Protesta, mungon ‘uragani’, jo më shumë se 10.000 veta në shesh! Tymuese dhe shashka Kryeministrisë, Berisha marshon, Meta ikën në seli

Një ‘uragan’ që do të niste një revolucion për të rrëzuar Qeverinë dhe Ramën ishte ‘premtimi’ i radhës i pambajtur i Sali Berishës dhe aleatit të tij Ilir Meta. Jo më shumë se 10 mijë vetë i janë përgjigjur thirrjes për të protestuar kundër asaj që opozita e konsideroi si skandalin e shekullit, më të rëndin në historinë e vendit dhe për të cilin kishte thirrur 100 mijë vetë për të nisur ‘betejën pa kthim’. Pamjet e siguruara nga Report Tv me dron tregojnë një grumbull protestuesish pranë podiumit të instaluar para Kryeministrisë dhe disa qindra të shpërndarë metrave të Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.

Me moton ‘Shqipërisë i dalim zot’ dhe thirrjet 'Rama ik' opozita kërkoi sot dorëheqjen e Ramës, duke e akuzuar se ka shkatërruar Shqipërinë, ka varfëruar shqiptarët, po shpopullon vendin dhe së fundmi ka korruptuar edhe ndërkombëtarët siç është rasti sipas tyre i skandalit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal. Ashtu siç e kanë bërë tashmë traditë të dy liderët e opozitës që udhëheqin ‘revolucionin’ u nisën nga selitë përkatëse dhe u bashkuan para Kryeministrisë.

Protestuesit kishin pankarta të ndryshme, edhe ironizuese, ku u veçuan ato që lidheshin me ‘Big Brother’ por munguan si kryesore ato që shprehnin indinjatën për ‘McGonigal’, sebepi i protestës. Në protestë munguan thuajse tërësisht deputetët e palës tjetër ndërluftuese në Partinë Demokratike me vetëm Jorida Tabakun dhe Dhurata Çupin që ishin ‘përjashtimet nga rregulli’.

Të fundit folën kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe Sali Berisha. Me ish-Presidentin që tha se tashmë shqiptarët kanë vendosur të jenë Zot të vetes dhe se fundi i Ramës ka nisur. Berisha u shpreh se ‘Ramës ia kemi prerë biletën’, teksa edhe shpalosi programin qeverisës me rritje page, luftë krimit dhe korrupsionit dhe përmirësim të shërbimeve.

Protestuesit e mbledhur në shesh Berisha i konsideroi një cunam popullor të revolucionit demokratik. Sapo ish-Kryeministri mbaroi fjalën e tij, si për të nisur ‘revolucionin pa kthim’ në drejtim të Kryeministrisë u hodhën disa tymuese dhe shashka. Dhe gjithçka u mbyll aty, me 3 protestues të shoqëruar nga policia. 

Ilir Meta u nis me shpejtësi drejt Selisë së partisë së tij, ndërsa aleati i tij Sali Berisha nisi ‘marshimin peligrinazh’ në ato që i konsideroi institucione të krimit, te parlamenti, ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe te selia e PS. I shoqëruar nga 50 vetë, mes tyre disa dhjetëra gazetarë e kameramanë dhe një tufë me truproja, ish-Kryeministri e përcaktoi stacionin e radhës të revolucionit, seanca e së hënës në Parlament, ku dhe vendosi betejën e radhës.

1500 ishin forcat e policisë të angazhuara për të ruajtur rendin dhe sigurinë në protestë, ndërkohë që si zakonisht ishin marrë masa përforcuese në institucionin e Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit përballë. Mazhorana ka ironizuar protestën, ndërkohë i vetmi reagim i kryeministrit Rama ka qenë një video e postuar në facebook duke bërë poçe balte. 

VIDEO me dron

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:38
Protesta e Berishës/ Salianji: Dita e llogaridhënies po vjen

1676129951_3307714675787421074879386776275576947949441n.jpg

‘Dita e llogaridhënies po vjen’, Salianji: Qindra mijëra qytetarë kërkuan sot largimin e Ramës

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka publikuar foto nga protesta e zhvilluar këtë të shtunë. Salianji shkruan se sot qindra mijëra qytetarë kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Me demokratët, mes qytetarëve

Qindra mijëra qytetarë kërkuan sot largimin e Edi Ramës dhe qeverisë!

Dita e llogaridhënies po vjen!”- shkruan Salianji.

Ora 16:00
Ironitë e socialistëve, Berisha: Marshimi ishte thjesht sinjal, mesazhi u dha

1676124606_WhatsAppImage20230211at14.57.18.jpeg

Pas protestës së ditës së sotme, ironive të kampit socialist, Berisha e justifikoi me mesazh. Ai u shpreh se marshimi ishte thjesht simbolik.

”Kërkoj lirimin e menjëhershëm të të shoqëruarve. I them Damianit (Gjiknurit), protesta i realizoi 100% qëllimet e saj, marshimi ishte thjesht një sinjal, mesazh të cilin ai e ka marrë shumë mirë.”- u shpreh Berisha.

Ora 15:07
Çfarë mbeti nga protesta e thirrur nga Berisha! Gjurmët e shashkave e tymueseve dhe piketat ‘skenë krimi’ të policisë

Gjithçka ka mbetur para kryeministrisë pas protestës së thirrur nga Sali Berisha janë gjurmët e shashkave dhe tymueseve që u hodhën nga protestuesit. Po ashtu, ndërsa ka mbërritur policia, janë vendosur piketat që përdoren edhe në raste kur ka skena krimi.

Ora 15:04
Protesta e thirrur nga Berisha, 3 të shoqëruar nga policia për incidentet

1676122157_PR14.jpeg

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 3 persona janë të shoqëruar nga policia për incidentet në kryeministri, ku u hodhën shashka e tymuese në përfundim të fjalës së Sali Berishës. 

Ora 14:57
Berisha përmbyll protestën nga selia blu: Shpërndahemi të betuar se do vijojmë revolucionin deri në përmbysjen e monizmit

1676123540_Screenshot4.jpg

Sali Berisha e përmbylli protestën e sotme nga selia blu duke i bërë thirrje të gjithëve që të rikthehen të hënën para parlamentit.

