Një pjesë e simpatizantëve të PD që morën pjesë dje në protestë e kanë kaluar natën në çadrat e ngritura para Kryeministrisë, ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se do të vazhdojë deri në largimin e Ramës nga qeveria.
Basha tha se mbështetja qytetare, por edhe ajo ndërkombëtare po rritet pro kauzës së opozitës shqiptare. Ai foli për një demokraci të re që do të lindë nga sheshi para Kryeministrisë, që do t'i japë fund sipas tij, demokracisë fasadë që solli Rama.
"Kemi një demokraci fasadë, ku shkelen përditë të drejtat e qytetarëve kemi parlament fasadë, që nuk përfaqëson as socialistë e as demokratë.
Detyra jonë është t’i japim fund demokracisë fasadë dhe zgjedhjeve fasadë, që bëhen për të mbajtur në pushtet një grusht pushtetarësh që duan të mjelin Shqipërinë.
Duhet të kthejmë shpresën për një vend më të mirë. Nga ky shesh i kemi dhënë një mesazh të fuqishëm botës mbarë se shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë
Nuk ka kthim pas pa larguar Edi Ramën nga pushteti, qeveri teknike për zgjedhje të lira” u shpreh Basha.
Lideri i opozitës e mbylli fjalën e tij duke thënë se rruga kalon përmes qëndresës dhe sakrificës dhe se në protestën e djeshme frika vdiq.
Greva e urisë
Ngritja e çadrës para zyrës së kryeministrit Edi Rama duket se do të jetë hapi i parë i Partisë Demokratike, në përpjekje për krijimin e një situate destabilizuese para zgjedhjeve të 18 Qershorit.
Përfaqësues të opozitës, konkretisht deputeti Luçiano Boçi dhe kreu i FRPD Belind Këlliçi kanë paralajmëruar mundësinë e kalimit në një grevë urie. “Tek çadra do të ketë grevë urie, ne nuk largohemi. Protestuesit nuk do largohen nga Bulevardi deri në rrëzimin e Edi Ramës”, tha Boçi.
Plani për dhunë
Në varësi të reagimit të faktorit ndërkombëtar dhe lëvizjeve të mazhorancës, opozita pritet ndërmarrë lëvizjen e dytë, që parashikon zhvillimin e një greve urie.
Po ashtu, opozita duket se ka edhe një plan B, i paralajmëruar deri diku dje edhe nga dy përfaqësues të PD, Arben Ristani dhe Aldo Bumçi.
Ristani ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri sa të largohet qeveria, ndërsa Aldo Bumçi ka nënkuptuar kalim në një aksion dhune. Ai tha se nëse Rama nuk largohet butësisht, do të përdoren mjete të tjera për ta larguar.
Zhvillimet nga dita e dytë e protestës së PD para Kryeministrisë
Ora 22:50 Basha: Protesta e PD, nismë kombëtare
Nismë kombëtare e ka cilësuar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, protestën e opozitës.
Pas vendimit të grupit parlamentar për të bojkotuar Kuvendin, shefi i opozitës përshëndeti protestuesit të cilët prej dy ditësh ndodhen te çadra e ngritur posaçërisht në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
"Kjo protestë e PD-së është një nismë kombëtare. Fitorja jonë do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. S'ka zgjedhje të lira me këtë qeveri të kapur nga krimi, nuk ka drejtësi, nuk ka rregulla. Me arrogancën dhe paturpësinë e Ramës nuk ka zgjedhje të lira. Jemi të gjithë këtu të gjithë të bashkuar për një qëllim, të garantojmë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm", u shpreh Basha.
Ora 22:30 Mbërrin në çadrën ku po protestohet kreu i PD Lulzim Basha
Ora 19:25 Berisha: Mosbindje civile nëse Rama s'pranon qeverinë teknike
Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sot se opozita do të nisë mosbindjen civile nëse kryeministri Edi Rama nuk pranon kushtin për qeveri teknike, e cila të organizojë zgjedhjet e 18 qershorit.
Berisha tha nga çadra e protestuesve përpara Kryeministrisë se PD nuk duhet të tërhiqet nga qëndrimi i saj, pasi ndryshe, siç theksoi ai, kostot do të jenë për këtë forcë politike.
