Udhëheqësi suprem i Iranit këmbënguli të shtunën se "rebelët duhet të vendosen në vendin e tyre" pas një jave protestash që kanë tronditur Republikën Islamike, duke u dhënë me shumë gjasa forcave të sigurisë dritën jeshile për të shtypur në mënyrë agresive demonstratat.
Komentet e para nga 86-vjeçari Ajatollah Ali Khamenei vijnë në një kohë kur dhuna rreth demonstratave të nxitura nga ekonomia e dobët e Iranit ka vrarë të paktën 15 persona, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut. Protestat nuk tregojnë shenja se do të ndalen dhe vijnë pas paralajmërimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj Iranit të premten se nëse Teherani "vret me dhunë protestuesit paqësorë", Shtetet e Bashkuara "do t'i vijnë në ndihmë".
Ndërsa mbetet e paqartë se si dhe nëse Trump do të ndërhyjë, komentet e tij shkaktuan një reagim të menjëhershëm dhe të zemëruar, me zyrtarët brenda teokracisë që kërcënuan të shënjestronin trupat amerikane në Lindjen e Mesme. Ato gjithashtu marrin një rëndësi të re pasi Trump tha të shtunën se ushtria amerikane kapi presidentin venezuelian Nicolás Maduro , një aleat i hershëm i Teheranit.
Protestat kanë qenë më të mëdhatë në Iran që nga viti 2022, kur vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë paraburgimit policor shkaktoi demonstrata në të gjithë vendin. Megjithatë, protestat nuk kanë qenë ende aq të përhapura dhe intensive sa ato që lidhen me vdekjen e Amini, e cila u arrestua për shkak se nuk mbante hixhabin, ose shaminë, sipas pëlqimit të autoriteteve.
Ja çfarë duhet të dini rreth protestave dhe sfidave me të cilat përballet qeveria e Iranit.
Sa të përhapura janë protestat?
Demonstratat kanë arritur në mbi 170 lokalitete në 25 nga 31 provincat e Iranit, raportoi herët të dielën agjencia amerikane Human Rights Activists Neës Agency. Sipas saj, numri i viktimave ka shkuar në të paktën 15 të vrarë, ndërsa janë regjistruar më shumë se 580 arrestime. Ky grup, i cili mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Iranit për raportimet e tij, ka rezultuar i saktë edhe gjatë trazirave të mëparshme.
Kuptimi i shkallës reale të protestave ka qenë i vështirë. Mediat shtetërore iraniane kanë dhënë shumë pak informacion për demonstratat. Videot online ofrojnë vetëm pamje të shkurtra të njerëzve në rrugë ose dëgjimin e të shtënave me armë. Gazetarët në Iran, në përgjithësi, përballen gjithashtu me kufizime serioze në raportim, si detyrimi për të marrë leje për të udhëtuar brenda vendit, si edhe rrezikun e ngacmimeve apo arrestimeve nga autoritetet.
Megjithatë, protestat nuk duken se po ndalen, edhe pasi Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei deklaroi të shtunën se “rebelët duhet të vihen në vend”.
Pse nisën demonstratat?
Rënia e monedhës rial ka çuar në thellimin e krizës ekonomike në Iran. Çmimet janë rritur për mishin, orizin dhe produkte të tjera bazë të tryezës iraniane. Vendi po përballet me një normë vjetore inflacioni rreth 45%.
Në dhjetor, Irani prezantoi një nivel të ri çmimi për benzinën e subvencionuar në rang kombëtar, duke rritur çmimin e një prej karburanteve më të lira në botë dhe duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi popullsinë. Teherani mund të kërkojë rritje edhe më të forta të çmimeve në të ardhmen, pasi qeveria tani do t’i rishikojë çmimet çdo tre muaj.
Protestat nisën fillimisht nga tregtarët në Teheran dhe më pas u përhapën. Edhe pse në fillim ishin të përqendruara te çështjet ekonomike, shumë shpejt demonstratat panë edhe slogane kundër qeverisë.