“Shpërndahemi pas ii dhamë një mesazh të fuqishëm shprese, besimi, fitoreje, shqiptarëve në Shqipëri e kudo ndodhen. Pasi i dhamë mesazh të fuqishëm miqve tanë kudo në botë se revolucioni ynë është mision i shenjtë për demokraci e pluralizëm se këtë mision, se idealet tona nuk ka mision në botë që t’i mposhtë. Ndahemi tani të betuar, të vendosur më shumë se kurrë për të vijuar revolucionin për kauzën tonë të drejtë deri në përmbysjen e plotë të monizmit në Shqipëri.

I kërkoj policisë të lirojë menjëherë protestuesit, luftëtarët e lirisë, rezistentët paqësorë sepse çdo cënim i tyre, cilido që ta bëjë, do të regjistrohet si armik i revolucionit kurse protestuesit si të persekutuar politik ju bëj thirrje ju të gjithë duke ju falenderuar që ndoqët këtë marshim me të cilët dhamë mesazhet e duhura. Ditën e hënën në orën 17:00, të gjithë para parlamentit. Parlamenti është i qytetarëve, jo bandës, jo trafikantëve, jo kriminelëve, jo atyre që shkelmojnë kushtetutën, që kanë pushtuar këtë institucion themelor të demokracisë. Le të vazhdojmë revolucionin e plotë”, tha Berisha.

Ora 14:45
FOTO-LAJM / Armina Mevlani 'tallet' me protestuesit, publikon luksin e saj në Facebook

Partia Demokratike protestoi sot para kryeministrisë dhe godinës së parlamentit ku nuk munguan as shashkat dhe molotovët.

E teksa Berisha fliste për krizë ekonomike, nusja e djalit të ish-kryeministrit, Armila Mevlani postonte luksin e saj.

Bashkëjetuesja e e Shkëlzen Berishës ka publikuar pak minuta më parë në Facebook pamjet nga një prej hoteleve luksozë dhe aspiratën e saj për të pasur brandin me mbiemrin e vet.


 

Ora 14:38
Berisha shkon e mban fjalim para selisë së PS-së: Mbesa Beqir Ballukut këput biftekun me lekët tuaja 1000 dollarë

Sali Berisha pas protestës së sotme është ndalur në disa institucione. Ai ka mbajtur fjalim, ndërsa para selisë së PS ka sulmuar socialistët.

“Kam ardhur së pari për një mesazh miqësor për të gjithë socialistët e ndershëm shqiptarë. Kam ardhur për t’u thënë se kjo ndërtesë është shndërruar në simbolin e të keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Edi Rama. .Është një njeri që i del emri në të gjitha regjistrimet e grupeve kriminale! Të dashur socialist, nëse Alda Klosit ju gjetën 700 mijë euro në dyshek. Vendi i Gjiknurit është në burg dhe vetëm në burg. Mbesa e Beqir Balluku këput biftekun me lekët tuaj 1000 dollarë!’ tha Berisha.

Ora 14:31
Berisha ndalet te Bashkia e Tiranës: Erion Veliaj, hajdut i shpifur që e ka vendin në burg

Gjatë marshimit në kryeqytet, Sali Berisha është ndalur para Bashkisë së Tiranës duke folur me gjuhë të ashpër ndaj Erion Veliajt, të cilin e akuzon hajdut dhe thotë se e ka vendin në burg.

“Erion Veliaj është një nga hajdutët më të shpifur, nga korruptorët që vjedh ditën dhe natën. Ky nuk ka të drejtë të hyjë asnjë ditë në këtë ndërtesë. Ky njeri vjedh, ka shtruar fushën me Edi Ramën. Erion Veliaj, ky hajdut i shpifur, ky njeri pa mëshirë vjedh 18 euro në çdo ton plehra që digjen. Deri tani janë bërë llogaritë vetëm nga fusha e Sharrës në minierë floriri për ta, 54 milionë euro të vjedhura. Ka vendosur taksën për arsimin dhe ky hajdut, ky i pafytyrë ndërton shkolla me çmim të 10-fishtë krahasuar me çmimin që del nga manualet europiane të ndërtimit të një shkolle. Ky njeri që është turp fillon, hap tenderin te rruga John Belushi, e ndërton me fondet e Bashkisë, me buldozerët e Bashkisë dhe paratë i fut në xhepin e vet me firmë falsë. Ky e ka vendin në burg dhe vetëm në burg”, tha Berisha.

Ora 14:25
Berisha-policisë: Ikni mos na provokoni! U vendosen në mbrojtje të ministrive

 

Teksa ishte duke bërë marshimin nga parlamenti, Ministria e Brendshme dhe Bashkia Tiranës, ish-kryeministri i ka thënë disa policisë që u vendosen me shpejtësi për të mbrojtur institucionet që ‘ikni nga aty, mos na provokoni

Ora 14:23
Berisha ngjitet te Bunkart përballë Ministrisë së Brendshme: Çuçi të japë dorëheqjen

 

Sali Berisha te Ministria e Brendshme ka kërkuar largimin e ministrit Blendi Çuçi.

Erdhëm këtu për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi, që është anëtar i organizatës kriminale të Ramës, se ai duhet të japë urgjentisht dorëheqjen.  Ky marshim është paqësor, sot, por ky ka objektivat e tij taktike dhe strategjike. Do t’i mësoni në ditët në vazhdim. Ditën e hënë revolucioni është përpara parlamentit,” tha Berisha.

 

Ora 14:15
Berisha marshim drejt Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës! Meta s'e ndjek nga pas

 

Pasi mbajti fjalën para kryeministrisë, Sali Berisha nisi marshim drejt Parlamentit dhe Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës. Ndërkohe Ilir Meta ka shkuar në selinë e Partisë së Lirisë.

Ora 14:15
VIDEO/ Pas protestës, Shkëlzen Berisha i drejtohet selisë blu

 

Pas protestës djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, është larguar në drejtim të selisë blu.

Ora 14:14
Pas përfundimit te protestës, Meta: Mesazh i jashtëzakonshëm i zgjimit, Rama do shporret

Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi protestën e sotme si të jashtëzakonshme.

‘Protesta ishte mesazh i jashtëzakonshëm i zgjimit pa kthim i qytetarëve të Tiranës dhe i mbarë vendit. Ishte mesazh i shporrjes së një kryeministri të zënë në flagrancë. Edi Rama do të shporret. S’ka nevojë për çadër’- tha Berisha.

Ora 14:03
Mbyllet protesta, Berisha dhe Meta largohen nga Bulevardi

1676120676_Screenshot3.jpg

Pas më shumë se 2 orësh opozita ka mbyllur protestën. Sali Berisha dhe Ilir Meta, dy organizatorët e protestës janë larguar nga bulevardi.