Protestën e nisur një ditë më parë përpara Kryeministrisë, Berisha e krahasoi me atë të vitit 1991 kur PD erdhi në pushtet pas fitores së zgjedhjeve të 22 marsit.
"S'ka pasur kurrë protestë 4 muaj para zgjedhjeve. Kjo protestë është kambana më e fuqishme e alarmit për çdo shqiptar. 4 muaj para zgjedhje nuk proteston kurrë një forcë nëse nuk e konsideron jetike protestën. Ishin gjysmë milioni shqiptar që erdhën në këtë mision dje. Janë në mision të madh. Pra, të gjithë atyre që analizojnë këtë protestë, të mos harrojnë se shpërtheu katër muaj para zgjedhjeve çka s'ka ndodhur kurrë që nga viti '91 e deri sot.
Në '91 shpërtheu se me kultin e Hoxhës nuk kishte zgjedhje edhe tani me kultin e krimit nuk ka zgjedhje. Është një protestë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe e një fuqie të pandalshme.
Nëse Rama nuk pranon, PD do ia imponojë që ta pranojë me një këmbë. Mosbindja civile ka 52 forma demokratike të saj. Do zgjedhim gjithsecilën për t'i treguar vendin atij, ediskobarit që nuk tregohet i ndjeshëm ndaj qytetarëve.
Familjarët e mi le të jenë në protestë, janë si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë", u shpreh Berisha.
Ora 19:10 Kruja: Rama të mos jap mesazhe por të reflektojë e të dorëhiqet
Pas deklaratës së kreut të qeverisë Edi Rama në “Komunikimin javor”, deputeti i PD Eltis Kruja është shprehur se Ramës nuk i takon të jap mesazhe por të reflektojë dhe të përmbushë kërkesat e qytetarëve.
Në një prononcim për Report TV Kruja tha Rama duhet të japë dorëheqjen. Sipas tij nëse do të bëhej një votim i lirë, kjo mazhorancë e ka të pamundur të fitojë një mandat të dytë.
“Opsionet janë në dorë të qytetarëve, Rama të jap dorëheqjen, jemi këtu për thelbin e demokracisë, vota e lirë. Nuk ka asnjë shans që rilindja të rikonfirmohet edhe një herë në pushtet. Nuk jemi këtu për të marrë pushtetin e tavolinë por për votën e lirë të qytetarëve”, u shpreh Kruja.
I pyetur për atmosferën në çadrën ku po zhvillohet protesta, deputeti i PD u shpreh se ka një entuziazëm shumë të madh i cili sa vjen dhe shtohet.
Ora 19:00 Ish kryeministri Berisha mbërrin në çadrën ku po zhvillohet protesta e PD.
Ora 17: 45 Dogjani: Rama strategji për të blerë votat në 18 qershor
Deputeti i PD, Asllan Dogjani akuzon kryeministrin Edi Rama se do blejë votat në 18 qershor.
I ftuar në studion e Report Tv, Dogjani komentoi protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, duke deklaruar se vota e shqiptarëve është në rrezik nga paratë e krimit dhe drogës.
"Rama ka krimin që ka futur në qeveri. Ka inkriminuar një pjesë të zinxhirit të policisë në trafikun e drogës. Kemi ministrin e Brendshëm me makinën e të cilit është transportuar drogë.
Në atë çadër janë njerëz të cilët rrinë aty për një kauzë shumë të drejtë. Gjithçka lidhet tek vota. Nëse dikush na merr votën me dhunë me para dhe fakti që në këto katër vite kemi ardhur duke u varfëruar, atëherë ky njeri ka planifikuar ta blejë votën. Ky e ka ndërtuar strategjinë që t'i blejë votat, t'i manipulojë dhe t'i bëjë presion votuesve me paratë e krimit, drogës", u shpreh Dogjani.
