Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj ka reaguar pas protestës së të rinjve të zhvilluar një ditë më parë në qytet, gjatë së scilës janë dëmtuar semaforë, kosha mbeturinash dhe billborde, ndërsa janë vënë në zjarr dhe pemë dekorative në sheshin kryesor.
Halilaj në një mesazh drejtuar qytetarëve bën thirrje për vetëpërmbajtje, përgjegjësi dhe respekt ndaj pronës publike, duke theksuar se ajo është pasuri e përbashkët e të gjithë komunitetit.
Një apel i veçantë u drejtohet prindërve dhe mësuesve, të cilëve u kërkohet të bisedojnë me të rinjtë dhe t'i ndihmojnë ata të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre.
Reagimi i kryebashkiakut:
TË NDERUAR PRINDËR, MËSUES, NXËNËS DHE QYTETARË TË KUKËSIT!
Në lidhje me situatën e krijuar gjatë protestës së të rinjve në qytetin e Kukësit një ditë më parë, ku janë dëmtuar semaforët, koshat e mbeturinave, billboardet, si dhe janë vënë në zjarr pemë dekorative në sheshin kryesor të qytetit, dëshiroj të përcjell një mesazh të sinqertë për të gjithë ju.
Si prind, si qytetar i këtij qyteti dhe si Kryetar i Bashkisë Kukës, bëj thirrje për vetëpërmbajtje, përgjegjësi dhe respekt ndaj pronës publike, e cila është pasuri e përbashkët e të gjithë qytetarëve.
E drejta për të protestuar është legjitime dhe duhet respektuar. Çdo i ri ka të drejtën të shprehë mendimin, pakënaqësinë dhe qëndrimin e tij. Por protesta nuk duhet të kthehet në dhunë dhe dëmtimi i pronës publike nuk mund të jetë mënyra për të shprehur pakënaqësinë. Dëmtimi i pasurive publike prek drejtpërdrejt të gjithë komunitetin dhe cenon përpjekjet tona të përbashkëta për një qytet më të mirë.
Një thirrje e veçantë shkon për prindërit dhe mësuesit. Bisedoni me fëmijët dhe nxënësit tuaj, dëgjojini dhe ndihmojini të kuptojnë se çdo veprim ka pasoja. Familja dhe shkolla janë dy shtyllat kryesore në formimin e brezit të ri dhe në edukimin e tij me vlerat e qytetarisë, përgjegjësisë dhe respektit për të mirën e përbashkët.
Të rinjtë duhet të kuptojnë se semaforët, koshat, hapësirat e gjelbra dhe çdo element tjetër i qytetit janë pasuri që u shërbejnë të gjithëve. Dëmtimi i tyre sjell kosto për komunitetin dhe dëmton vetë qytetin ku jetojmë.
Të dashur të rinj, zëri juaj ka rëndësi, mendimi juaj duhet dëgjuar dhe shqetësimet tuaja meritojnë vëmendje. Por fuqia e një shoqërie qëndron te dialogu, qytetaria dhe aftësia për të shprehur qëndrimet pa dëmtuar të tjerët dhe pronën e përbashkët.
Kukësi është shtëpia jonë e përbashkët dhe ruajtja e tij është përgjegjësi e secilit prej nesh.
Le të bashkëpunojmë, prindër, mësues, nxënës dhe qytetarë, për të përcjellë te brezi i ri mesazhin se protestimi dhe respekti për pronën publike duhet të ecin së bashku.
Me dialog, mirëkuptim dhe përgjegjësi qytetare, mund të ndërtojmë një Kukës më të mirë për të gjithë.
Ta duam, ta respektojmë dhe ta mbrojmë qytetin tonë!
Lajmi kryesor:
Protestuesit në Tropojë hedhin gurë drejt Bashkisë dhe Pallatit të Kulturës








