të shoqërisë civile, me njerëz shumë të nderuar dhe ju kam bërë një propozim konkret.
E kuptoj pse janë mosbesues, kishin një Kryetar Bashkie para 6 muajsh, i cili dha leje 17 kate te Liqeni. Sot po flet sikur ju hap barku, ju zu meraku për Liqenin. Ai që dha 17 kate dhe preu 240 pemë, për 220 mijë metra katrorë ndërtim tek liqeni. Unë jam në gjyq, këta nuk vinë në gjyq, kur shkoj unë dhe mundohem të bllokojë këtë ndërtim.
Propozimi konkret ishte ky: Meqë janë kaq mosbesues, - duke qenë se janë djegur nga qulli i SHQUP-it, tani i fryjnë edhe kosit - , ata të vinë dhe të bëhen pjesë e mbikëqyrjes së punimeve. Të përcaktojnë një përfaqësues nga shoqëria civile, kush është inxhinier, kush është urbanist, kush është ekspert mjedisor. E dyta, kam filluar sot një proces ku ne po bëjmë inventarizimin e çdo peme. I kam ftuar që të jenë dëshmitarë, kur të matrikulohet çdo pemë, siç matrikulojmë qentë e rrugës. A nuk isha unë që u përballa me të gjithë histerinë se si zgjidhet çështja e kafshëve të rrugës dhe u thashë, durim, se po bëjmë zgjedhjen e duhur. Kemi hapur në Kombinat një spital për qentë e rrugës edhe për shoqatat që punojnë për kafshët e rrugës, më në fund u bindën që po të na lënë të punojmë ne dimë ta tregojmë si bëhet kjo punë. Siç kemi matrikuluar çdo qen (15-20 në ditë), aq sa kapim, i vaksinojmë, i sterilizojmë, që fillojë të bjeri popullsia, ato shoqata të shoqërisë civile nuk u politoizuan, treguan durim derisa e zgjidhëm.
Propozimi konkret është: Të vinë të ndjekin punimet, me një ekip të tyre, të bashkohen në supervizimin e punës, të jenë me ne që nesër, që sot. Unë isha edhe sot, mbollëm 200 pemë tek Liqeni. Ka vajtur shifra tani 2500 pemë. Isha bashkë me Sazan Gurin dhe të tjerët, që mesa duket po reflektojnë për të kuptuar që këtu qëllimet janë të mbara dhe këtu puna është cilësore.
Një gjë është e sigurt, Tirana nuk do të bllokohet më, as nga dhuna, as nga histeria, as nga përdorimi politik i dhëndurëve dhe lloj-lloj çudirash që kemi parë, të njerëzve që kanë autorësinë e shkatërrimit të vendit nga mungesa e drejtësisë janë ende të lirë dhe nuk lënë që të punohet në Tiranë. E dini pse? Se mbas këtyre zgjedhjeve të PS dhe kësaj hapësire demokratike, janë zgjedhjet e përgjithshme. Nuk kanë asgjë për çfarë të shkojnë në zgjedhje. I vetmi shans, që ata mendojnë se kanë, është të bllokohet puna në Tiranë dhe thonë; ky s'bëri gjë, por as ky s'bëri gjë! Qeveria po bën gjëra, bashkitë tona po bëjnë gjëra, ne nuk do bllokohemi, Tirana do bëhet, jam i vendosur deri në fund! Asnjë proces nuk do bllokohet, transparencë sa të duan, t'i ndjekin punimet sa të duan, të matrikulojnë e fotografojnë çdo pemë, sa të duan. Bllokim, dhunë, në asnjë mënyrë! Tirana do fitojë në fund!"
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)