Ai tha se kjo protestë duhet të mbetet në histori si protesta që vendosi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ora 17: 30 Rama s'do votim elektronik se s'manipulon dot votat
Kreu i PD Lulzim Basha ka ritheksuar dhe një herë që kushti i vetëm për t’i dhënë fund sipas tij demokracisë 'falso' është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ai ka deklaruar se fakti që Rroshi është ende në krye të Bashkisë së Kavajës apo prania në Kuvend e deputetëve me të shkuar kriminale është një tregues që Rama nuk shkëputet dot nga kriminelët. Sipas tij këta "kriminelë" kreut të qeverisë i duhen për të vjedhur votat e qytatarëve pasi nuk mundet t'i fitojë dot ndryshe zgjedhjet.
"Nuk përballet dot me gjykimit, nuk i lëshon kriminelët, Rroshi ende në krye të bashkisë, 19 deputetë me të shkuar kriminale i ka akoma në kuvend, i mban se i duhet për zgjedhjet. Prandaj nuk e do votimin elektronik pasi nuk maipulon dot votat e qytetarëve", u shpreh Basha.
Protesta e zhvilluar përpara kryeministrisë, sipas Bashës i ka treguar botës se sa të vendosur janë shqiptarët për ta hedhur poshtë këtë fasadë të krijuar nga Rama dhe se kjo protestë nuk ka qenë një vendim i PD por ka qenë vendimi i vetë qytetarëve.
Ora 16:23 Belind Këlliçi: Të vendosur për qeveri teknike, e duan shqiptarët
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u shpreh nga tenda e protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, se kërkesa për qeveri teknike është kauza e të gjithë shqiptarëve të cilët duan garanci për zgjedhjet.
Ai tha se protestuesit do vijonë të qëndrojnë në Bulevard deri në plotësimin e kësaj kërkese.
"Jemi të vendosur të qëndrojmë në këtë shesh përballë zyrës së Kryeministrit. Qeveria teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk është një kauzë e PD-së, por një kauzë e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Kjo është një betejë që ne po e bëjmë për të gjithë shqiptarët", u shpreh Këlliçi.
Ora 14:51 Fleckenstein nesër në Shqipëri, negociata për protestën e PD
Eurodeputeti Knut Fleckenstein ditën e hënë nis një vizitë tre ditore në Shqipëri për të negociuar për krizën politike pas protestës që ka nisur opozita prej ditës së djeshme duke përsëritur negociatat e Stefan Fyles në 2009 mes Ramës dhe Berishës.
Knut Fleckenstein, që është raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian është shfaqur gjithmonë në Tiranë për të zgjidhur konfliktet politike mes palëve, teksa hera e fundit ishte kur u miratua ligji i dekriminalizimit që i dha fund bojkotit të PD.
Vizita vjen pak ditë pasi është miratuar në Parlamentin Europian rezoluta për Shqipërinë e hartuar nga eurodeputeti gjerman dhe kriza politike do të dëmtonte procesin e integrimit.
Eurodeputeti është parashikuar që të zhvillojë takime me liderët e politikës shqiptare, ndërsa opozita kërkon garanci për zgjedhjet e 18 qershorit, që sipas saj është vetëm largimi i qeverisë Rama.
Në rezolutën për Shqipërinë në PE theksohej se reforma në luftën kundër korrupsionit si dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor të 2017 do të jenë çelësi për hapjen e negociatave.
Pikërisht fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi ishte në qendër të vizitës së eurodeputetit gjerman, por pas protestës së opozitës tashmë i është hapur më shumë punë për të ulur tensionet.
Ora 14:00 Deputeti i PD, Igli Cara: Bojkot Kuvendit, për grevën do të diskutohet
Ora 13:00 Basha: Nuk ka kthim pas deri në largimin e Ramës
Opozita vazhdon protestën në ditën e dytë para Kryeministrisë, ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se do të vazhdojë deri në largimin e Ramës nga qeveria.
Basha tha se mbështetja qytetare, por edhe ajo ndërkombëtare po rritet pro kauzës së opozitës shqiptare.
Basha foli për një demokraci të re që do të lindë nga sheshi para Kryeministrisë, që do t'i japë fund sipas tij, demokracisë fasadë që solli Rama.
Lideri i opozitës e mbylli fjalën e tij duke thënë se rruga kalon përmes qëndresës dhe sakrificës dhe se në protestën e djeshme frika vdiq.
Fjala e plotë e Bashës në çadër para Kryeministrisë
Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pa këtë qeveri të kapur nga krimi dhe droga.
