Ashtu siç pritej, presidenti Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të ish-kryeministrit dhe ish aleatit të tij Sali Berishës, pas protestës së dhunshme që ky i fundit zhvilloi për të marrë godinën e selisë së PD-së. Presidenti Ilir Meta ka bërë përgjegjës të vetëm për dështimet e opozitës Lulzim Bashën. Për presidentin Ilir Meta, kryetari i opozitës nëse kontestohet, duhet që t'i nënshtrohet votëbesimit në mënyrë që të konfirmojë legjitimitetin e tij. Sipas Metës në Shqipëri prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm. Presidenti bëri përgjegjës Lulzim Bashën edhe për djegien e mandateve, ndërsa tha se në demokraci autoriteti fitohet me votë dhe jo me polici.

'Po ndodh që nuk asnjë kuptim që në demokraci të injorohet vota. Është gjëja më normale që kur një kryetar kontestohet, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi votëbesimi. Duhet të tregojë apo të konfirmojë legjitimitetin e tij, ashtu sikurse një kryeministër, të cilin e kundërshton një pjesë e grupit parlamentar që e ka votuar, që e ka zgjedhur, është i detyruar të rikonfirmohet. Pra shkelja e këtyre parime të demokracisë sigurisht që çon në situata të pakuptimta. Megjithatë unë shpresoj që me mençuri dhe urtësi demokratë të mos jenë pre e padurimit, sepse në Shqipëri më vjen keq, më duhet ta them dhe po e them këtu meqenëse ju po këmbëngulni për të kaluar në zhvillimet atje: prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm.

Për shkak të kësaj udhëheqjeje opozitare, nuk po themi opozita, se opozita meriton respekt në tërësinë e saj, që nuk jep një zgjidhje qytetare, demokratike, sipas statutit të tij, por provokon një tension të tillë dhe që pretendon në forma policore të imponojë një autoritet që nuk e ka. Sepse në demokraci autoriteti fitohet me votë. Konfirmohet me votë. Nuk fitohet me polici. Fitohet me procedura. Cdo krizë politike ka vetëm zgjidhje politike. Zgjidhja është vota.

Në mënyrën më absolute për dy aktet e para, përgjegjësia është e tij ekskluzive! Për djegien e mandateve të opozitës, sepse ka qenë Kryetari i Opozitës. Edhe për çështje tjetër të pushtetit vendor, të bojkotit, sepse ka qenë vendimi i tij. Ai sot mund të thotë se kanë qenë vendimet e Berishës, por atëhere unë nuk e di se si mund të besohet sot, nëqoftëse se ka qenë e vërtetë që ai ishte kryetari dhe vendimet i merrte Berisha, dhe po sot ai nuk zbaton vendimet e të tjerëve..., pra jo vendimet e tij??!! Këto të dyja në mënyrë të padiskutueshme. Dhe për bojkotin e reformës në drejtësi. Në opozitë. Është përgjegjësia e tij. Dhe për disa veprime të tjera. Se në qoftë se unë jam President, nuk mund t’ia vë fajin për ato që nënshkruaj dhe t’iu lë fajin këshilltarëve apo jo?.' tha mes tjerash presidenti Ilir Meta në emisionin ClickPlus në TV21.

Duke u ndalur tek integrimi në BE, Ilir Meta tha se nuk do të dëshironte që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt Bashkimin Evropian. Meta tha se si shtete duhet t’i shtojmë përpjekjet për të shkuar bashkë drejt kësaj rruge dhe për të gjetur zgjidhje me Bullgarinë dhe që çështjet bilaterale të mos bëhen pengesë për aderimit e ndonjë shteti në BE. Presidenti i Shqipërisë tha se së shpejti do të vizitojë presidentin bullgar Rumen Radev dhe do të bisedojë për të parë se çfarë mund të bëhet për zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar.