Deputeti socialist Erjon Malaj teksa komentoi në 'Sot Live në Shqipëri' rreth protestave në dy javët e fundit tha se dialogu është e vetmja mënyrë për të diskutuar kërkesat e studentëve.
“Qasja e qeverisë duhet të vazhdojë të jetë ajo që ka shprehur kryeministri, e hapur për dialog, e hapur për çdo lloj diskutimi për të çuar pse jo më tej disa kërkesa që studentët i kanë sot, por edhe ato që ndoshta pretendojnë se nuk janë realizuar plotësisht apo ashtu siç duhet nga pakti me universitetin që është bërë në 2018-ën.
Nuk kemi asnjë qasje tjetër ndaj studentëve. Përkundrazi ju siguroj që është në interes të kësaj mazhorance dhe të qeverisë patjetër që studentët të ndihen sa më të vlerësuar në këtë moment do të thoja shumë të rëndësishëm të formimit të tyre profesional dhe duke e ditur që janë e ardhmja e vendit”, tha Malaj.
Ndërkohë analisti Alban Daci i ftuar gjithashtu në ‘Sot Live në Shqipëri’ theksoi se studentët nuk kanë kërkesa për një mirëqenje më të mirë, por kërkesa politike. Por nga ana tjetër ndërsa pohoi se dialogu është forma për të zgjidhur problemet, ai vuri në dukje se protestuesit nuk janë të organizuar.
“E kam thënë dhe e rithem se ato kërkesa që kanë studentët nuk janë kërkesa thjesht për një mirëqenje më të mirë, por janë kërkesa politike. Pra kjo ka qenë thirrja e këtyre muajve e këtyre studentëve. Tani studentët kanë dy opsione bazë. Ata kanë drejtën e tyre legjitime të kërkojnë të kenë përfaqësim politik, por për ta pasur një përfaqësim politik ata duhet të bëjnë një organizim dhe t'i vënë një emër organizimit të tyre dhe protestave të tyre. Pra, të shkojnë drejt një lëvizje politike, pse jo, të krijojnë një subjekt politik dhe të kenë një ofertë politike përballë pushtetit të kryeministrit. E dyta, vazhdoj të them që kërkesa të tilla me natyrë politike nuk mund të bëhen pa dialog dhe dialogu nuk do të thotë që njëra palë fiton e para pala tjetër nënshtrohet. Dialogu do të thotë që arrihet një vijë e mesme. Partia Socialiste dhe Edi Rama mund të lëshojë atë që e konsideron të arsyeshme për të lëshuar politikisht”, tha Daci.
Deputeti nga ana tjetër nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme për anëtarësimin në BE, dhe nuk mund të pranojnë çdo kërkesë që mund ta çojnë vendin në stabilitet.
“Mandati është mandat dhe nuk është individual. Është për një forcë politike. Kemi përgjegjësi për të gjithë shqiptarët na kanë votuar dhe nëse dikush tjetër mendon apo pretendon që përfaqëson një numër më të madh që delegjitimon mandatin tonë duhet ta provojë atë në garë por kjo nuk provohet në çdo moment që dikush e mendon të arsyeshme vetëm se një grup i caktuar mendon të arsyeshme, por kjo vërtetohet dhe provohet në momentet e garave zgjedhore. Ne jemi në një fazë të rëndësishme për vendin tonë (anëtarësimi në BE) dhe ne nuk e kemi luksin që të mendojmë që të pranojmë çdo lloj forme që e çon vendin në destabilitet apo çdo lloj forme që kërkon të vonojë këtë proces”, tha Malaj.
Ndërsa u pyet në lidhje me mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste dhe për debatin Çuçi-Gogu, Malaj tha se këto janë takime që ndodhin brenda familjes së PS dhe normalisht që ka diskutime.
“Mbledhja e grupit të Partisë Socialiste është mbledhje brenda familjes socialiste. Ka diskutime, ka debate, ka dhënie mendimesh si gjithmonë dhe ato që thuan aty”, tha ai.











Komente
Komento