Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri u ka bërë sërish thirrje qytetarëve amerikanë në vendin tonë që të kenë kujdes nga protestat e Sali Berishës.
Së fundmi, ambasada amerikane në Tiranë u kërkon qytetarëve amerikanë të shmangin lëvizjet e panevojshme në kryeqytet, pasi protesta e kryedemokratit që pritet të mbahet më 22 mars mund të përshkallëzojë në dhunë, siç ka ndodhur dhe herët e kaluara.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të dielën, më 22 mars 2026, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit “Nënë Tereza” dhe Sheshit “Skënderbej”. Protesta mund të zgjerohet edhe në zonat përreth. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Personelit të Ambasadës së SHBA-së i është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore për informacionet më të fundit.
Ndërsa protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në rrugët dhe ndërtesat qeveritare përreth, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestës. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe jepni përparësi sigurisë suaj personale”,- bën thirrje ambasada amerikane.
Komente










