Protesta e shoqërisë civile kundër marrëveshjes me greqinë për çështjet e detit është zhvendosur në qytetin e Burrelit. Aktivist të shoqërisë civile, kërkuan që edhe matjanët t’i bashkohen kauzës për të mos lejuar të falet territor greqisë nga negociatat që po bëhen nga të dyja vendet. Nga Burreli, aktivisti Aulon Kalaja, përshëndeti vendimin e presidentit Ilir Meta në lidhje me këto negociata. 

Ndërkohë Kalaja tha se nuk ka asnjë transparencë në lidhje se për çfarë është diskutuar në negociata qoftë në Kretë e qoftë në Korçë. Aktivisti Aulon Kalaja tha gjithashtu se është kërkuar që kjo çështje t’i nënshtrohet një referendumi.

Ndërkaq fjalën e morën edhe qytetarë matjanë të cilët kërkuan që greqisë të mos i falet “asnjë pëllëmbë det”

Protesta e shoqërisë civile do të vijojë nëpër rrethe, duke u pasuar me protestën e madhe në Tiranë kur të zhvillohet takimi ndërkryeministror mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 

d.gj/ Shqiptarja.com