Ora 13:52
VIDEO/Berisha përfundon fjalimin, protestuesit hedhin tymuese, shashka e molotov në drejtim të kryeministrisë

Protestuesit kanë hedhur shashka, tymuese e molotov në drejtim të kryeministrisë, sapo Sali Berisha përfundoi fjalimin.

Ora 13:50
Berisha: Ditën e hënë revolucioni është para parlamentit

Sali Berisha nuk arriti që të përfundonte ‘revolucionin’ ditën e sotme, prandaj vendosi që ta shtynte të hënën. Ai njoftoi se ditën e hënë, në orën 17:00 kur është parashikuar që të ketë Kuvend, do të ketë sërish protestë, pikërisht para parlamentit. Kjo pasi sipas tij, ky institucion është kthyer në një vegël të Ramës.

“Edi Ramës ia kemi prerë biletën, kthim pas nuk ka! Edi Rama e ka shndërruar parlamentin në një turp të historisë tonë kombëtare, më keq se parlamenti i Putinit dhe Lukashenkos. Aty ai shfrytëzon çdo mekanizëm për të përjashtuar përfaqësuesit tuaj. Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit. Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare.

Pas përmbysjes së këtij regjimi do të jetë dyfishimi i rrogave, minimumi jetik për çdo shqiptar sa rroga minimale, do të jetë përgjysmimi i sigurimeve shoqërore për fermerë dhe subvencion, rikthimin i çmimit të energjisë në 7 lekë për familjarë dhe 6 lekë për biznese, do të jetë përgjysmimi i taksave për naftën, zero tolerancë ndaj bandave dhe krimit, do të jetë asnjë tender asnjë koncencion pa garë, asnjë kompani offshore s’do të marrë pjesë kurrë në garat në Shqipëri, do të dërgohet për ndjekje penale Edi Rama, stop ndërtimeve të reja të Tiranës, PD do të amnistojë çdo detyrim që krijohet në këtë periudhë që qeveris një person i cili ndodhet në hetim ndërkombëtar”, tha Berisha.

Berisha tha se ora do të ndryshonte në varësi se kur do të niste seanca plenare, mirëpo vetë zyra e shtypit e konfirmoi se Kuvendi do të nisë në 17:00.

“Ju njoftojmë se seanca  plenare Kuvendit të Shqipërisë do të zhvillohet ditën e hënë, datë  13 shkurt, ora 17:00. (Urdhër nr.8, datë 10.02.2023, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.)”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ora 13:47
FOTO /Protesta e Berishës, hidhet një tymuese në drejtim të policisë

 

Gjatë protestës së ditës së sotme, në drejtim të efektivëve të policisë që ishin rreshtuar përballë kryeministrisë është hedhur një tymuese. Siç shihet një efektiv nuk është ndjerë mirë nga tymi.

Ora 13:45
Demokratët e ndarë në protestë, në shesh vetëm Tabaku e Çupi nga grupi Alibeajt

1676119673_page.jpg

Në protestën e thirrur nga Sali Berisha, kanë munguar pjesa më e madhe e deputetëve të cilët janë në grupin e Enkelejd Alibeajt.

Nga grupimi i Alibeajt është parë deputetja Jorida Tabaku e deputetja Dhurata Çupi, ndërsa pjesa tjetër nuk janë parë të pranishëm gjatë protestës.

Ora 13:40
Berisha-Ramës: Ke kryer akt armiqësor! Putin, Kim Jong Un dhe Lukashenko gati të të varin në qafë dekoratë

 

Edhe në këtë protestë, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se ka kryer akt  aq armiqësor sa sipas tij, Putin, Kim Jong Un dhe Lukashenko janë gati që t’i japin dekoratë.

“Shqipëria shihet sot në mbarë botën si strofull e rrezikshme  korrupsionit. Ti Edi Rama ke kryer akt armiqësor ndaj këtij vendi për të cilin Putin, Kim Jong Un, Lukashenko janë gati të të varin në qafë dekoratën e tyre më të lartë o faqezi.

Edi Rama, gjatë këtyre viteve në pushtet ke kryer, ke faktuar të gjitha llojet e tradhtive që mund të kryejë njeriu, por në kodin e lashtë të kombit tonë, tradhtia më e ulët është ajo ndaj mikut, tradhtia që ndëshkohet në mënyrën më të re. Largohu, nisu te shtylla e turpit. Revolucioni ynë do të fitojë.

Edi Rama, ti je një rrezik madhor për sigurinë e Shqipërisë, rajonin dhe më gjerë. Jep dorëheqjen, largohu bashkë me organizatën tënde kriminale. Revolucioni ynë nuk ndalet. Sot falë teje, Shqipëria njihet si vend me kryeministër me atlete të bardha që flet me fjalor të ndyrë se vjedhjet të kanë zhveshur nga çdo moral ndaj dhe flet kudo në atë mënyrë për të dëshmuar veten një trashëgimtar të denjë të etërve xhelatë. Jep dorëheqjen, ik largohu.

Pse duhet shqiptarë të durojnë këtë poshtërim që po u bëhet? Këtë nxirje të imazhit të kombit? Imagjinoni miq të Shqipërisë sikur të ndodhë që një njeri si ky të bëjë hapin në samitin e NATO-s, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë e shqiptarët, kombi i tërë do skuqet nga turpi”, tha Berisha.

Ora 13:32
Berisha thirrje Ramës : O besprerë, o faqezi, jep dorëheqjen! Përdori një nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit si vrasës me pagesë për PD-në

 

Sali Berisha nga podiumi i protestës ka kërkuar largimin e Edi Ramës, ndërsa e akuzoi se ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë kundër opozitës në Shqipëri.

‘E vërteta kurrë nuk mbulohet dot! Sot mediat e gjithë botë spo flasin të vërtetën që shprehur opozita dy muaj më parë. mediat mbajnë në faqet e para skandalin më të madh korruptiv të këtij shekulli. Në këtë superskandal, Edi Rama është i vetmi që përmendet 14 herë në aktpadinë, dhe përdori si vrasë me pagesë kundër PD-së, njëri më zbulues më të fuqishëm të planetit. A ka atentat më të rëndë ndaj demokracisë së një vendi sesa ky akt. Kryeministri barazohet me një oligark rus, mik të Putinit. O besprerë, kombi nuk ka pasur një faqezi të dytë si ty. Jep dorëheqjen dhe largohu.’- u shpreh Berisha.

