TIRANE-28 persona janë proceduar për aktet e dhunës në protestën e djeshme të opozitës para parlamentit dhe Ministrisë së Brendshme. Policia njofton se 7 janë arrestuar, 14 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 6 janë shpallur në kërkim. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë, Gazmend Bardhi, si organizator i protestës. Kjo është hera e tretë që procedohet sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike për tre protestat e fundit.

Policia thekson se veprimet procedurale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Të proceduarit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, shtetasit:

7 personat e arrestuar
A. S., 49 vjeç, banues në Tiranë;
O. K., 20 vjeç, banues Tiranë;
L. B., 22 vjeç, banues Tiranë;
M. M., 22 vjeç, banues ne Elbasan;
A. P., 23 vjeç, banues në Tiranë;
Gj. D., 46 vjeç, banues në Malësi të Madhe;
Sh. S., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme. Materialet procedurale do t'i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.