Protestat u përhapën shpejt në qytete të tjera, si Hamedan, Isfahan dhe Lorestan, si edhe në universitete. Shkaku i parë është kriza ekonomike që ka shkatërruar klasën e mesme, por kërkesave ekonomike u shtohen edhe thirrje për një ndryshim të thellë politik. Nëpër protesta dëgjohen slogane si “vdekje diktatorit” dhe “as Gaza, as Libani, jetën time për Iranin”, kundër mbështetjes për grupe dhe milici rajonale. “Ky sistem kriminal e ka marrë peng të ardhmen tonë, nuk do të ndryshojë me reforma apo premtime të rreme”, shkruajnë studentët e Universitetit Beheshti.
Nga SHBA, presidenti Donald Trump komentoi në rrjetin social Truth Social: “Nëse Irani do të qëllojë dhe do të vrasë në mënyrë të dhunshme protestues paqësorë, siç e ka zakon, Shtetet e Bashkuara do të vijnë në ndihmë të tyre. Jemi gati të nisim.”
Më 1 janar në Lordegan, një provincë në jugperëndim ku mbizotëron etnia lur, manifestimet degjeneruan në përplasje të dhunshme me forcat e policisë dhe me basijët, paramilitarët përgjegjës për represionin e protestave. Disa video tregonin protestues të mbledhur në rrugë, ndërsa dëgjohej zhurma e të shtënave. Në Lordegan, të paktën 6 persona u vranë, mes tyre një 21-vjeçar anëtar i basijëve, dhe 30 persona u arrestuan “për prishje të rendit publik”.
Sipas agjencisë së lajmeve pranë Pasdaran, Fars, “protestuesit hodhën gurë ndaj ndërtesave administrative”, ndërsa aktivistë dhe OJQ denoncuan përdorimin e plumbave. Zemërimi ka qenë duke zier prej vitesh, veçanërisht pas vdekjes në vitin 2022 të 22-vjeçares Mahsa Amini që nxiti protesta mbarëkombëtare.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili ishte zgjedhur me premtimin për të përmirësuar administratën dhe për të zbutur kontrollin shoqëror, përballet me kriza të shumta, kolapsin e sistemit të ujit, problemet e atij energjetik, korrupsionin, sanksionet ndërkombëtare dhe kërcënimin e një sulmi të ri izraelit. Me një vendim të paprecedentë, ai u takua me përfaqësues të protestuesve, lejoi që televizioni publik IRIB të mbulonte pjesërisht manifestimet dhe shkarkoi Mohammadreza Farzin, guvernatorin e urryer të bankës qendrore. Por ka pak mjete për të përballuar shkaqet strukturore të krizës iraniane: nuk kontrollon aparatet e sigurisë dhe, mbi të gjitha, nuk ka pushtet vendimmarrës mbi çështjet strategjike, për shembull të politikës së jashtme, për të cilat fjalën e fundit e ka ende udhëheqësi suprem 86-vjeçar Ali Khamenei.
Aleancat e Iranit janë dobësuar
“Boshti i Rezistencës” i Iranit, i cili u forcua në vitet pas pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA në vitin 2003 dhe okupimit pasues, po kalon një moment të vështirë.
Izraeli ka goditur rëndë Hamasin në luftën shkatërruese në Rripin e Gazës. Hezbollah, grupi militant shiit në Liban, ka parë udhëheqjen e tij kryesore të vritet nga Izraeli dhe po përballet me vështirësi serioze. Një ofensivë e shpejtë në dhjetor 2024 rrëzoi aleatin dhe klientin e vjetër të Iranit në Siri, presidentin Bashar al-Assad, pas vitesh lufte. Edhe rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, janë goditur rëndë nga sulmet ajrore izraelite dhe amerikane.
Ndërkohë, Kina ka mbetur një blerëse kryesore e naftës bruto iraniane, por nuk ka ofruar mbështetje të hapur ushtarake. As Rusia nuk e ka bërë këtë, ndonëse është mbështetur te dronët iranianë në luftën e saj në Ukrainë.
Komente










