Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur në një lidhje live për Report Tv se qëllimi i kryedemokratit Sali Berisha nuk është rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Komentet Spahiu i bëri teksa komentoi protestën e 17 prillit të PD-së, për të cilën tha se kishte një numër të ulët pjesëmarrësisht.

Sipas Spahiut, kur protestat e opozitës vijnë duke u rrudhur e dobësuar, vetëm sa e forcojnë kundërshtarin politik, në rastin konkret PS-në dhe kryeministrin Rama.

“Mesa duket, e gjithë analiza e një proteste tregon qartë tashmë që qëllimi i Berishës nuk është rrëzimi i Ramës nga pushteti, përkundrazi. Nëse një protestë dështon me dhjetëra herë, nëse një protestë vjen duke u rrudhur, atëherë nuk bën gjë tjetër veçse e forcon kundërshtarin. Kundërshtari merr fuqi me gjithë dobësitë që ka. Sot nuk flitet më për zgjedhje të parakohshme, sepse me dështimin e vet opozita vetëm sa e forcoi Ramën”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu tha se qëllimi i vetëm i protestave të Berishës është monopolizimi i opozitarizmit në Shqipëri.

Spahiu theksoi se Berisha kërkon që me protestat e tij të zbehë rolin e çdo faktori opozitar në vend dhe sipas juristit, kryedemokrati pretendon që në zgjedhjet e ardhshme të jenë ‘në lojë’ vetëm dy parti.

“Opozita ka arritur vetëm një sukses në protestat e saj, që është monopolizimi i opozitarizmit. Berisha e ka thënë qartë, që ‘sfida jonë është të jemi të vetmit faktor opozitar’. Kjo do të thotë se të gjithë faktorët e tjerë duhet të shpërbëhen. Brenda partisë të shpërbëhet Ervin Salianji dhe çdo faktor tjetër, partitë e reja t’i zbehë me protestat e tij dhe të thotë që ‘vetëm ne jemi forca opozitare’. Në thelbin e vet ai ka vetëm një objektiv, që në zgjedhjet e ardhshme të ngelen vetëm dy parti”, përfundoi Spahiu.

Më tej, në një përashikim që bëri, Spahiu tha se ish-deputeti Ervin Salianji do të krijojë një subjekt të ri politik, sëbashku me rebelët që janë brenda Partisë Demokratike. Ndërsa për Elisa Spiropalin, Spahiu deklaroi se jo vetëm që nuk do të largohet nga PS, por sipas tij, në të ardhmen ajo do të emërohet në një tjetër post nga kryeministri Edi Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:06
Spahiu: Marta Kos t'i thotë Shqipërisë 'a do të zgjerohet BE nëse pushtetin e marrin nacinalistët francezë dhe gjermanë?'

1776604155_rdtyuftii.jpg

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, duhet të tregojë hapur se çfarë do të ndodhë me zgjerimin e Unionit, nëse në pushtet në shtetet e Europës vijnë nacionalistët dhe e djathta ekstreme.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për Report Tv, ku tha se Kos duhet ta pranojë para Shqiptarëve se Shqipëria ose do të hyjë brenda vitit 2030 në BE, ose në të kundërt sipas tij, do të duhet të presë me dekada.

“Marta Kos duhet t’i thotë Shqipërisë a do të zgjerohet BE nëse pushtetin në Europë e marrin nacionalistët francezë, gjermanë, austriakë, holandezë, belgë. Pra Marta Kos është shumë e ndërgjegjshme në rreshtat që thotë, por nuk arrin të thotë të plotë realitetin siç është. Dhe për këtë arsye shpejton edhe afatin dhe thotë para 2030. Para 2030 do ketë 2 ngjarje të rëndësishme në Europë. Në Francë dhe Gjermani, parti të para dhe afër pushtetit janë partitë ekstremiste, partitë nacionaliste, partitë euroskeptike që do vendosin veton kundër zgjerimit të Bashkimit Europian. Dhe për këtë arsye Marta Kos nuk duhet t’i lejojë vetes që të mos jetë e sinqertë me shqiptarët. Shqipëria ose pranohet tani në BE, ose do të kalojnë dekada pa u pranuar, nëse në Europë do dominojnë forcat eurospektike që janë kundër BE-së”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu tha se ishte pro deklaratës së Marta Kos, e cila doli kundër idesë së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Edi Rama, që Serbia e Shqipëria të anëtarësoheshin në BE pa të drejtë vetoje.