Ora 13:32
VIDEOLAJM/ Ja pamjet me dron teksa mban fjalimin Berisha

 

Këto janë pamjet me dron të siguruara ekskluzivisht nga Report Tv në momentin teksa është duke folur Sali Berisha në protestën para Kryeministrisë. Ky është ‘uragani’ që kishte premtuar opozita që do të rrëzojë Ramën.

Ora 13:27
Berisha: Në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik, do themi të vërtetat tona! Rama, kryeministri më i korruptuar në Europë

Sali Berisha e ka cilësuar “cunam popullor” protestën që ka thirrur ditën e sotme para kryeministrisë duke përmendur edhe një shprehje të novelistit amerikan George Orwell se do të thonë të vërtetat. Po ashtu nuk ka kursyer akuzat ndaj Edi Ramës se është kryeministër i korruptuar.

“Në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik, shqiptarë kudo që jeni në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Europë, SHBA, që keni pritur me padurim këtë ditë të madhe të siparit të revolucionit demokratik së monizmit të dytë në Shqipëri, një mbështetje vëllazërore. Miqtë e mi do ta nis fjalën time me një shprehje të të famshmit “George Orwell” i cili shkruan se është akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre. Ndaj sot do themi të vërtetat tona. Pra qëllimi më themelor i këtij revolucioni është të mbrojmë të vërtetat. Rroftë fitorja!

Opozita properëndimore e Shqipërisë u tregoi të vërtetën liderëve europianë se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë, ase është kreu i narkoshtetit të kontinentit, se Edi Rama është narkokrati që duke vjedhur votën, buxhetin, pasurinë publike të shqiptarëve është shndërruar në shpresëvrasësin më të madh në Europë dhe në botë. Të gjtihë e mbani mend baltën që hodhi Edi Rama mbi opozitën për ta heshtur atë”, tha Berisha.

Ora 13:17
Meta merr fjalën në protestë: Koha e përballjes, Rama do të japë llogari ‘një për një’! Ka frikë dhe tmerr

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, premtoi se Rama do të japë llogari për ccdo aferë sipas tij. Në fjalën e tij në protestë Meta tha se është sot është ora për tu përballuar me një rezistencë pa kthim, me këtë regjim të kalbur dhe hajtur, armik të interes publik.

“Struci i Rilindjes është fshuhur si frikacak i pashoq nga frika e tmetrrshme që ai ka nga përballja me të vërtetat me popullin dhe me dëmet e pallogaritshme që i ka shkaktuar.

Edi Rama e përdori pushtetin për të kapur ccdo gjë. Është i gatshëm të përdor ccdo mafioz të brendshëm dhe ndërkombëtar për të ndenjur disa ditë më shumë në pushtet.

Kjo e McGonigal është afera që ka zbrazur kupën  e zemërimit popullor. Edi Rama nuk shpëton dot edhe pse ka braktisur parlamentin prej 3 javësh. Ai do të japë llogari edhe për bllokimin e iniciativave ligjore të opozitës, si ulja e ccmimit të naftës apo rritja e pagave.

Rama kërkon t’i varfërojë shqiptarët. Ai do të japë llogari edhe për bllokimin e komisioneve hetimor etë opozitës në Kuvend. Ai ka tmerr nga të vërtetat e hidhura.

Ai do të japë llogari deri në fund për pengmarrjen e integrimit evropian, këtij interesi të madh mbarëkombëtar.  Populli nuk do të lejojë më kurrë që zyra e Kryeministrit të prodhojë mjerim. Shqiptarët protestojnë sot për t’ui dhënë fund dramave familjare”, tha Meta.

Ora 13:14
Meta: Shqiptarët kanë vendosur të jenë Zot të vetes! Rama e do pushtetin ta kthejë vendin në parajsë fiskale për klientët e tij

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në fjalimin e tij para protestuesve ka kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

‘Edi Rama do te jape llogari edhe per perjashtimet staliniste te deputeteve te opozites nga grupet parlamentare si dhe nga e drejta e tyre qe te perfaqesojne qytetaret e Republikes ne Kuvendin e Shqiperise.  Edi Rama do te jape llogari deri ne fund per  pengmarrjen e integrimit europian, ketij interesi te madh mbarekombetar, sepse me veprimet e tij mafioze si amnistia fiskale, pasaportat e arta, portin e Durresit, ligjin per mediat, ai i eshte kundervenene haptas vlerave themelore te shtetit ligjor, trasparences dhe llogaridhënies. Sepse Edi Rama e zevendesoi procesin e integrimit europian ne procesin e korruptimit nderkombetar, sic e di gjithe bota. Ndaj me Edi Ramën Kryeministër, vendi vetem zhytet ne korrupsion ndersa Kosova permiresohet me 20 vende vetem ne dy vite, sepse ne Kosove ka zgjedhje te lira, funksionojne institucionet, ka llogaridhenie.  Ndaj pagat ne Shqiperi jane sa gjysma e pagave ne vendet fqinje, ndaj edhe pedagoget tane enderrojne dhe kerkojne qe ti kene pagat e tyre pas dy vjetesh sac I kane koleget e tyre ne Kosove sot. Populli i Shqipërisë e ka marrë vendimin e tij solemn dhe nuk do te lejoje me qe Edi Rama te vazhdoje te uzurpoje  zyrën e kryeministrit, te cilen u provua qe e ka kthyer ne nje çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Populli nuk do të lejojë me kurrë që zyra e kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin dhe debon qindra mijëra shqiptarë dhe sidomos të rinjtë dhe femijet nga atdheu i tyre. Shqiptarët protestojnë sot për t’u dhënë fund dramave familjare, ku prindërit ulin sytë përpara fëmijëve sepse nuk u plotësojnë dot kërkesat për veshje, libra dhe ushqim. Shqiptarët kanë vendosur që të jenë zot të vetes.

Ndaj Edi Rama e do kaq shume pushtetin, që ta kthejë në një parajsë fiskale Shqipërinë për veten dhe klientët e tij, ndërsa fëmijëve të shqiptarëve ai u ka imponuar vetem rrugën e gomoneve dhe te vuajtjeve në emigrim. Ndaj dhe Populli I Shqiperise eshte sot ketu per te bere ndryshimin me cdo cmim, permes protestes dhe votes se lire, duke shporrur nje ore e me pare kete rregjim dhe kete sekt antipopullor dhe antikombetar.  Te gjithe bashkë ne kete shesh jemi energjia e pandalshme e ndryshimit me çdo cmim! Cmimi le ta zgjedhi lepuri qe ka tre jave qe I fshihet Parlamentit te Shqiperise. Zoti ju bekoftë ju. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Rrofte Flamuri Kombetar.’- tha Meta.

