Protesta, Basha kërkon ngritjen
e çadrave para zyrës së Ramës

Protesta, Basha kërkon ngritjen<br />e çadrave para zyrës së Ramës
Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim me krerët e partive aleate, parlamentare dhe jo parlamentare, në kuadër të parapërgatitjeve për protestën e 18 Shkurtit, si formë presioni ndaj mazhorancës qeverisëse për të pranuar kushtin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e 18 Qershorit.

Në takimin me dyer të mbyllura janë propozuar disa skenarë, me qëllim për të maksimalizuar efektet e protestës, jo vetëm tek qeveria, por edhe tek faktori ndërkombëtar. Burime brenda takimit bënë me dije për Shqiptarja.com se, një prej skenarëve të propozuar, parashikon mbajtjen e një protestë maratonë në 18 Shkurt, ku pas përfundimit të fjalimeve në podium, protestuesit nuk do të largohen, por do të ngrenë çadrat në hapësirën mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.

Skenari, i propozuar dje nga bashkëpunëtorët e Lulzim Bashës, ka gjetur mbështetjen e plotë të këtij të fundit, por edhe të disa prej aleatëve. Nuk bëhet fjalë për një grevë urie, si ajo e majit të vitit 2010 kundër vjedhjes së pretenduar të votës, por për krijimin e kushteve për të mundësuar qëndrimin e mbështetësve të opozitës, gjatë gjithë natës, para zyrës së kryeministrit Edi Rama. Protesta maratonë dhe ngritja e çadrave para Kryeministrisë ka qenë propozimi dominuar në mbledhjen e djeshme, por në takim janë hedhur edhe opsione të tjera. Megjithatë, do të ketë një vendim të dytë, i cili do të përcaktojë përfundimisht modalitetet dhe natyrën e protestës së 18 Shkurtit.

Shqiptarja.com ka mësuar se opozita shqiptare ka ngritur një shtab për mbarëvajtjen e protestës së 18 Shkurtit. Gjatë takimi është theksuar domosdoshmëria e masave për të evituar çdo akt dhunë në 18 Shkurt.

Shtabi, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive, do të kujdeset për të mbajtur nën kontroll turmën, me qëllim për të shmangur konfrontimet me policinë apo Gardën e Republikës. Ngritja e shtabit hedh poshtë edhe disa paralajmërime të segmenteve të caktuara të opozitës për një protestë të dhunshme në 18 Shkurt. Nga ana tjetër, në funksion të një pjesëmarrje sa më të madhe në protestë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka nisur një tur për të mobilizuar njerëzit.

Në artikulimet e fundit publike, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se në 18 Shkurt nuk do të mbahet thjeshtë një protestë, por do të nisë një lëvizje, e cila sipas tij, do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Kreu i opozitës ka paralajmëruar se lëvizja do të jetë e pandalshme, me qëllim rrëzimin e qeverisë.

Por, në kushtet kur faktori ndërkombëtar ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për numërim dhe votim elektronik, për shkak të kohës së pamjaftueshme të realizimit të projektit, përfaqësues të mazhorancës kanë deklaruar se opozita po tenton të krijojë një tension artificial para zgjedhjeve, me qëllim për të justifikuar një humbje të mundshme në 18 Qershor. Përfaqësues të PS kanë deklaruar se qeveria nuk mund të rrëzohet me banditë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar mbrëmë një takim me të rinjtë e FRPD. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se opozita nuk do të pranojë zgjedhje të vjedhura. Kjo deklaratë duket se është një paralajmërime për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve. "Nuk u realizua asnjë nga premtimet e qeverisë. Fatin e vendit do ta marrin në dorë vetë qytetarët në protestën e 18 Shkurtit. Nuk pranojmë zgjedhje të vjedhura. Në 18 shkurt në Tiranë do të mblidhemi në një protestë mbarë kombëtare dhe të rinjtë do të jenë në ballë të saj. Sot kemi kërcënimin nga një tjetër tirani e rrezikshme”, deklaroi Basha.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

“Tre euro më shumë në faturë për çdo pjatë bosh!”, zgjidhja e restorantit malor në Itali zemëron klientët

“Tre euro më shumë në faturë për çdo pjatë bosh!”, zgjidhja e restorantit malor në Itali zemëron klientët