Turma të mëdha protestuesish marshuan në kryeqytetin e Iranit dhe qytete të tjera mbrëmjen e së enjtes në atë që thuhet se është shfaqja më e madhe e forcës nga kundërshtarët e establishmentit fetar ndër vite. Demonstratat në Teheran dhe në qytetin e dytë më të madh, Mashhad, të enjten në mbrëmje, të cilat nuk u shpërndanë nga forcat e sigurisë.

Në pamjet e publikuara, protestuesit dëgjohen duke thirrur për përmbysjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe për rikthimin e Reza Pahlavit, djalit në mërgim të ish-shahut të Iranit që u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të dilnin në rrugë.

Ishte dita e 12-të radhazi e trazirave, të cilat janë përhapur në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në të gjitha provincat e Iranit. Agjencia amerikane Human Rights Activist News Agency (HRANA) ka thënë se të paktën 34 protestues, mes tyre 5 fëmijë dhe tetë anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë, ndërsa 2,270 protestues të tjerë janë arrestuar. Shifra të tjera të Iran Human Rights me bazë në Norvegji thonë se të paktën 45 protestues, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë.

Në videot e postuara në rrjetet sociale protestuesit kanë lëvizur në rrugët kryesore të qyteteve me thirrje si “Rroftë shahu” dhe “Kjo është beteja finale! Pahlavi do të kthehet”. Gjithashtu në pamje disa persona që raportohen si të lidhur me regjimin janë filmuar duke hapur zjarr dhe duke orientuar sulme të hapura ndaj protestuesve.

Presidenti amerikan Donald Trump është prononcuar kohët e fundit në lidhje me situatën në Iran duke paralajmëruar për sulme ndaj Teheranit nëse do të preken protestuesit. 

Mediat shtetërore iraniane e kanë minimizuar shkallën e trazirave të së enjtes madje në disa raste, ato kanë mohuar që protestat të kenë ndodhur, duke publikuar video të rrugëve bosh.

Ndërkohë, mbikëqyrësi i internetit NetBlocks tha se të dhënat e tij tregonin se Irani ishte “në mes të një ndërprerjeje të internetit në shkallë kombëtare”, një ngjarje e paverifikuar por që po i atribuohet ndërhyrjeve shtetërore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Protestat masive në ditën e 12-të, anulohen disa fluturime në Iran

1767965721_protesteiran.JPG

Disa fluturime për në Iran u anuluan të premten për shkak të protestave antiqeveritare që kanë filluar prej 12 ditësh.

Kompania ajrore shtetërore e Dubait, Flydubai, tha se po e monitoronte situatën “nga afër”, ndërsa njoftoi se fluturimet e saj për në Iran të premten do të anuloheshin.

“Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me pasagjerët, planet e udhëtimit të të cilëve janë prekur. Do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër dhe do ta rishikojmë orarin e fluturimeve tona në përputhje me rrethanat”, tha një zëdhënës i flydubai.

Anulimet do të ndikojnë në të paktën 17 fluturime të flydubai të planifikuara për të premten midis Dubait dhe disa qyteteve iraniane, përfshirë Teheranin, Shirazin dhe Mashhadin.

Ndërkohë, Turkish Airlines tha se 20 fluturime të planifikuara midis të enjtes dhe të shtunës janë anuluar.

Ora 13:26
Protestat masive në Iran kundër politikave ekonomike, ndërpritet interneti në të gjithë vendin

1767961899_iran.JPG

Irani po përballet me ditën e 12-të radhazi të protestave në disa qytete të mëdha, në një valë të madhe trazirash të shkaktuara nga një krizë ekonomike dhe rënia e standardeve të jetesës.

Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Teheran dhe qytete të tjera.

Teksa protestuesit kanë dalë kundër politikave ekonomike të qeverisë, interneti është ndërprerë në të gjithë vendin, sipas agjencisë NetBlocks.