TIRANË- Gjashtë militantë të cilët hodhën bomba molotovë pa kontroll mes mbështetësve të opozitës në protestë dhe pranë efektivëve, u vunë në hetim nga Policia e Tiranës, pas tubimit të PD-së të premten. Bashkë me ta, edhe deputeti Klevis Balliu, i cili në emër të PD-së njoftoi policinë për zhvillimin e protestës te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, para kryeministrisë. Sapo opozita tentoi një marshim drejt Ministrisë së Brendshme, policia i bllokoi me kordonë duke i zmbrapsur në seli.
***
Me ardhjen e Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit, dhe provës që dha nën menaxhimin për herë të parë prej tij të një proteste të opozitës, në atë të 17 prillit, Sali Berisha u tërhoq nga disa skenarë.
I konsideruari grupi i zjarrit, që e shoqëronte pas, fshehur pas pankartave e me maska në fytyrë gjatë parakalimit drejt kryeministrisë, mungoi.
Këtë radhë, kreu i partisë Demokratike, u shfaq pranë godinës së qeverisë, me shoqëruesit e tij, me pak militantë, asnjëri i kamufluar. Por grupi i zjarrit, nuk ishte zhdukur. Në dukje, vetëm ishte larguar nga Berisha. Grupet e personave të maskuar dhe me molotovë e mjete piroteknike në duar, u shfaqën gjatë marshimit që synoi të mbërrinte Ministrinë e Brendshme.
Këto momente u fiksuan nga Report Tv gjatë protestës. Disa militantë me lëndë shpërthyese në duar, shpërthimi i të cilave përfundonte deri në këmbët e policisë, vendosur në kordon përbri Galerisë së Arteve.

Të tjerë, jo kaq të ekspozuar. Ata fshihen pas makinës teknike të televizionit të familjes Berisha, Syri Tv, që në këtë rast ka shërbyer si mburoja për të mos u pikasur nga policia. Hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve është totalisht pa shënjestër. Lëshuar me personave që ndodhen në protestë, mes njerëzve të tyre, mbështetës të partisë Demokratike, e duke rrezikuar gjithashtu edhe forcat e policisë.

Policia tha zyrtarisht se gjatë tubimit disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie. Por këtë radhë nga policia, nuk pati të arrestuar. 6 militantë të cilët hodhën molotovë, u vunë në hetim, për 3 vepra penale, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Bashkë me ta, në hetim edhe Klevis Balliu, i cili në emër të PD-së ka njoftuar policinë për zhvillimin e protestës, e cila u tentua të zhvendoset jashtë perimetrit të lejes.
"Policia e Tiranës, menjëherë pas përfundimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike mbrëmjen e datës 08.05.2026, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë tubimit disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie, procedoi penalisht 7 shtetas. Nga këta: 6 për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Gjatë veprimeve, policia sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta", njofton policia.
Protesta marshim e opozitës të premten dështoi të mbërrijë destinacionin e saj, Ministrinë e Brendshme, pasi policia i bllokoi duke i zmbrapsur në seli me një autobot ujëhedhës.
E tkurrur në numra sikurse pamjet e treguan, protesta u mbyll pas 90 minutash me një paralajmërim të Berishës se regjimi do marrë përgjigje, dhe pa datë për takimin e radhës.
Strategjia e shpërndarjes së turmës pa dalë jashtë zonës për të cilën është njoftuar protesta dhe arrestimi i militantëve me çanta me molotovë në duar, i la në burg 5 prej tyre nga Gjykata e Tiranës, për episodet e dhunshme ne tubimin e 17 prillit
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