Ora 13:13
Berisha tha se do bënin ‘uragan’ me 100 mijë njerëz, nuk mbledh dot as 10 mijë protestues (Shifrat e PD)

1676118870_finalprojekt.01092819.Still020.jpg

PD e Berishës pretendonte se do të mblidhte në shesh 100 mijë persona e do të bënte “uragan” teksa do të kërkonin llogari nga Edi Rama për çështjen McGonigal, por shifrat tregojnë se Berisha nuk i ka mbledhur dot aq shumë mbështetës. Vetë shifrat e PD s’flasin për më shumë se 10 mijë protestues.

Shifrat nga vetë PD

Qarku Korce

Korce 250-300 persona
Pogradeci 150 persona
Erseka 30 persona
Devolli 150-200 persona
Maliqi 100 persona

Qarku Elbasan

Elbasani 2000 persona
Prenjas 100-150 persona
Librazhdi 250-300 persona
Gramshi 80 persona
Peqini 150 persona
Cerriku 100 persona
Belsh 150 persona

Qarku Durres

Durres 2000 persona
Shijaku 250 persona
Kruja 600 persona
F.Kruja 300 persona

Qarku Kukes

Kukes 600 persona
Has 200 persona
Tropoja 150 persona

Qarku Fier

Fier 600 persona
Rroskovec 200 persona
Mallakaster 180 persona
Patosi 100 persona
Lushnja 300 persona
Divjaka 200 persona

Qarku Berat

Berat 300 persona
Skrapari 40 persona

Qarku Gjirokaster

Gjirokaster 200 persona

Qarku Vlore

Vlore 600 persona
Saranda 80 persona
Delvina 20 persona
Himara 30 persona
Selenica 100 persona

Per qarqet Diber - Shkoder - Lezhe - Tirane nuk ka ende informacion te detajuar

Kamza 5000 persona
Paskuqani 2000 persona
Vora 300 persona
Kavaja 600 persona
Rrogozhina 100 persona
Njesia 4 ne Tirane 1400 persona

Ora 13:07
FOTO-LAJM/ Ja sa larg janë protestuesit me njëri-tjetrin në Bulevard

Numri i pjesëmarrësve në protestën e sotme të opozitës, ishte larg pritshmerive që kishte parashikuar dyshja Berisha-Meta.

Për të krijuar idenë se janë shumë protestues, qytetarët në bulevard kanë krijuar hapësira ndërmjet tyre, siç shihet edhe nga kjo foto.

Ora 13:02
Aktorja Adriana Tolka reciton At’ Gjergj Fishtën: Çka ta baka njeriu jot, nuk ta baka vetë armiku

Aktorja Adriana Tolka ka recituar At’ Gjergj Fishtën në protestën e thirrur nga Sali Berisha duke thënë se nuk do heqin dorë nga lufta për lirinë dhe të drejtat.

“Dua t’ju përcjell disa vargje të poetit dhe atdhetarit të madh At Gjergj Fishta:

O Perëndi, a ndjeve? Tradhtarët na lanë pa Atdhe,

E ti rri e gjuen me rr’fe lisat n’për male kot…

Një tradhti, një namë, një dhunë për t’u qa me gjak e lot!

Çka ta baka njeriu jot, nuk ta baka vetë anmiku!

Është e rëndë, që sot, pas më shumë se 30 vite të rënies së diktaturës komuniste, cënimi i vazhdueshëm i demokracisë rrezikon rikthimin e një shteti monist pa opozitë, pa gjykata që të na mbrojnë, pa hierarki vlerash, një shtet që na vjedh. Lirinë, të drejtat, mirëqenien nuk duhet t’i presim si dhuratë, as të importuara. As nuk do të rrimë të rrahim gjoksin për bëmat e gjyshërve dhe të etërve. Ata e kryen luftën e tyre dhe u nderuan. Ne do bëjmë luftën tonë, pa u intimiduar se do të na etiketojnë si partiakë apo berishistë. Ne luftojmë për dinjitetin, për liritë dhe të drejtat tona.

Qëndresa për kauzën e Teatrit Kombëtar sapo hyri në vitin e gjashtë të saj me një zhvillim shumë pozitiv. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka pranuar të kalojë për gjykim çështjen e mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar Ligjin Special, si dhe ka rrëzuar vendimin e Qeverisë për kalimin e pronës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës.

Është e dukshme, që një shtet, i cili nuk zbaton ligjet e veta, nuk ka si të jetë për qytetarët. Ky është fakt. Të gjithë qytetarët duhet të zgjohen, të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë. Le t’i japim krahë kësaj mundësie për të shpëtuar veten, familjet tona dhe kombin. Sot në këtë shesh jemi shumë. Nesër do të jemi edhe më shumë”, tha Tolka.

Ora 12:59
Pasi u qëllua me grusht, Sali Berisha me ‘siguri të hekurt’ në protestë

1676116992_WhatsAppImage20230211at12.51.331.jpeg

Sali Berisha ka shtuar forcat e sigurisë në protestën e ditës së sotme. Siç shihet nga fotot Berisha ka një kordon të dyfishtë sigurie ndërsa ka shtuar truprojat.

Për të shmangur ndonjë incident, si ai i 6 dhjetorit kur u godit me një grusht nga një protestues, Berisha zgjodhi që ta bëj me regji qendrore ecjen nga selia blu për në bulevard, për t’iu bashkuar turmës së protestuesve.

Ora 12:55
Protesta, mbahet një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri

 

Ish-ministri i Berishës Aldo Bumçi ka marrë fjalën në protestën e organizuar sot dhe ka kërkuar mbajtjen e një minute heshtjeje në nder të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri.

Ora 12:52
Alimehmeti: Kemi vendosur të largojmë të gjithë shkaktarët e 'sëmundjeve'! Tani që po vjen pranvera, do vijë fitorja për Shqipërinë

 

Mjeku Ilir Alimehmeti thotë me bindje se do ia dalin që të largojnë nga pushteti këtë qeveri. Nga foltorja e ngritur para kryeministrisë, Alimehmeti thotë se “me pranverën do vijë fitorja” duke nënkuptuar se do arrijnë të marrin fitoren në zgjedhjet e 14 majit.

