Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar pas protestës së PD ditën e djeshme.

Në një postim në rrjetet sociale, Murrizi thekson se pretendimi për rrëzimin e qeverisë brenda datave 24–25 bie poshtë nga vetë zhvillimet politike, pasi kryeministri Edi Rama mbetet në detyrë dhe madje është votuar më 22 edhe nga disa deputetë të opozitës për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes.

Murrizi ngre pikëpyetje mbi kërkesën e vazhdueshme për një “qeveri teknike”, duke kujtuar se në 35 vite demokraci, qeveri të tilla janë krijuar vetëm përmes marrëveshjeve mes partive të mëdha dhe jo si rezultat i mitingjeve apo protestave.

'Opozita është një mision i vështirë, por fisnik, dhe protesta është një normë në një shoqëri formalisht pluraliste. Por të thuash se do të bëjmë “revolucion” dhe se do ta rrëzojmë qeverinë më datë 24, ndërkohë që më 25 Rama është sërish kryeministër madje i votuar më 22 edhe nga disa deputetë të opozitës, qoftë nga servilizmi, frika apo pazari, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes kjo nuk është më mashtrim, por tallje.

Shishet e benzinës janë “normale”, në kuptimin që ndodhin kudo në çdo vend të botës së qytetëruar. Por fishekzjarrët sinqerisht nuk i kuptova dot! Ndoshta ka qenë një “ekzaltim” i momentit, i ushqyer nga fjalimet e forta të LSI-së dhe videoklipi në anglisht i shfaqur në monitor, që i dha tonin tubimit.

Po nesër? Po të hënën? Po të martën dhe çdo ditë tjetër që hajdutët me emrin “qeveri” vazhdojnë të vjedhin – çfarë do të bëjmë? Kjo “qeveri teknike” përmendet që nga viti 2023 në çdo miting dhe dalje publike. Ndërkohë, në 35 vite janë bërë vetëm tri qeveri teknike dhe të gjitha kanë ardhur nga marrëveshje PD–PS, asnjëherë nga mitingjet', shkruan ai.

Murrizi thekson se qeveritë rrëzohen vetëm përmes votës, ndërsa vota fitohet me besim, kauza të drejta dhe individë të besueshëm, duke kritikuar ashpër ata që, sipas tij, përdorin servilizmin dhe mashtrimin për përfitime personale politike.

'Tani, meqë të enjten votuat Ramën dhe u gëzuat shumë që Ivanka do të marrë Sazanin, a mund të na thoni: a keni bërë ndonjë “marrëveshje” me Ramën për qeveri “teknike”? Sepse me fishekzjarre nuk më besohet se Rama ikën nga qeveria, sidomos pasi ju detyroi ta votonit në Parlament të enjten.

Qeveritë rrëzohen me votë. Votat mblidhen me besim. Besimi vjen nga kauza të drejta e parimore dhe nga individë të besueshëm  jo nga sharlatanë që kërcejnë prehër më prehër, kanë frikë nga vota dhe shtyhen si derrat në grazhd për të siguruar një vend në listë, me servilizëm, mashtrim dhe lepirje', shkruan ai.