TIRANE - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Klubi i Patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria” në kuadër të 9 dhjetorit, ditës ndërkombëtare kundër gjenocidit, protestuan para ambasadës greke në Tiranë.

Me pankarta në duar ku shkruhej "Duam pronat tona" ata kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes çame.

Ish-kryetari i shoqatës "Çamëria" Servet Mehmeti kërkoi që shteti grek të pranojë genocidin e ushtruar ndaj kësaj popullate.

“Masakrat në fëmijë, në të rinj e të reja, në gra, burra e pleq nga qeveria e asaj kohe duke përdorur gjeneralin famëkeq bënë
spastrimin etnik të një popullsie të ndershme, të një popullsie të pafajshme”, -u shpreh Muhameti.

Ndërsa deputeti Dashamir Tahiri kërkoi nga Greqia lejimin e pjesëtarëve të komunitetit çam të vizitojnë pronat e tyre.

“Ne kërkojmë shtëpitë tona, shtëpitë e baballarëve tanë. Dhe ne nuk kërkojmë që të kemi ndonjë nacionalizëm nëqoftëse do të kërkonin shtëpinë tonë në Greqi. Ne kërkojmë shtëpitë në Prevezë, ku i kanë pasur të parët tanë”, -tha deputeti Tahiri.

Tahiri gjithashtu shtoi se qeveria e sotshme greke nuk po kërkon ndjesë, ndonëse e cilëson veten si demokratike.

Ndërkohë që deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë ndërmarrë një nismë ligjore për zgjidhjen e çështjes çame. Ata nesër dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë një rezolutë përkatëse që përbëhet nga 13 pika.

(Gre.M/Shqiptarja.com)