Një ditë pas protestës që banorët e fshatit Rrajcë në Prrenjas zhvilluan ditën e djeshme para bashkisë, ku pretendonin se firma gjermane “Agro-Map Consulting shpk”, iu kishte marrë 700 hektarë tokë, ka ardhur reagimi nga kompania gjermane.
Në një njoftim për mediat, kompania gjermane sqaron se në muajin maj të vitit 2017, është firmosur një kontratë e rregulltë ligjore me Administratën e Zonave të Mbrojtura, pranë Ministrisë së Mjedisit, për të zhvilluar një projekt 5-vjeçar në mbrojtje të ekosistemit dhe të bimëve medicinale në zonën e Rryenit.
Projekti parashikon krijimin e një Kopshti Botanik brenda 5 vitesh, një investim rreth 2 milionë €. Kompania sqaron se pas verifikimeve në Zyrën Vendore të Pasurive të Paluajtshme, toka në fjalë ka qenë pyll dhe shkurrishte, ndërsa në vitet 70 në kohën e kooperativave u kthye në tokë bujqësore për kulturën e patates dhe në asnjë rast nuk rezulton të ketë pasur pronar privat.
Sa i takon pretendimit të banorëve se nuk janë pyetur dhe se projekti i kompanisë gjermane nuk është kaluar në Këshillin e Bashkisë Prrenjas, kompania sqaron se kjo procedurë nuk kërkohet nga ligji, pasi toka në është vetëm nën administrimin e Zonave të Mbrojtura. Gjithashtu, kompania thotë se me banorët janë zhvilluar takime për t’i sqaruar rreth projektit, ku shumë prej tyre tashmë janë të punësuar.