“Janë shumë më shumë ata që na ndjekin nga larg. Janë qindra më shumë ata që i varin shpresat tek ne. pse jemi ne këtu? Pse vendosëm ne të sfidojmë muajin më të ftohtë të vitit? Se nuk ka më ftohtë se konaku bosh. Se çfarë i mbetet prindit po iku fëmija, çfarë i mbetet Shqipërisë po iku rinia. Ia njohim zemrën atyre. E dimë që ngrohtësinë e kanë vetëm për xhepin e tyre, sëmundjen e të ftohtin e kanë për ne. Jemi vënë përballë një hemorragjie nga shpopullimi, një humbje, një pagjumësie, një sistemi gjyqësie shurdh e gjithë atyre sëmundjeve.

Ne kemi 2 mundësi, të qëndrojmë e të përballemi apo të largohemi si gjethe të shpërndara nga stuhia. Ne kemi vendosur të përballemi e të largojmë ata që janë shkaktarët e të gjithë këtyre sëmundjeve, kemi vendosur ta marrim fatin në dorë vetë. Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, rrugë e shesh se nuk ikin vetë, ikin vetëm po t’i heqim ne. Ne mund ta bëjmë këtë se në fund fare, është po e njëjta pemë që po e rreh stuhia. Trungu jonë u forcua, degët u shtuan e tani që po vjen pranvera, do vijë fitorja për Tiranën e Shqipërinë. Rroftë Shqipëria e shqiptarëve”, tha mjeku Ilir Alimehmeti.

Ora 12:50
FOTOLAJM, opozita në protestë edhe kundër Yuri Kim

Në protestën e thirrur nga Berisha dhe Meta sot para Kryeministrie nuk kanë munguar edhe pankarta kundër ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Është e para herë, që një parti shqiptare del në protestë kundër një ambasadori të SHBA Dhe kjo, për shkakun se Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA, si të korruptuar dhe minues i demokracisë e shantazhues i drejtësisë.

Ora 12:43
Fjalimet e protestës i hap Belind Këlliçi: Mirëserdhët në Tiranën ku Veliaj zhduku identitetin, kryeqyteti ku dritat fiken natën dhe ndizen ditën

Protestën e opozitës e hapi kandidati i Berishës për Tiranën, Belind Këlliçi.

“Tirana sot është më e bukur se kurrë. Sot i kemi zemrat plot, këtu kemi miq nga e gjithë Shqipëria.  Miliardat e eurove nga arka jonë e përbashkëta.  Përse paguajnë këta për të eliminuar opozitën kur e konsiderojnë veten të pathyeshëm. Sepse kanë frikë nga fuqia që qytetarëve i jep vota.

Këta fshihen se janë të paligjshëm. Ky është ky VIP-i që del çdo ditë në televizor?  Erion Veliaj e zhduku sahatin e Tiranës me një firmë që hodhi. Ai zhduku identitetin e kryeqytetit. Ky është kryebashkiaku i vetëm në Evropë që ka fyer të rinjtë që ndodhen në konvikte, pa të cilët Tirana mbetet e shkretë.  Ata i sjellin Tiranës energji.  Ky qytet nuk administrohet. Nëse do të ndodhte ndryshe s’do të kishim këtë situatë. Ky është një qytet ku ka më shumë policisë bashkiakë sesa pemë. Këtu jemi në qytetin ku paguhet nën dorë për një varrë.  Kryeqyteti i vetëm në Evropë ku dritat e rrugëve fiken natën dhe ndizen dritën.

Koha kur qytetarët paguajnë për një shërbim dhe nuk e marrin do të marrë fund. Kryeministri duhet t’i rri gatitu shqiptarëve dhe jo e kundërta. Ashtu edhe kryebashkiaku. Edi Rama dhe zari i tij e kanë drejtuar Tiranën për 19 vite dhe kjo batërdi”, tha ai.

Ora 12:39
Report Tv sjell pamjet ekskluzive më dron nga protesta e opozitës

Report Tv ka sjell pamjet ekskluzive me dron nga protesta e opozitës që po zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Nga pamjet shihet se ka një numër të vogël protestuesish, shumë larg pritshmerive të Sali Berishës, i cili tha se do të mbledhë deri në 100 mijë njerëz. Siç shihet ka hapësira ndërmjet protestuesve, për tu dukur sikur janë grumbulluar shumë njerëz.

Ora 12:32
FOTOGALERIA/ 'Tigri Tigri, po pastruesja bëri kërdinë! Ça të bën FBI-ja, s'ta bën perëndia', pankartat e demokratëve në protestën e thirrur nga Sali Berisha

 

“Demokracisë i dalim Zot”, “Yje, gati për Burg Brother VIP” “Tigri Tigri po, pastruesja bëri kërdinë”, “Pluralizmit i dalim Zot”, “Ça të bën FBI-ja, s'ta bën perëndia” janë disa prej pankartave që kishin zgjedhur demokratët për protestën e thirrur nga Sali Berisha. Ndërkohë vihet re se nuk ka një pankartë që përmend McGonigal, por vetëm FBI.

Ora 12:29
Ilir Meta del nga selia, i bashkohet protestuesve: Fillimi është pa kthim

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga selia dhe i është bashkuar protestuesve.

“Dita me diell duket që në mëngjes thotë populli. Asgjë nuk e shpëton korruptuesin e McGonigal. E rëndësishme është fillimi dhe është një fillim pa kthim.

Rama është i rrëzuar e bën mirë të japë dorëheqjen sa më parë se ka tre javë që i fshihet parlamentit, ka rrëzuar veten se e di që është fajtor dhe s’do i shpëtojë llogaridhënies.

Ky është një fillim pa kthim, një ndryshim që do ndodhë me çdo çmim që Rama të ikë një herë e përgjithmonë e një orë e më parë nga zyra e kryeministrit që e përdhosur.
Apeli im është të gjithë të dëgjojnë zërin e popullit”, tha Meta. 

Ora 12:23
Sali Berisha del nga selia blu, niset drejt bulevardit që t'u bashkohet protestuesve

Sali Berisha ka dalë nga selia blu, për t’iu bashkuar protestuesve që janë mbledhur në Bulevard. Për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, Berisha këtë herë ecjen e tij nga selia blu për në bulevard e ka bërë me regji qendrore, duke mos lejuar kamerat, si një masë sigurie të shtuar.

Ora 12:21
‘Burg Brother vip’, edhe të rinjtë e FRPD me mesazhe nga ‘reality show’

 

Një tjetër banderolë që lidhet me ‘Big Brother’ është shfaqur nga protestuesit e opozitës sot në Bulevard.

