Pamjet filmike të xhiruara nga mediat gjatë protestës së Partisë Demokratike më 8 dhjetor 2015 ku duket qartë dëmtimi i pronës publike nuk janë konsideruar prova nga Gjykata Administrative.

CD-të e paraqitura nga Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit me filmimet e protestës së asaj dite për gjykatën nuk mund të pranoheshin si provë pasi janë marrë jo në formën e kërkuar nga ligji, u shpreh gjyqtarja Arbena Ahmeti.

Bashkia Tiranë dhe AMK janë të paditura në Gjykatën Administrative nga Partia Demokratike në lidhje me aktin administrativ të Bashkisë e cila më 8 dhjetor vendosi të gjobis PD me 17.3 milionë lekë për dëmtim të pasurisë publike.

Por kjo gjobë sipas juristëve të PD është abuzive pasi nuk ka asnjë përllogaritje të saktë të vlerës së dëmit dhe e bërë qëllimisht ndaj PD-së, pasi dhe nëse ka patur dëme ato janë bërë nga individ me emër e mbiemër dhe jo nga një subjekt juridik siç është Partia Demokratike.

Po në këtë gjykatë pak javë më parë u mor vendimi për pezullimin e ekzekutimit të gjobës deri në një vendim përfundimtarë të padisë, për të cilën pretendimet e palëve u lan më 27 maj.

Pas marshit protestë, Bashkia e Tiranës gjobiti PD me gjobën prej 17.3 milion lekë për dëmet e pasurisë publike por kjo gjobë u ankimua dhe sot ndodhet në proces gjyqësor.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)