Përfshirja e figurës së Enver Hoxhës në listën e emrave për nderim nga Kuvendi i Shqipërisë për muajin tetor nga Instituti Parlamentar, ka nxitur debate dhe reagime negative në radhët e politikës dhe jo vetëm.

Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ka raportuar Autoriteti për Informimin dhe Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) me kryetare Gentiana Sula.

Çështja e përfshirjes së Enver Hoxhës në listën e figurave të tetorit, u hodh për diskutim dhe në këtë komision nga opozita, konkretisht nga Genci Strazimiri, i cili e pyeti Gentiana Sulën, nëse ky vendim ka ndodhur për shkak të injorancës së instancës apo personit që ka marrë vendim, apo ka qenë e qëllimshme.

Gentiana Sula, duke sqaruar se nuk e ka të përfshirë në ligj mbajtjen e qëndrimeve institucionale, por tha se “Të nderosh Enver Hoxhën do të thotë të mohosh krimet e tij dhe të mos nderosh viktimat”. Sula si kryetare e AIDSSH, u shpreh e gatshme për të pritur çdo kërkesë nga Kuvendi kur nevojitet vendimi i AIDSSH.

Çudia e Instituti Parlamentar, në varësi të Kuvendit, është se në përshkrimin që bëjnë për diktatorin Hoxha, e cilësojnë thjesht si Udhëheqës i Partisë Komuniste, apo si ‘Hero i Popullit’ dhe ‘Hero i Punës Socialiste’, sikur të mos kishte urdhëruar pushkatime, internime e burgosje masive.

Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim është se figura e Enver Hoxhës është renditur përkrah figurave të mëdha të letërsisë dhe historisë shqiptare, si Dritëro Agolli, Naim Frashëri dhe Sulejman Delvina.

Pas polemikave të shumta, Kuvendi i Shqipërisë reagoi për Report Tv duke sqaruar se Instituti Parlamentar ka ”shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”. Kuvendi thotë se nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në material.