‘Burg Brother Vip’ është banderola e FRPD, duke nënkuptuar se sipas tyre burg për ‘vipat e qeverisjes’.

Ora 12:16
Protesta, deputetja Hoti për Report Tv: Do ta largojmë diktorin Rama, nuk meriton të qeverisë një popull kaq fisnik si shqiptarët

 

Deputetja e PD-së së Berishës, Elda Hoti, ka thënë se Rama do të largohet pasi nuk e meriton të qeverisë një popull kaq fisnik sa janë shqiptarët. Në intervistën për gazetarin e Report Tv Ermal Qorri, Hoti tha se Rama është diktator.

“Shqiptarët kanë 1001 arsye për të protestuar sot, po protestojnë kundrejt një Kryeministri që korrupton zyrtarin e lartë të FBI. Një super skandal si ai i McGonigal, një turp i madh për Shqipërinë. Rama ka shpopulluar vendin. Shqipëria renditet në një prej vendeve më të varfra dhe të korruptuara.  Sot shqiptarët kanë dalë në këtë shesh për t’i dalë për zot Shqipërisë. Sot është dita për ta larguar këtë regjim, këtë diktator”, tha ajo.

Ora 12:14
Kryemadhi komenton fotografinë e Metës me Dorian Duçkën: Ishin në takim zyrtar kur ishte zv.ministër në 2013! Me Shkëlzen Berishën, rastësi

Monika Kryemadhi, e cila ka dalë nga selia e Partisë së Lirisë për të shkuar drejt kryeministrisë ku po zhvillohet protesta e thirrur nga Sali Berisha ka komentuar fotografinë e Ilir Metës dhe Shkëlzen Berishës me Dorian Duçkën.

Emri i tij është përmendur shpesh nga opozita si personi që ka bashkëpunuar me Edi Ramën dhe akuzohet si “një nga kokat më mafioze sot dhe është një njeri jashtëzakonisht i rrezikshëm”, por Kryemadhi përpiqet ta justifikojë duke thënë se fotografia me Metën del nga koha kur Duçka ish zv.ministër dhe ndodheshin në takim zyrtar. Ndërsa për imazhin me Shkëlzen Berishën të shkrepur në një avion, Kryemadhi e konsideron si rastësi.

"Më bëhet shumë qejfi që djali i hallës së Ilir Metës ka nxjerrë arkivin e 2013 ku Ilir Meta ishte në një takim zyrtar me ambasadorin kinez. Pashë edhe fotografnë në avion. Mua më ka rënë të jem në avion me disa që ekstradoheshin nga Anglia. Fotografitë e vjetra janë memorie por kjo nuk e shpëton Edi Ramën se as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha nuk ka paguar për zyrtarët e FBI. Sot nuk ka protestë por tubim”, tha Kryemadhi.

Sa i përket protestës së ditës së sotme, Kryemadhi e cilëson si tubim që do të përfshijë edhe qytetarët e zonës gri që janë të lëkundur se cilën parti politike duhet të mbështesin.

"Pjesëmarrja e Tiranës do i japë impaktin më të madh. Sot pjesëmarrja do të jetë shumë e madhe, nuk do të jenë vetëm përfaqësuesit e partive politike,por edhe zona gri. Sot në rrugët e Tiranës kam vënë re se pjesa më e lëkundur ndaj politikës do të dalë për të protestuar e për të thënë “unë jam këtu” dhe nuk është Edi Rama që merr vendimet. Unë dal në protestë si qytetare sepse mënyra se si Edi Rama me arrogancën e tij trajton të gjithë shoqërinë shqiptare. 

Kur kam qenë në Amerikë pas djegies së mandateve, më kanë thënë se kjo është e gabuar dhe rruga e kthimit do jetë shumë e vështirë. Normal që Rama do jetë e vështirë për t’u larguar me votë por protestat janë mënyra më e mmirë për ta detyruar atë", tha Kryemadhi.

Ora 11:48
Kreu i FRPD-së për Report Tv: Ultimatum i fundit, largimi i Ramës! Historia ka treguar se janë larguar edhe burra më të fortë

Kreu i FRPD-së Berat Xhaferri në një intervistë për gazetaren e Report Tv Danjela Maloku nga selia e blu, pak para nisjes së protestës, u shpreh se është e drejtë e qytetarëve që të kërkojnë largimin Edi Ramës, pasi po u cenohet e drejta.

‘Ultimatum i fundit është që të largohet Edi Rama. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë për çdo lloj formë ku i cenohet e drejta. Skandali i fundit e kuptuam edhe se nga vjen kjo. Historia ka treguar se janë larguar edhe burra më të fortë se ai nga vende edhe më autoritare. Ne do të na përgjigjen. Mesazhin e di Sali Berisha. E vendosin qytetarët nëse do të ikin apo jo.’- u shpreh Xhaferri.

Ora 11:47
‘Kamza i del Zot Shqipërisë’, 15 protestues shpalosin banderolën në shesh

 

Rreth 15 protestues që kanë ardhur t’i bashkohen tubimit të thirrur nga Sali Berisha kanë shpalosur banderolën ‘Kamza i del Zot Shqipërisë’ në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Ora 11:42
Pak minuta nga nisja e protestës shumë pak protestues në Sheshin ‘Skënderbej’ dhe selitë e dy partive politike opozitare

Kur duhen edhe pak minuta nga nisja e protestës në Sheshin ‘Skendërbej’, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ por edhe në selitë e dy partive kryesore opozitare, PD dhe PL, shihen shumë pak protestues.

Ora 11:31
Me flamujt e PD dhe SHBA, demokrati i flaktë pret Berishën jashtë selisë blu

 

Demokratët e ‘flaktë’ janë mbledhur para selisë blu, ku po presin Sali Berishën që të dalë e të nisë tubimin drejt kryeministrisë. Një prej demokratëve ka zgjedhur që të presë Berishën me 2 flamuj në duar, atë të SHBA dhe të PD.Kjo vjen pasi protesta e sotme është thirrur pas akuzave të opozitës se Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, pavarësisht se kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e ish-zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA. 

Ora 11:21
VIDEO/Pak para nisjes zyrtare të protestës, forca të shumta police rreshtohen para kryeministrisë

 

Forca të shumta të policisë së shtetit janë rreshtuar para kryeministrisë pak para nisjes zyrtare të protestës së thirrur nga Sali Berisha dhe nga Ilir Meta. Efektivë të policisë me mjetet mbrojtëse kanë rrethuar ambientet e kryeministrisë në Bulevard. 1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren ditën e sotme.

