Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar të dielën pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike që u mbajt një ditë më parë në kryeqytet, duke e cilësuar përdorimin e bombave molotov si “armë vdekjeprurëse” dhe duke kërkuar që Kodi Penal të trajtojë qartë pasojat që shkaktojnë ato.
Reagimi i Braçes vjen pasi demokratët akuzuan policinë për përdorim të dhunës dhe për hedhje të gazit lotsjellës të skaduar, duke pretenduar se janë helmuar protestues dhe gazetarë.
Në një postim në rrjetet sociale, të cilën e shoqëroi me foto të flakëve që vunë në rrezik të pranishmit, Braçe tha se gjatë protestës në bulevard, molotovi vuri në rrezik jo vetëm efektivët e policisë, por edhe gazetarët që po raportonin nga terreni.
"Si ishte ajo, “kanë helmuar gazetarët”?! Po për t’i djegur kush për pak i dogji?! Në foto janë fotoreporterët Florion Goga dhe Armando Babani thuajse në flakë! Janë edhe policet mu aty, në flakë! Tani, molotovi është armë, madje armë vdekjeprurëse; Kodi Penal është ne kuvend dhe Kodi Penal duhet të reflektojë-materializojë armën molotov dhe krimin e shkaktuar prej tij!" shkruan Braçe në Facebook.
Gjatë protestës së demokratëve, u regjistruan skena të pastra dhune kur një grup protestuesish hodhën bomba molotov drejt forcave të rendit dhe godinës së parlamentit, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarr.
Postimi i plotë e Erion Braçes në Facebook

Komente










