Protesta e një dite më parë u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe policisë, ku këta të fundit hodhën gaz lotsjellës, spraj dhe ujë.
Asociacioni i Gazetarëve përmes një deklarate ka dënuar aktet e dhunës veçanërisht edhe atë ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Sipas AGSH-së, disa nga rastet janë dokumentuar me pamje filmike.
Mbështetur në këto incidente AGSH thekson se dënon ashpër çdo formë dhune ndaj gazetarëve, duke shtuar se çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre është i papranueshëm dhe duhet të hetohet e të ndëshkohet pa asnjë përjashtim.
Deklarata e plotë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë të gjitha aktet e dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestës së zhvilluar më 2 korrik në Tiranë, pavarësisht se nga kush janë kryer.
Sipas raportimeve të mbledhura nga AGSH dhe pamjeve të dokumentuara, gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, është dhunuar nga punonjës të Policisë së Shtetit dhe penguar gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithashtu, janë cenuar fizikisht fotoreporteri i ATSH-së, Andrin Hoxha të cilit i është tentuar t’i merret aparati dhe penguar në punë, si dhe fotoreporteri i NurPhoto, Vlasov Sulaj, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
AGSH i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të nisë pa vonesë hetime të plota dhe të pavarura për sjelljen e efektivëve të Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe të mbajë përgjegjës çdo punonjës policie që ka ushtruar dhunë ose ka penguar punën e medias.
Po ashtu, dënojmë edhe sulmet e protestuesve ndaj gazetarëve. Sipas informacioneve të bëra publike dhe të verifikuara nga AGSH, protestuesi Arbër Lleshaj ka cenuar fizikisht gazetarin e Top Channel, Muhamet Veliu gjate ushtrimit te detyrës.
Ndërkohë, gazetarja e Top Neës, Kleida Muka, është penguar dhe është cenuar fizikisht nga protestues të paidentifikuar gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, sipas njoftimit të Ora Neës, protestues kanë penguar dhe kanë cenuar fizikisht ekipin e televizionit, gazetarin Bekim Bici dhe operatorin Atilio Bleta, ndërsa televizioni ka deklaruar se personat e përfshirë kanë qenë pjesëtarë të partisë “Shqipëria Bëhet”.
AGSH i kërkon Policisë së Shtetit të identifikojë dhe të vërë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë autorët e sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë rithekson se siguria e gazetarëve, fotoreporterëve dhe punonjësve të medias dhe e drejta për të raportuar lirshëm janë elemente themelore të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar. Çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre është i papranueshëm dhe duhet të hetohet e të ndëshkohet pa asnjë përjashtim.
lajm ne perditesim...











