TIRANË- Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur komenteve dhe akuzave të ndjekësve në rrjetet sociale të cilët kanë dalë kundër ardhjes së Aleksandër Vuçiç në Tiranë, në kuadër të Ballkanit të Hapur. Ndërsa një nga komentueset i kujton Ramës se kur ai vizitoi Beogradin kohë më parë, flamuri shqiptar u dogj dhe Tirana zyrtare nuk pati asnjë reagim, kreu i qeverisë i thotë se ka ndodhur krejt e kundërta. 

Komentuesi: Ditën që Rama do e vizitonte Beogradin , serbet e dogjën flamurin e Shqipërisë, në mes të Beogradit, edhe nuk pati asnjë reagim nga Tirana zyrtare. Sot ngritët flamuri i krimeve, masakrave , përdhunimeve, debinëve, e çka jo tjetër. Kjo është kulmi. Sipas te gjitha gjasave po ndodh Serbia e madhe e cila po shtrihet deri ne Adriatik.Atë që se arritën asnjë mbretni serbe po e realizon Rama . Pse heshtë presidenti i Shqipërisë, pse heshtin populli i Shqipërisë ? Sot është dita e turpit e qeverisë Rama, e i gjithë Shqipërisë .

Rama: Ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhtar tani.

Kryeministri shqiptar del sërish në mbrojtje të nismës së Ballkanit të Hapur, duke nënvizuar se është në interes të gjithë rajonit, por është interes strategjik i Shqipërisë dhe krejt kombit shqiptar.

“E vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare", përfundoi kreu i qeverisë.

 

Komenti i kryeministrit Edi Rama

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
Rama poston videon e protestuesit të Berishës që gris flamurin serb:  Unë tradhtar dhe ky patriot i bie? Zot ruaje Shqipërinë nga të marrët

Kanë qenë të shumta kritikat drejtuar kryeministrit Edi Rama sot nga mbështetësit e Sali Berishës, të cilët u ngritën në protestë për të kundërshtuar ardhjen e Presidentit Serb në Shqipëri, Aleksandar Vuçiç në kuadër të nismës 'Open Balkan'.

Atyre që e kanë quajtur 'tradhtar', Rama i është përgjigjur me videon e njërit prej protestuesve të Berishës i cili shihet teksa gris e më pa si vë flakën flamurit serb.

"Unë tradhtar dhe ky patriot i bie apo jo? Zot ruaje Shqipërinë nga të marrët", shkruan Rama në videon e postuar në "Tik Tok".