“Nga ana tjetër, jam pro deklaratës së Marta Kos që thotë ‘jam kundër idesë së Vuçiç e Ramës për një anëtarësi light, sepse ka një Kushtetutë europiane ku o je anëtar, ose nuk je anëtar. Dhe është më mirë që është kështu. Më mirë përpjekjet të jenë për të qenë anëtar me të drejta të plota”, vijoi më tej Spahiu.

Ora 13:32
Parashikimi i Spahiut: Salianji krijon parti të re me ‘rebelët’ e brendshëm të PD, ndërsa Spiropalit do i ofrohet një emërim i ri nga Rama

Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar në një lidhje për Report Tv se ish-deputeti Ervin Salianji duhet të tregohet shumë i kujdesshëm, pas sulmeve që ka nisur ndaj tij kryedemokrati Sali Berisha.

Spahiu tha se qëllimi i Berishës është eliminimi (fizik ose politik) i Ervin Salianjit, duke e pasqyruar këtë të fundit si të lidhur me krimin e organizuar.

“Ervini duhet të jetë i kujdesshëm, sepse Ervini po bëhet shumë vunerabël. Në një moment kur propaganda amplifikohet që ky është bandit, ky është i lidhur me kriminelë, etj, nuk është çështja thjeshtë te efekti politik, por te mbarsja e gjithë opinionit publik. Pra Ervini po bëhet vunerabël te të gjithë ata që e kanë rrethuar deri më sot. Mesazhi i Berishës është për ata që kanë mbushur sallat, për shokët e miqtë e Ervinit, për celulat, për aktivistët e PD-së me të cilët ai është shoqëruar deri dje. Nëse ata e besojnë vërtetë se Ervini me Suel Çelën dhe Ergys Agasin duan të marrin partinë, atëherë ata janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë kundër Ervinit. Nuk është problemi se eliminohesh fizikisht, por eleminimi politik është më i dëmshëm. Përshembull ku kanë përfunduar Eduard Selami dhe Uran Butka, e di njeri?”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu parashikoi se në një të ardhme të afërt Ervin Salianji do të krijojë një parti të re politike, me rebelët që janë brenda Partisë Demokratike.

Ndërsa ‘fatin’ politik të Elisa Spiropalit, juristi Spahiu e parashikon krejt ndryshe. Spahiu tha se Spiropali jo vetëm që nuk do largohet nga PS për të krijuar një parti të re, por sipas tij, asaj do i ofrohet edhe një post në të ardhmen nga kryeministri Edi Rama.

“Po vendosen paralelizma në të gjitha mediat, Ervin Salianji apo Elisa Spiropali është Maxhari i Shqiptarëve. Pra është precedenti hungarez. Unë të dy i vlerësoj, pasi i njoh prej vitesh. Por parashikimi im për të ardhmen është se Salianji do krijojë partinë dhe forcën e tij politike dhe i uroj suksese në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa Spiropali nuk do krijojë partinë e saj, apo fraksionin e saj në PS. Unë e shikoj të ardhmen e Spiropalit brenda PS-së, për dy arsye krejt të ndryshme nga PD. Nëse PD dhe Berisha nuk ta falin gjithë jetën një kritikë apo një rebelim tëndin, PS mishin ta ha, por kockat t’i lë. Pra mbeten brenda llojit të tyre. Historia ka treguar se socialistët të rehabilitojnë. Spiropali s’do krijojë parti, do ketë karrierë në PS dhe në një të ardhme jo të largët do i ofrohet një emërim i ri”, theksoi më tej Spahiu.