Fitorja do të jetë e juaja, e cdo shqiptari, ne nuk jemi mbledhur për kauzën e Bashës apo PD, por të cdo shqiptari dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Ku jemi sot këtu, jemi në hapësirën e parë të lirisë së re që po vjen, të demokracisë së vërtetë.
Zëri i qytetarëve këtu dëgjohet, ky është sheshi nga ku do të nisim pushtetin e qytetarëve.
Përballë nesh kemi një fasadë, nga mjeshtri i fasadave, që gjithë jetën e tij është shquar për fasada.
Fasada dhe bojë përpara dhe rrëmujë pas dhe tani këto tre vite ka ndërtuar fasado- demokracinë, ku të drejtat e qytetarëve dhunohen ditë për ditë.
Një parlament fasadë që nuk përfaqëson popullin shqiptar, por një grusht njerëzish të lidhur me krimin.
Një pakicë vjedh dhe i thotë shumicës hesht, që është pasuruar dhe gëzon mbi gjakun e shqiptarëve.
Prandaj jemi sot këtu, më shumë se kurrë, prandaj njëlloj si 27 vite më parë, 20 shkurtin, kishim fituar të drejtën e pluralizmit, por ishte fasadë dhe shqiptarët u ngritën dhe rrëzuan shtatoren e diktaturës.
Sot detyra jonë më e madhe është ti japim fund demokracisë fasadë.
Do të kthejmë shpresën për një jetë më të mirë, por së pari dueht ti japim fund zgjedhjeve fasadë.
Bota na ka përshëndetur, jo më demokraci fasadë, por zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Rruga kalon përmes qëndresës dhe sakrificës. Dje frika vdiq dhe u vra, Shqipëria është ngritur.
Nga ky shesh liria do të vijë duke u zgjeruar në cdo qytet të Shqipërisë, mundësia për cdo shqiptar është sot e prekshme.
Ftoj qytetarët të bashkohemi në këtë protestë pa kthim, deri në largimin e qeverisë së korruptuar dhe një qeverie teknike që do të respektojë votën e lirë.
Nuk ka kthim pas drejt standardit europian të zgjedhjeve.
Do të rindezim të gjithë motorët e ekonomisë. Dje morëm vendimin e madh për zgjedhje të lira pa Ramën dhe sot e tutje do të marrim të tjera vendime të mëdha.
Qëndresë dhe bashkim dhe një shesh të lirisë nga i cili askush nuk do të ndihet i harruar dhe i braktisur.
Dita e dytë sapo ka nisur, mbështetja juaj është garancia se fitorja po vjen dhe fitorja do të jetë e Shqipërisë.
Në këtë shesh do të qëndrojmë dhe nga këtu do të shpallim fitoren e Shqipërisë dhe demokracisë së re.
Ora 12:50 Paloka: S'ka zgjedhje me Ramën, bojkot Kuvendit
Kryetari i grupit të PD, Edi Paloka në një intervistë për Report Tv nga çadra para Kryeministrisë deklaroi se me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje, ndërsa parlamenti do të bojkotohet deri në reagimin e qeverisë për kushtin e opoziës.
Intervista e Edi Palokës për Report Tv
Cfarë synoni që të arrini?
Mbrëmë kemi qëndruar gjatë gjithë natës, sot janë shtuar qytetarët. Jemi të vendosur që të qëndrojmë derisa kërkesa jonë për largimin e qeverisë të largohet.
Ramën duhet të reagojë shpejt, mos e gënjejë mendja se ata që ishin dje nuk janë një me këta sot. Në një të ardhme të shpejtë do të jemi dyfish.
Nëse nuk ka përgjigje, a keni një plan B?
Kjo rrugë nuk ka më kthim, ka vetëm një zgjidhje, ose bëhen zgjedhje të lira ose jo.
Në 18 qershor nëse nuk ka zgjedhje të lira, pra nëse nuk ikën Rama nuk do të ketë proces zgjedhor.
Cfarë zhvillimesh priten?
Në mbledhjen e kryesisë dhe grupit do të marrim vendimet tona për mënyrën si do të vazhdojë protesta dhe si do të përshkallëzohet.