Ora 10:54
Sali Berisha mbërrin në selinë blu, u prit nga simpatizantët demokratë: Revolucioni sapo filloi

 

Sali Berisha është pritur nga simpatizantët demokratë sapo mbërriti në dyert e selisë blu. Ata e shoqëronin duke brohoritur ndërsa mbanin flamujt e PD në duar.

“Do jetë protestë mbarëkombëtare. Revolucioni sapo filloi”, tha Berisha para se të futej në selinë  e PD.

Berisha po zhvillon takimet e fundit para se të niset drejt sheshit të kryeministrisë, ku është instaluar foltorja dhe do të mbahen fjalimet. 

Ora 10:44
Përgatitjet për protestën e Berishës, shtyllat e kryeministrisë lyhen me graso

1676108702_b1b41701330c4004a119f7695dc6da33.jpg

Teksa na ndajnë rreth 1 orë nga protesta e thirrur nga Sali Berisha, forcat e policisë kanë dalë në terren. Ashtu si në çdo protestë, ndër masat e marra për shmangien e incidenteve është blindimi i dyerve të kryeministrisë dhe lyerja e shtyllave me graso.

 

Ora 09:15
Protesta e Berishës, ambasada amerikane paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni tubimet e mëdha

Ambasada amerikane ka këshilluar qytetarët e saj që të shmangin lëvizjet pranë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" ku do të zhvillohet protesta e thirrur nga Sali Berisha.

“Një protestë është planifikuar të zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ora 09:03
Protesta e Berishës, simpatizantët demokratë nisen nga disa qytete të vendit drejt Tiranës

Simpatizantë të Sali Berishës nga Berati, Fieri, Korça, Fushë-Krujë, Vlora, janë nisur për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga opozita ditën e sotme. Nisja e protestuesve demokratë është bërë nga organizatorët e protestës.

Ndërkohë PD e Berishës në disa qarqe të vendit ka dhëne edhe disa shifra për qytetarët që janë nisur drejt Tiranës.

Rreth 1100 veta janë nisur sot nga rrethi i Vlorës në drejtim të Tiranës, simpatizantë të Partisë Demokratike që do të marrin pjesë në protestën e orës 12. Nga dega e partisë Demokratike Vlorë janë nisur rreth 850 persona teksa janë regjistruar 120 automjete. Ndërkohë nga qarku i Beratit janë nisur drejt Tiranës 1000 protestues. Nisja e protestuesve është kryer me mjete private në aksin nacional Berat-Dimal,në Moravë.

Edhe nga Kruja janë nisur rreth 1000 qytetarë, të cilët do t’i bashkohen protestës së opozitës. Nisja drejt Tiranës është bërë në mënyrë të pavarur me mjete private e me autobuz të linjës. Ndërkohë nga qyteti i Korçës janë nisur rreth 400 protestues, nga Devilli rreth 150 dhe nga Devolli 250.

Sipas PD-së së Fierit mbi 800 anëtarë dhe simpatizantë të PD-së do t’i bashkohen protestës së sotme.

M.Q./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjergj: 12/02/2023 04:57

    Njè vrasès hajdut bèn "opozitarin". Njè hajdut mashtrues, "pushtetarin", Tè tjerèt, janè me gazeta me vrimè nè dorè dhe "numèrojnè" anètarèt e bandave. Shoqèri bari, kjo jona.

    Përgjigju
  • Iris: 12/02/2023 02:21

    Tre gjerat me interesante dhe me per te qeshur nga protesta jane: 1-shtyllat me graso,2- Kamza i del zot Shqiperise dhe 3-bifteku 1000 $ imagjinar i Ballukut.Tema interesante per skece humori.

    Përgjigju
  • Lori: 11/02/2023 18:55

    Kur do e kuptoj ky kriminel se ka marr fund? Derisa ky pler te jet aty Rama do ngelet perjetsisht ne pushtet.Ky nuk.mbledh me simpatizant as nga bastionet e tij

    Përgjigju
  • SHBA-BE-M.B: 11/02/2023 18:27

    Ju nuk keni të drejtën të përdorni flamuj të huaj në pseudo protestat tuaja, mund të përdorni vetëm flamujt partiakë dhe atë kombëtar! Me cilin guxim dilni me flamurin amerikan, gjerman etj kur këta kapobandat tuaj janë shpallun NON GRATA dhe flasin, shajnë, akuzojnë e baltosin vazhdimisht ambasadorët e këtyre Shteteve në Shqipëri? Ju jeni kafshë të pafytyrë, pa turp, pa nder dhe dinjitet! TURP

    Përgjigju
  • Mario: 11/02/2023 16:58

    As 5000 nuk jane. E kuptoj qe doni te jepni pak me shume qe te mos dukeni te njeanshem.

    Përgjigju
  • aleksadros: 11/02/2023 14:51

    nje bravo e madhe pere shqiptaret qe e kuptuan kushe jane berisha e meta dy plerat e kombit yyyyyy

    Përgjigju
    • Or tej: 11/02/2023 18:20

      Nje bravo edhe per te gjithe ne sepse e meritojme qeverine qe kemi or teeeejjjjj

  • Kovaçsi: 11/02/2023 14:29

    U mburre o bej u mburre sa u dhjeve ne poture

    Përgjigju
  • Edi: 11/02/2023 13:51

    As per covid nuk rrinin kaq larg

    Përgjigju
  • Emigranti 2: 11/02/2023 12:29

    Priten miliarda PD-ista dhe LRI-sta sot, degat e PD-LRI në Kinë e Rusi kanë nisur autobuzat në mbështetje të demokracisë dhe ndershmërisë, kanë me vete flamuj të SHBA, BE sepse i duan shumë, më shumë se vetë amerikanët ahahahhahaha

    Përgjigju
  • Emigranti: 11/02/2023 10:28

    O ju pift zgjebja ju o mjeranë që bliheni me 20mije lekë! Po marshojnë drejtë greminës por nuk duan ta kuptojnë sepse vetëm hajduti ka frikë se mos i vjedhin shtëpinë e jo ai i ndershmi! Të rinjtë shqiptarë po rriten pa vlera dhe pa një model pozitiv, ka hyrë mentaliteti që mjafton të kesh lekë dhe kaq, nuk rëndësi se si i bën.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033

Çfarë është Jubileu, sa shpesh festohet, kuptimi fetar dhe viti 2033