Policia ka marrë masat për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së opozitës që pritet të nisë në orën 18:00. Drejtori i policisë së Shtetit ka porositur policët të bëjnë kujdes dhe të ruajnë qetësinë. Si dhe të identifikohen dhe izolohen personat me precedentë. Këto janë masat që merren në cdo protestë të organizuar.
Përmes një mesazhi të djeshëm policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Ndërsa apeloi pjesëmarrësit të distancohen nga aktet e dhunës.
Policia e Shtetit respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cënon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve' thuhej në njoftimin e djeshëm të policisë.
Ndërkohë pak ditë më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Sokol Bizhga thirri drejtorin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe shefat e komisariateve për të koordinuar masat lidhur me protestën e sotme
Protesta e së hënës, e cila paralelisht po shoqërohet edhe me aksion në parlament të deputetëve opozitarë vjen pas arrestimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji. Në dy aksione deputetët e PD-së dogjën karriget në oborrin e parlamentit më 30 shtator, ndërsa të enjten e 3 tetorit bllokuan deputetët socialistë në seancën plenare ndërsa dogjën në oborr 4 manekinë.
Lajmi kryesor:
'Mosbindja civile' e PD-së zgjat vetëm 3 orë dhe nuk paralizon as Tiranën! Sulmohet me molotov selia e PS, Kryeministria, ministritë e Bashkia! Më pak protestues se u paralajmëruan