Do të ketë lëvizje në të gjithë Shqipërinë, këtu është qendra, kjo çadër është simboli i lëvizjes.
Mënyra si do zhvillohet për të arritur qëllimin, do të marrë mendimet e duhura.
A ka opsion për grevë urie?
Të gjitha vendimet do të merren nga forumet e PD dhe varet nga reagimi i Ramës dhe dy pjesëve të ndara të shumicës.
Mendimi im është që të mos vazhdojmë në parlament, jemi në rrugë, parlamenti ka degraduar.
A keni një mesazh për qytetarët?
Numri i djeshëm vetëm mund të rritet. Mbi 70% e popullit kundër Ramës.
A ka pasur komunikim me qeverinë?
Rama show qesharak me atë që bëri nga Kosova. Nëse do të vazhdojnë me indiferencë do të kenë të njëjtën përgjigje.
Ora 12:30 PD paralajmëron bojkot: Kuvendi jonë ndodhet para Kryeministrisë
Deputeti i PD, Luçiano Boçi i ftuar në studion e Report Tv për të komentuar protestën e opozitës përpara zyrës së kryeministrit u shpreh se nuk do të heqin dorë nga kauza e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Boçi paralajmëroi edhe një bojkot të mundshëm të Kuvendit kur u shpreh se tashmë parlamenti është te çadrat e ngritura nga PD përpara godinës së qeverisë.
"Protesta e opozitës, nuk ka diskutim për numra. Qytetarët janë ata që vendosin sot.
Problemet zgjidhen kur respektohen qytetarët, ne duam zgjedhje të lira mos deformohet vullneti i qytetarëve.
Një qeveri nuk duhet qa ta shpërfill popullin, pra ndaj qëllimi ynë është qeveria teknike dhe për këtë nuk ndalemi" deklaroi ai.
Opozita vazhdon protestën në ditën e dytë përpara Kryeministrisë ndërsa pritet që protestuesit të futën në grevë urie.
Ora 12:10 Protesta, në 14:00 PD vendos për hapat që do merren
Kreu i PD Basha do të mbledhë në 14:00 kryesinë e partisë tek selia blu. Në mbledhjen e kryesisë së PD do diskutohet për hapat që do merren për protestën
Ora 11:40 Kreu i PD, Lulzim Basha pas takimit me qytetarët është larguar nga çadra.
Ora 11:25 Protesta e opozitës, Kryeministria rrethohet me gardh hekuri
E ndërsa dje ishin në gatishmëri rreth 1500 policë për të shmangur incidentet gjatë protestës së opozitës, sot përpara Kryeministrisë ndodhet një numër shumë i vogël efektivësh, por është vendosur një rrethim me kangjella hekuri.
Rrethimi me kangjellat e hekurit është vendosur për të zëvendësuar kordonin e policëve që ishin dje para Kryeministrisë.
Gardhi i hekurit është vendosur mes çadrës së ngritur nga Partia Demokratike dhe godinës së qeverisë.
Aktualisht protestuesit e PD vazhdojnë protestën, ndërsa nuk është shënuar asnjë incident.
Ora 11:00 Basha u shpreh për mediat se më vonë do të jetë komunikime dhe vendime të rëndësishme.
Ora 10:30 Protesta e PD, Basha rikthehet në çadër
Pas rreth 5 orëve, Lulzim Basha është rikthyer në protestën që PD po zhvillon përpara Kryeministrisë.
Basha u largua mëngjesin e sotëm, ndërsa u rikthye rreth orës 10:30 në ambientet e brendshme të çadrës që është instaluar para godinës së qeverisë.
Basha është takuar dhe po bisedon me simpatizantët pas mbërritjes në çadër, ndërsa shoqërohet nga bashkëshortja.
Ora 10:10 Kadilli: Nëse s'ka kohë për votim elektronik, duam qeveri teknike!
Drejtuesi i Departamentit të Burimeve Njerëzore në PD, Fatbardh Kadilli shprehet se nuk do të dorëzohemi në plotësimin e kërkesave.
Kadilli thotë se nëse nuk ka kohë për votim elektronik, atëherë qeveri teknike për zgjedhjet, që është garanci se nuk do të vidhen.
