TIRANË- Pesëmbëdhjetë militantët e arrestuar pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike më 22 mars kanë dalë nga qelia. Protestuesit e arrestuar nën akuzë se kanë kundërshtuar dhe kanë goditur punonjësit e policisë, duke mos kursyer as molotovët në drejtim të tyre, dolën sot para Gjykatës së Tiranës dhe gjyqtarja Armela Hasantari caktoi masën detyrim paraqitjeje.
Për protestën është vënë në hetim në gjendje të lirë edhe organizatori Klevis Balliu, i cili akuzohet se ka shtyrë të miturit në krim. Në hetim janë edhe 5 të mitur që janë përfshirë në akte dhune, si edhe 3 protestues të tjerë.
Grupet e organizuara për sulm të militantëve, hodhën së pari molotovë dhe breshëri fishekzjarrësh ndaj godinës së qeverisë. Më tej marshimi i çoi në bllokun e ministreve, ku u sulmua ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës, edhe pse Belinda Balluku nuk është më prej disa javësh.
Kordonët e policisë vendosur pranë PS-së, nuk i mundësuan manifestuesve të hedhin molotovë drejt selisë rozë. Lëndët plasëse përfunduan në dy makina policie afër Bankës së Shqipërisë.
Marshimi nëpër rrugët e Tiranës vijoi deri pranë RTSH-së ku pati përplasje të dhunshme që gjithashtu morën përgjigjen e policisë me ujë dhe gaz lotsjellës.
Një numër i madh forcash policie i pritën të rreshtuar edhe tek parlamenti duke e devijuar sulmin e egër me molotovë e fishekzjarrë, drejt mjediseve të xhamisë së Namazgjasë. 6 punonjës policie u dëmtuan gjatë tubimit.
Lajmi në përditësim....
Komente












