Policia njofton se ka arrestuar Prek Mollën, banor i fshati Baks-Rrjoll në Velipojë, pasi së bashku me 5 të tjerë dyshohet kanë goditur një punonjës të firmës “Gener 2” të botuesit dhe biznesmenit Bashkim Ulaj, e cila po punon për ndërtimin e resortit të këtij të fundit. Prek Molla dhe 5 të tjerët të shpallur në kërkim dyshohet gjithashtu se kanë kërcënuar një punonjëse policie.

Banorët e Rrjollot akuzohen se kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2” në pronësi të biznesmenit Ulaj, duke u thyer xhamat.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. M., 60 vjeç, banues në fshatin Rrjollë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit L. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torrovicë; M. K., 33 vjeç, banues në fshatin Malecaj; D. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; A. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rrjollë dhe N. K., 35 vjeç, banues në fshatin Malecaj.

Këta shtetas dyshohen se dje, në fshatin Rrjollë, kanë goditur shtetasin L. A., 22 vjeç, banues në Tropojë, punonjës i firmës “Gener 2”, dhe kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasen V. C., 30 vjeçe, banuese në qytetin Koplik, punonjëse policie e Komisariatit të Policisë Shkodër, si dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2”, duke u thyer xhamat",- njofton policia.