"Transmetimi i protestës Live nga Rama dje? Ai nuk kupton politikë, por vetëm komunikim dhe argëtohet me produktet e veta. Dua ti kujtoj që protesta e tij nuk ka qenë e ngjashme me atë të atij, pa u prekur asgjë.
Qytetarët duan në radhë të parë që zgjedhjet nuk mund të cënohen.
Kërkesat tona janë hedhur në kosh janë injoruar deri, nuk na është dhënë garanci.
Prandaj nuk ishte vetëm një opozitë politike, por cdo qytetar.
Sot jemi si në 1990, kemi përballë një pushtet kriminal. Pa marrë garanci për zgjedhje të lira, nuk do të dorëzohemi.
Nëse nuk ka kohë për votim elektronik, atëherë qeveri teknike për zgjedhjet" deklaroi ai.
Ora 09:10 Oriela Nebiaj: Ky ishte vetëm fillimi për t'i shkuar deri në fund kauzës
"Unë jam brezi i teknologjisë, ndryshe nga 1991. Ne luftojmë sot me të tjera mjete, atëherë dëshira dhe ideali ishin të mjaftueshme për të qëndruar me muaj për të rrëzuar regjimin.
Të rinjtë janë të parët, ishin në krye të lëvizjes, qëndruan përgjatë gjithë natës.
Do të jemi këtu derisa t'i shkojmë deri në fund kësaj kauze" deklaroi zëdhënësja e PD, Oriela Nebiaj.
Ora 09:05 Kreu i PD, pritet që të rikthehet në protestë. Basha u largua në orën 06:00 të mëngjesit, ndërsa qëndroi përgjatë gjithë natës me simpatizantët e PD.
Ora 08:55 Simpatizantë të PD: Këtu deri sa të rrëzohet qeveria
Një tjetër qytetar shprehet se do të protestojë derisa të rrëzohet qeveria, pasi sipas tij, 'Rilindja' ka bërë dhe po bën presion me para dhe me dhunë. Gjithashtu ai tha se jam një familje me 5 pjesëtar dhe asnjë nuk punon.
Ora 08:50 Simpatizantë të PD: Protestë për papunësinë, drogën dhe krimin
"Jam i papunë, do të vazhdoj që të protestoj derisa të plotësohet ajo që kërkon PD. Shqipëria është bërë Kolumbia e Europës. Vota është vjedhur, ka pasur edhe presioni dhe frikë" deklaroi një nga qytetarët që ndodhet në çadrat e PD para Kryeministrisë.
Ora 08:45 Dhurata Çupi: Dekriminalizim dhe zgjedhje të lirë
Edhe deputetja e PD, Çupi për mikrofonin e Report Tv shprehet se do të vijojë që të qëndrojë në protestë derisa të marrin garanci për kërkesat që kanë për zgjedhje të lira.
Ora 08:40 Në protestë me simpatizantët e djathtë ndodhet edhe deputeti i PD, Eduard Selami, i njohur si kundërshtar i Bashës për disa cështje, por i është bashkuar kauzës për zgjedhje të lira që mund ti sigurojë vetëm një qeveri teknike, sipas liderit opozitar.
Ora 08:35 Gerti Bogdani: Protesta vijon, nuk ndalemi, zgjedhje të lira!
Në ditën e dytë të protestës së PD, deputeti Gerti Bogdani u shpreh për Report Tv se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesës së saj për garantimin për zgjedhje të lira me një qeveri teknike.
"Ishte një vendim i rëndësishëm, gjatë natës ka pasur qindra njerëz, ndërsa gjatë ditës do të ketë edhe shumë të tjerë.
Duam qeveri teknike për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Protesta është paqësore dhe ku kërkohet të ketë një ndryshim, jo thjeshtë një parti të zëvendësojë një tjetër.
Disa spekulantë thonë se protesta është alibi për zgjedhjet, por dua të them se kryeministri ka frikë nga vota e lirë.
Protestuesit janë të vendosur për të vijuar kauzën dhe për t'i shkuar deri në fund.
Shpresa është e vrarë, gjendja e qytetarëve është përkeqësuar shumë krahasuar me 4 vite më parë, të gjithë e ndiejnë shkelmin e rëndë të pushtetit" deklaroi ai.