TIRANE - Disa banorë të zonës së Bathores në periferi të kryeqytetit kanë protestuar sot me pankarta ku kërkonin legalizimin falas të banesave të tyre. Pamjet e protestës, siç duket edhe nga fotoja e mëposhtme, janë dërguar në rubrikën "Raportoni ju" të tv. "A1Report!".

Në fotografi duken qytetarë që e kanë konsideruar mashtrim, legalizimin falas të premtuar nga Qeveria. Kjo ndodh në një kohë kur Kryeministri dhe anëtarë të Qeverisë kanë sensibilizuar në vazhdimësi se legalizimi do të bëhet krejtësisht falas për qytetarët që kanë ndërtuar shtëpitë në pronën e tyre dhe me një pagesë shumë të ulët, thuajse simbolike, për ata që kanë ndërtuar mbi trojet shtetërore.

Bathorja është një nga ato zona që është populluar nga qytetarë të zhvendosur nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, të cilët kryesisht u vendosën në trojet shtetërore e më rrallë, në troje private.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)